Botë

Rusia dënon sulmet ajrore të Izraelit në Siri

PUTIN

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë i ka dënuar të enjten sulmet ajrore të Izraelit në Siri, duke i vlerësuar ato si shkelje e sovranitetit të vendit arab dhe të së drejtës ndërkombëtare.

“Vala e re e dhunës në Siri është shumë shqetësuese”, thuhet në njoftimin e Ministrisë ruse. “Pala ruse ka dënuar në mënyrë të vazhdueshme përdorimin e forcës arbitrare nga Izraeli në Siri. Këto sulme, të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të sovranitetit të vendit dhe të së drejtës ndërkombëtare, meritojnë dënim të ashpër”.

Ushtria izraelite pati njoftuar të mërkurën se kishte goditur shtabin e përgjithshëm të ushtrisë siriane në zemër të Damaskut.

Sulmi ajror kishte ndodhur ndërsa përleshjet po vazhdonin në qytetin jugor sirian të Sweidas, pas dështimit të armëpushimit paraprak mes forcave qeveritare dhe grupeve të armatosura druze.

Izraeli ka ndërmarrë një seri sulmesh ajrore ndaj autokolonave të forcave qeveritare që nga shpërthimi i luftimeve, duke pretenduar se po vepron për ta mbrojtur komunitetin druz.

Autoritetet izraelite kanë aplikuar qasje agresive ndaj udhëheqësve të rinj të Sirisë që nga rrëzimi i Assadit, duke thënë se nuk i dëshirojnë militantët islamikë pranë kufijve të tyre.

Zyrtarë të Qeverisë siriane dhe udhëheqës të pakicës fetare druze veçse kanë shpallur armëpushimin e ri pas luftimeve disaditore që kanë kërcënuar ta prishin rrjedhën e ndryshimit dhe rindërtimit politik.

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, ka thënë të enjten në fjalimin e tij të parë televiziv pas sulmeve izraelite, se mbrojtja e pakicës druze dhe e të drejtave të tyre është prioritet për qeverinë siriane.

Ai iu ka adresuar thirrje druzëve të enjten duke thënë se “ne e kundërshtojmë çdo përpjekje për t’ju tërhequr në duart e ndonjë pale të jashtme”.

Shaara ka deklaruar ndër të tjera se populli sirian nuk i frikësohet luftës dhe se është i gatshëm ta mbrojë dinjitetin e tij nëse kërcënohet nga akterë të jashtëm.

“Ne nuk jemi nga ata që tremben nga lufta. Ne e kemi kaluar jetën duke u përballur me sfida dhe duke mbrojtur popullin tonë, por kemi vendosur interesat e sirianëve para kaosit dhe shkatërrimit”, ka thënë ai.