Një sulm ushtarak rus të martën ka vrarë dhe ka plagosur dhjetëra civilë që prisnin autobusin në qytetin Avdiivka në rajonin Donetsk të Ukrainës. Policia e Ukrainës ka njoftuar të mërkurën se këta civilë janë vrarë, teksa po hipnin në autobus pas turnit të tyre të punës, raportoi CNN-i.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur se sa punëtorë u vranë dhe u plagosën në sulmin ushtarak.
Fotot e postuara nga Policia Kombëtare në Telegram, tregojnë dëmet e shkaktuara brenda autobusit të një fabrike në Avdiivka. Në njërën nga fotografitë shihen të paktën tre trupa njerëzish.
Grupi Metinvest, i cili zotëron fabrikën, konfirmoi në Telegram se objekti ishte në shënjestër e bombardimeve ruse, duke shtuar se ata që po qëndronin ende në fabrikë, ishin specialistë.
Sipas kompanisë, fabrika ka shtatë objekte magazinimi që mund të mbajnë afërsisht 2.500 njerëz.