Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio planifikon të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov të enjten, vetëm disa ditë pasi presidenti, Donald Trump shprehu zhgënjim ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin për mosangazhimin në bisedimet e paqes me Ukrainën, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit.
Takimi do të zhvillohet në Malajzi në margjinat e një takimi të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore, i njohur shkurt si ASEAN, raporton CNN.
Trumpi ka përsëritur disa herë këtë javë se Ukraina ka nevojë për armë mbrojtëse. Komentet e tij kanë ardhur pasi një ndalesë e rrjedhës së armëve në Ukrainë, e drejtuar nga Pentagoni, shkaktoi konfuzion në lidhje me mbështetjen e vazhdueshme ushtarake amerikane për Ukrainën.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth nuk e kishte informuar Shtëpinë e Bardhë përpara se të jepte dritën jeshile për të ndaluar dërgesat e armëve në Ukrainë javën e kaluar dhe ky veprim e zuri gjithashtu në befasi Rubion, ka raportuar CNN bazuar në burime. Pak pas ndalesës, Trumpi ka thënë se të paktën disa nga dërgesat e armëve do të vazhdonin.
"Putini nuk po i trajton qeniet njerëzore siç duhet”, ka thënë Trumpi për homologun e tij rus të martën. "Ai po vret shumë njerëz”.
"Pra, ne po dërgojmë disa armë mbrojtëse në Ukrainë, dhe unë e kam miratuar këtë”, ka shtuar presidenti amerikan.
Trumpi gjithashtu ka kritikuar ashpër Putinin, duke thënë se ai ka ofruar shumë "budallallëqe" të cilat kanë rezultuar të jenë "të pakuptimta".
Pas këtyre komenteve, Rusia ka nisur sulmin e saj më të madh me dronë deri më sot në Ukrainë me më shumë se 700 dronë, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës.
Do të jetë hera e dytë që Rubio takohet me homologun e tij rus, e para në Arabinë Saudite në fillim të këtij viti. Të dy kanë folur në telefon disa herë në muajt e fundit, ndërsa SHBA-ja po përpiqen për një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë, e cila nuk është realizuar kurrë.
Gjatë muajve të parë të mandatit të tij të dytë, Trumpi ka pasur një ton më të butë me Putinin, me qëllim që ta bindte atë të binte dakord për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Mirëpo tani, ndërsa sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës vazhdon, zemërimi i Trumpit po bëhet çdo herë e më i dukshëm, duke krijuar një takim potencialisht të tensionuar midis Rubios dhe Lavrovit.
Rubio: Trumpi është i zhgënjyer me mungesën e fleksibilitetit të Rusisë
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur në një konferencë për shtyp të enjten pas takimit të tij me homologun rus, Sergei Lavrov, tek ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, është i zhgënjyer me mungesën e fleksibilitetit të treguar nga Rusia për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ka shkruar Reuters.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë të shohin një plan të qartë veprimi për të ecur përpara sa i përket situatës në Ukrainë.
E në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë kanë thënë të enjten se në takimin e zhvilluar ndërmjet Lavrovit dhe Rubios, është diskutuar kryesisht për marrëveshjen e paqes në Ukrainë si dhe situatën në Iran e Siri.
“U zhvillua një shkëmbim substancial dhe i drejtpërdrejtë i pikëpamjeve rreth zgjidhjes së situatës në Ukrainë, Iran dhe Siri, si dhe për një sërë çështjesh të tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Lavrov dhe Rubio “kanë konfirmuar dëshirën e tyre të përbashkët për të gjetur zgjidhje paqësore për konfliktet, për të rikthyer bashkëpunimin ekonomik dhe humanitar mes Rusisë dhe Amerikës, dhe për të lehtësuar kontaktet midis shoqërive të të dyja vendeve”.
Në njoftim thuhet gjithashtu se dialogu konstruktiv ndërmjet Moskës dhe Washingtonit do të vazhdojë.