Botë

Rritja masive e qendrave të mashtrimit që “robërojnë” deri në 100.000 persona

Qendra mashtrimi

Në kufirin mes Birmanisë dhe Tajlandës, komplekse si KK Park janë kthyer në qendra kriminale të sofistikuara, ku mijëra persona mbahen të trafikuar dhe të detyruar të kryejnë mashtrime online. Pavarësisht përpjekjeve për ndalimin e tyre, këto komplekse po shtohen me ritme alarmante. Dëshmitë zbulojnë dhunë ekstreme dhe kushte çnjerëzore ndaj viktimave. Kjo industri po bëhet thelbësore për mbijetesën ekonomike të juntës ushtarake birmaneze

Pesë vjet më parë toka ku sot ndodhet KK Park, kompleks i madh dhe i rrethuar me masa të rrepta sigurie që shtrihet në një sipërfaqe prej 210 hektarësh përgjatë lumit të rrëmbyeshëm Moei, i cili shënon kufirin mes Birmanisë dhe Tajlandës – ishte thjesht fushë bosh.

I vendosur përballë maleve të thepisura në jug të qytetit Myawaddy, KK Park, me spitalin e vet, restorantet, bankën dhe vilat e rreshtuara me kopshte të mirëmbajtura, i ngjan më shumë një kampusi të një kompanie teknologjie në Silicon Valley sesa asaj që është në të vërtetë: vija e parë e një industrie kriminale prej miliarda dollarësh e bazuar në mashtrime, trafik njerëzor dhe dhunë brutale.
Birmania, Kamboxhia dhe Laosi janë kthyer vitet e fundit në strehë për sindikata kriminale transnacionale që operojnë qendra mashtrimi si KK Park, ku punëtorë të skllavëruar detyrohen të kryejnë mashtrime të ndërlikuara online, duke gjeneruar fitime marramendëse.
Janë bërë disa përpjekje për të ndaluar këto qendra dhe për të shpëtuar punëtorët, të cilët shpesh

torturohen dhe mbahen të izoluar. Por pamjet nga dronët dhe një studim i ri i ndarë ekskluzivisht me “Guardianin” tregojnë se numri i qendrave të tilla përgjatë kufirit tajlandezo-birman është më shumë se dyfishuar që nga marrja e pushtetit nga ushtria birmane në vitin 2021, me ndërtimet që vazhdojnë ende sot.

Të dhënat nga Instituti Australian i Politikave Strategjike (ASPI), një institut mbrojtjeje me bazë në Canberra, tregojnë se numri i qendrave të mashtrimit në Birmani përgjatë kufirit me Tajlandën është rritur nga 11 në 27 dhe ato janë zgjeruar me një mesatare prej 5.5 hektarësh në muaj.
Pamjet nga dronët dhe fotografitë e marra nga “Guardian” në gusht për KK Park dhe qendra të tjera, si Tai Chang dhe Shwe Kokko, tregojnë struktura të reja dhe punime ndërtimi aktive.

Zgjerimi i rrjetit kriminal

Në kompleksin Tai Chang, janë shfaqur ndërtesa shtesë gjatë vitit të fundit, përfshirë një dok lundrues të ndërtuar muajt e fundit për të mundësuar transportin e furnizimeve nga Tajlanda. Pamjet nga droni gjithashtu tregojnë katrorë të bardhë në çatitë e Tai Chang dhe KK Park, që me shumë gjasë janë marrës interneti satelitor. Këto u mundësojnë qendrave të qëndrojnë online edhe pasi Tajlanda ndërpreu furnizimin ndërkufitar me energji elektrike, internet dhe gaz drejt zonave ku ndodhen qendrat e mashtrimit, në përpjekje për t’i çaktivizuar ato dhe për të ndaluar aktivitetet kriminale.
Autoritetet tajlandeze kanë deklaruar më parë se shërbimi satelitor i internetit Starlink, në pronësi të Elon Musk, po përdoret nga këto qendra mashtrimi dhe kanë kapur pajisje kontrabandë që besohet se ishin nisur drejt kufirit.

Pamje nga dronë dhe satelitë të tjerë qendrash mashtrimi brenda Birmanisë tregojnë fortifikime të forta dhe sisteme sigurie të sofistikuara. Kompleksi Dongmei Park është i rrethuar me gardhe dhe i mbrojtur nga një pikë kontrolli dhe kulla vrojtimi, sipas analizës nga ASPI.

Këto qendra gjithashtu ofrojnë një gamë të gjerë facilitetesh për stafin drejtues dhe vizitorët. Në disa prej tyre, janë ndërtuar banesa luksoze për “ekipet menaxhuese” që drejtojnë punëtorët, apo përdoren si skena për telefonata me video me viktimat e synuara, për t’i bindur se po flasin me persona shumë të pasur, të cilëve duhet t’u besojnë këshillat për investime.

Rrëfime të tmerrshme për trajtimin e punëtorëve të trafikuar që ndodhen brenda këtyre qendrave kanë tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen ndërkombëtare muajt e fundit, me ata që kanë arritur të shpëtojnë duke treguar për dhunën ekstreme, torturat dhe ndëshkimet që kanë përjetuar nga drejtuesit e qendrave.

Rreth 7.000 persona u shpëtuan nga këto komplekse më herët këtë vit, në një operacion të ndërlikuar shpëtimi që përfshiu Tajlandën, Kinën dhe vende të tjera prej nga vinin viktimat, si dhe ushtrinë birmane dhe grupet e armatosura që kontrollojnë zonat kufitare.

Por ekspertët thonë se kjo është vetëm një pikë në oqean. Policia tajlandeze vlerësoi më herët këtë vit se deri në 100.000 persona mund të mbahen të mbyllur brenda qendrave të mashtrimit në Birmani përgjatë kufirit të përbashkët.

Rrjeti i Shoqërisë Civile për Ndihmën e Viktimave të Trafikimit ka dijeni për të paktën 90 viktima trafikimi që janë ende të bllokuara në këto komplekse, përfshirë shtetas nga të paktën 11 vende të Azisë dhe Afrikës. Sipas organizatës, disa prej viktimave kanë humbur gjymtyrë ose janë verbuar apo mbetur të paaftë për shkak të dhunës së egër nga drejtuesit e qendrave.

Mashtrimi online

Mateo (emri i të cilit është ndryshuar për shkaqe sigurie) nga Filipinet kaloi gjashtë muaj i bllokuar brenda KK Parkut. Ai kishte udhëtuar nga vendi i tij drejt Tajlandës vitin e kaluar, duke besuar se kishte siguruar një punë të ligjshme si përfaqësues i shërbimit ndaj klientit.
Në vend të kësaj, ai u trafikua përtej kufirit dhe iu mor pasaporta. Çdo ditë i duhej t’u shkruante qindra burrave të moshuar amerikanë në rrjete sociale, duke fituar besimin e tyre derisa të jepnin numrin e WhatsAppit. Më pas kontakti i kalonte një ekipi tjetër mashtruesish.

Nëse nuk arrinte të përmbushte objektivat, ndëshkohej me goditje me shok elektrik ose me dënime fizike të rënda në vapën përvëluese. Të largohej nga kompleksi nuk ishte një mundësi. “Ka shumë roja të armatosura”, thotë ai.

Junta ushtarake e Birmanisë ka lejuar përhapjen e qendrave të mashtrimit brenda vendit, pasi këto ndërmarrje kriminale janë kthyer në një pjesë thelbësore të ekonomisë së konfliktit që nga grushti i shtetit, duke ndihmuar që vendi të ngjitet në krye të listës globale të vendeve që strehojnë krimin e organizuar.

Sipas analizës së ASPI-t, ushtria birmaneze, e cila ka humbur kontrollin mbi zona të mëdha territoriale që nga grushti i shtetit dhe po lufton për të ruajtur pushtetin, nuk mund të marrë masa reale kundër këtyre qendrave mashtruese pa rrezikuar marrëdhëniet e brishta me milicitë e armatosura lokale, të cilat po përfitojnë financiarisht prej tyre.

Nathan Ruser, analist i të dhënave me burim të hapur pranë ASPI-t, thotë: “Në shumë mënyra, kjo industri është bërë tashmë një nevojë ekzistenciale për ushtrinë birmane, e cila po përballet me një krizë të thellë”.

Ushtria e Birmanisë ka deklaruar më parë se është e nevojshme një përgjegjësi e përbashkët për të trajtuar këtë çështje, përfshirë edhe vendet prej nga vijnë viktimat e trafikuara si dhe vendet tranzit që ato përdorin për të mbërritur.

Në nivel ndërkombëtar, qeveritë vazhdojnë ta kuptojnë gabimisht fenomenin e qendrave të mashtrimit si një çështje relativisht të vogël të trafikimit të qenieve njerëzore, thotë Amy Miller, drejtoreshë për Azinë Juglindore në organizatën amerikane Acts of Mercy International, e cila punon me viktimat e trafikimit.

“Ajo që më shqetëson është mungesa e njohjes së përmasave të kësaj dukurie dhe se ku mund të shkojë në të ardhmen”, thotë ajo, duke shtuar se tashmë ka shenja që skema të ngjashme po shfaqen edhe në vende si Sri Lanka dhe Nigeria.

Mateo u shpëtua më në fund nga KK Park dhe tani po rikuperohet së bashku me punëtorë të tjerë të liruar. Ai është ende shumë i traumatizuar për të reflektuar më tej mbi përvojën e tij në këto qendra mashtrimi, por miku i tij, i cili ishte i bllokuar bashkë me të, thotë për drejtuesit e qendrave: “Për ta, paraja është më e rëndësishme se jeta njerëzore. Nuk u intereson kë shkelin - rëndësi ka vetëm fitimi”.
Ai thotë se ndjenja që përjetohet atje është sikur “gjithë e keqja e botës” të jetë e përqendruar brenda atyre komplekseve.