Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rritet frika për fatin e atletes iraniane që garoi në Korenë Jugore pa hixhab

Është shtuar frika për atleten iraniane, e cila po garon pa hixhab në një garë alpinizmi në Korenë Jugore.

Elnaz Rekabi u përshëndet nga iranianët që protestonin kundër kodit të veshjes, pasi ajo u ngjit me flokët e zbuluar në kampionatin Aziatik IFSC në Seul, raportoi BBC-ja të martën.

Familja dhe miqtë e Rekabit humbën kontaktet me të të hënën, pasi ajo tha se ishte me një zyrtar iranian.

Të martën, ambasada iraniane tha se ajo kishte fluturuar përsëri për në Teheran.

“Elnaz Rekabi u largua nga Seuli për në Iran të martën në mëngjes, pasi përfundoi gara e kampionatit aziatik në ngjitje shkëmbi. Ambasada e Republikës Islamike të Iranit në Korenë e Jugut mohon fuqishëm të gjitha lajmet e rreme, gënjeshtrat dhe informacionet e rreme për zonjën Elnaz Rekabi”, thuhet në një deklaratë.

Edhe Qindra përkrahës presin në aeroport alpinisten iraniane, e cila garoi pa hixhab Botë Qindra përkrahës presin në aeroport alpinisten iraniane, e cila garoi pa hixhab

Korrespodentja e BBC-së, Rana Rahimpour thotë se ekziston shqetësimi se Rekabi do të dërgohet drejtpërdrejt në burg pas kthimit të saj në Iran.

Grave në Iran u kërkohet të mbulojnë flokët me hixhab, derisa krahët dhe këmbët me veshje të gjera.

Atletet femra duhet gjithashtu të respektojnë kodin e veshjes kur ato përfaqësojnë zyrtarisht Iranin në garat jashtë vendit.

Dy vjet më parë, një garuese iranian e shahut tha se kishte marrë kërcënime me vdekje pasi qarkulloi një foto ku shfaqej pa hixhab në Kampionatin Botëror të Shahut në Shangai.

Shohreh Bayat ka deklaruar më pas se ishte arratisur në Mbretëri të Bashkuar dhe kërkoi azil pasi u paralajmërua se mund të arrestohej nëse kthehet në Iran.

Edhe Gratë iraniane i kundërvihen imponimit për mbajtjen e hixhabit Botë Gratë iraniane i kundërvihen imponimit për mbajtjen e hixhabit

Javën e kaluar, Bayat i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë lidhur me shtypjen e dhunshme nga autoritetet iraniane, në përgjigje të protestave mbarëkombëtare kundër ligjeve të detyrueshme të hixhabit dhe strukturës klerikale.

Protestat u nxitën nga vdekja në paraburgim e Mahsa Aminin, një gruaje 22-vjeçare e arrestuar nga policia e moralit në Teheran më 13 shtator, pasi dyshohet se e mbante shaminë e saj “jo siç duhej”.