Botë

Me heqjen e shamisë, sfidojnë Republikën Islamike

Gratë i kanë rezistuar ligjit, duke zbuluar flokët e tyre një centimetër ose një fije floku, qëkur ai hyri në fuqi dy vjet pas Revolucionit Islamik më 1979. Por që nga vdekja e Mahsa Aminit, 22 vjeçe, vjet, ndërsa ishte në paraburgim nga policia e moralit të vendit, gratë dhe vajzat kanë qenë në qendër të kryengritjes mbarëkombëtare, duke kërkuar t’u jepet fund jo vetëm kërkesave të hixhabit, por edhe vetë Republikës Islamike

(NYT) - Një inxhiniere u shfaq në skenë në një ngjarje në Teheran, veshur me pantallona të ngushta dhe këmishë elegante, njëherësh mbante një mikrofon në njërën dorë. Flokët e saj të gjata bojëkafe, të lidhura bisht, tundeshin lirshëm prapa krahëve, të zbuluara në kundërshtim të hapur ndaj ligjit të rreptë të hixhabit në Iran, shkruan “New York Times”.

“Unë jam Zeinab Kazempour”, tha ajo në kongresin e shoqatës profesionale të inxhinierëve të Iranit. Ajo e dënoi grupin për mbështetjen e rregullave të hixhabit dhe më pas lëshoi skenën, duke hequr shallin nga qafa dhe duke e hedhur në dysheme poshtë imazhit gjigant të liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Kryengritja e grave

Auditori i mbushur plot shpërtheu në brohoritje, duartrokitje dhe fishkëllima. Një video e zonjës Kazempour u bë virale në mediat sociale dhe faqet lokale të lajmeve, duke e kthyer në kampionen e fundit për shumë iranianë në një sfidë në rritje dhe të hapur ndaj ligjit të hixhabit.

Gratë i kanë rezistuar ligjit, duke zbuluar flokët e tyre një centimetër ose një fije floku, që kur ai hyri në fuqi dy vjet pas Revolucionit Islamik në 1979.

Por që nga vdekja e Mahsa Aminit, 22 vjeçe, vjet, ndërsa ishte në paraburgim nga policia e moralit të vendit, gratë dhe vajzat kanë qenë në qendër të kryengritjes mbarëkombëtare, duke kërkuar t’u jepet fund jo vetëm kërkesave të hixhabit, por edhe vetë Republikës Islamike.

Gratë papritmas po nxjerrin në pah flokët e tyre: të gjata nëpër qendra tregtare; lidhur gërshetë në rrugë; stiluar në transportin publik; dhe me bisht në shkolla dhe në kampuset universitare, sipas intervistave me gra në Iran, si dhe fotografive dhe videove në internet. Ndërsa këto akte kundërshtimi janë më të rralla në zonat më konservatore, ato po shihen gjithnjë e më shumë në qytete dhe qytete.

“Unë nuk kam mbajtur shall për muaj të tërë - as nuk e mbaj më me vete”, tha Kimia, 23 vjeç, një studente e diplomuar në qytetin kurd Sanandaj, në Iranin perëndimor, e cila, si gratë e tjera të intervistuara, kërkoi që mbiemri të mos i përdoret nga frika e hakmarrjes.

“Epoka e hixhabit ka mbaruar”

Kimia tha se shumë studente në kolegjin e saj nuk i mbulonin flokët as në klasa në prani të profesorëve meshkuj. “Pavarësisht nëse qeveria pëlqen ta pranojë apo jo”, tha ajo, “epoka e hixhabit të detyruar ka mbaruar”.

Ligji i hixhabit i Iranit urdhëron që gratë dhe vajzat mbi 9 vjeçe t’i mbulojnë flokët e tyre dhe që ato të fshehin kthesat e trupit të tyre nën rroba të gjata dhe të lirshme.

Shumë gra ende i përmbahen rregullit në publik, disa me zgjedhje dhe të tjera nga frika. Videot e pazarit tradicional në qendër të Teheranit, kryeqyteti i Iranit, për shembull, tregojnë shumicën e grave që mbulojnë flokët e tyre.

Por videot e parqeve, kafeneve, restoranteve dhe qendrave tregtare - vende të njohura për femrat më të reja - tregojnë shumë prej tyre të zbuluara. Shumë gra të njohura, duke përfshirë të famshme dhe atlete, kanë hequr hixhabin në Iran dhe kur kanë përfaqësuar vendin jashtë kufijve.

Shteti ka promovuar prej kohësh ligjin e hixhabit si një simbol të suksesit të tij në themelimin e Republikës Islamike, por zbatimi ka ndryshuar, varësisht se cili fraksion politik ishte në pushtet.

Pas zgjedhjes në vitin 2021 të Ebrahim Raisit president, nga linja e ashpër, rregullat janë zbatuar gjithnjë e më shumë, dhe me një rreptësi dhe brutalitet që kanë tërbuar gratë iraniane, shumë prej të cilave u gjobitën, u rrahën ose u arrestuan nga policia morale për shkelje.

Shpërthimi i zemërimit

Por zemërimi mbi ligjin vloi në shtator, kur gruaja e re, Amini, 22 vjeçe, vdiq në paraburgimin e policisë së moralit dhe ndërsa protestat në rrugë që shpërthyen në të gjithë Iranin u shndërruan shpejt në thirrje më të gjera për t'i dhënë fund në vendin e qeverisur nga klerikët e vendit.

Protestat kanë pushuar kryesisht mes një goditjeje të dhunshme nga autoritetet që ka përfshirë arrestime masive, dënime me vdekje dhe ekzekutime të katër protestuesve të rinj.

Por shumë akte të mosbindjes civile vazhdojnë çdo ditë, duke përfshirë brohoritjen “vdekje diktatorit” nga çatitë, shkrimin e mbishkrimeve në mure dhe heqjen e ndezjen e pankartave të qeverisë.

Dhe gratë kanë dalë në publik pa hixhabet e tyre, raporton “New York Times”.

Zyrtarët thanë në dhjetor se kishin shpërndarë policinë e moralit dhe që atëherë ata nuk janë parë në rrugë. Për momentin, autoritetet vetëm herë pas here po zbatojnë rregullat e hixhabit, sipas grave dhe aktivistëve në Iran.

Autoritetet kohët e fundit mbyllën dy farmaci, një në Teheran dhe një tjetër në qytetin verior Amol, pasi punonjëset femra u raportuan se nuk mbanin hixhab. Dhe në qytetin fetar Kum, ata qortuan menaxherin e një banke ushqimore për ushqimin e klientëve pa hixhabe. Sipas raporteve të lajmeve iraniane, gjyqësori ka hapur gjithashtu një çështje kundër zonjës Kazempour, inxhiniere.

Rishikimi i rregullave

Zyrtarët thonë se po rishikojnë rregullat e zbatimit dhe planifikojnë të shpallin masat e përditësuara. Një ligjvënës konservator ka thënë se metodat alternative të zbatimit janë duke u konsideruar, si paralajmërimi i grave me mesazhe me tekst, mohimi i shërbimeve civile ose bllokimi i llogarive të tyre bankare, raporton “New York Times”.

“Shamitë e kokës do të kthehen në kokat e grave”, u raportua të thoshte ligjvënësi Hossein Jalali, në dhjetor në mediat iraniane.

Por kundërshtimi mbetet shumë i përhapur për t’u përmbajtur dhe shumë i përhapur për t'u kthyer, thonë aktivistët e të drejtave të grave.

“Thelbi dhe zemra e kësaj lëvizjeje është me të vërtetë akti revolucionar i këtyre grave që i kthejnë shamitë e tyre në armën më efektive dhe më të fuqishme kundër diktaturës fetare dhe shtresave të thella të mizogjinisë dhe patriarkalizmit”, tha Fatemeh Shams, aktiviste për të drejtat e grave dhe profesoreshë e letërsisë persiane në Universitetin e Pensilvanisë.

Gratë që nuk i mbulojnë flokët thonë se janë të vendosura të bëjnë si të duan, por se janë pro “hixhabit vullnetar”. Ato thonë gjithashtu se respektojnë të drejtat e grave që zgjedhin të mbajnë shalle, shkruan “New York Times”.

Leila, 51 vjeçe, e cila jeton në Teheran, tha se ajo dhe vajza e saj adoleshente ishin veshur në publik si në mjedise private dhe kur udhëtonin jashtë vendit – me fustane, funde, xhinse të ngushta dhe pulovra të ngushta.

“Kohët e fundit më është dashur të udhëtoj dhe kam luftuar nëse duhet të vesh hixhabin në aeroport sepse ka shumë agjentë sigurie, por vendosa kundër”, tha Leila në një intervistë telefonike. Ajo mbeti e habitur kur pa se shumica e grave në aeroport atë ditë kishin hequr gjithashtu hixhabet e tyre. “Të gjithë kaluam kontrollin e sigurisë dhe pasaportës me flokët e zbuluar dhe ata nuk thanë asgjë. Fuqia jonë është në numra”.

“Unë mbaj hixhabin, por jam kundër hixhabit të detyrueshëm”

Hathis, 25 vjeç, e cila shqyrton libra dhe filma në internet, postoi një fotografi të saj në Instagram në dhjetor, me flokë të zbuluara, me një shoqe në një kafene të huaj në Teheran. “A është kjo si ndihet të ndjesh erën e ftohtë të vjeshtës që fryn nëpër flokët e tu? Dhe për 25 vjet më mohuan këtë?”

Edhe shumë gra fetare që mbajnë hixhab sipas dëshirës i janë bashkuar fushatës për shfuqizimin e ligjit. Një peticion me mijëra emra dhe fotografi grash po qarkullon në Instagram dhe Twitter me mesazhin: “Unë mbaj hixhabin, por jam kundër hixhabit të detyrueshëm”.

Maryam, 53 vjeçe, e cila respekton ligjin e hixhabit dhe jeton në Teheran, së fundmi ka udhëtuar me vajzën në ishullin e pushimeve Kish në Gjirin Persik. U befasuan kur panë shumicën e grave me fustane dielli me mëngë të shkurtra, sandale, pantallona dhe bluza. “A jemi në Turqi apo Iran?” - pyeti vajza e saj, Narges, 26 vjeçe, shkruan “New York Times”.

Menjëherë pas udhëtimit, Narges i ndryshoi të gjitha fotot e profilit të saj në rrjetet sociale në një në të cilën flokët e saj të gjatë kafe i rridhnin mbi supe dhe grushti i saj ishte ngritur në ajër. Ajo i njoftoi familjes së saj konservatore fetare se po hiqte hixhabin.

“Nuk do ta ulem kurrë grushtin deri në liri, edhe nëse duhet të presim shumë vite”, ka shkruar Narges në faqen e saj në Instagram.

Maryam tha në një intervistë se kishte një mal mesazhesh dhe thirrjesh nga të afërmit dhe miqtë, disa mbështetës dhe disa kritikë për vajzën e saj.

“Unë u thashë atyre se kohët kanë ndryshuar”, tha ajo. “Unë e respektoj zgjedhjen e vajzës sime dhe po ashtu edhe ju. Nuk është punë e askujt”.

Përktheu: Rexhep Maloku

 

Image

Forma të ndryshme të mbulesës së kokës në Teheran