Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Përtej luftës për shami

Për gratë myslimane, mbulesa e kokës është shenjë e devotshmërisë para Zotit dhe modestisë para burrave jashtë familjeve të tyre. Irani dhe Afganistani, fqinj i kontrolluar nga talebanët, janë të vetmet vende ku hixhabi mbetet i detyrueshëm për gratë. Para se të shpërthenin protestat në shtator, ishte e rrallë të shihje gra pa shami. Sot në Teheran sheh shumë të tilla. Ky është mesazh përtej shamisë

Billbordet në të gjithë kryeqytetin e Iranit shfaqin se gratë duhet të mbajnë shamitë e tyre për t’i nderuar nënat e tyre. Por ndoshta për herë të parë që nga ditët kaotike që pasuan Revolucionin Islamik të Iranit të vitit 1979, më shumë gra – të reja dhe të vjetra – vendosin të mos e bëjnë këtë.

Një sfidë e tillë e hapur vjen pas muajsh protestash mbi vdekjen e shtatorit të 22-vjeçares Mahsa Aminit, në paraburgimin e Policisë morale të vendit, për shkak se e mbante hixhabin e saj shumë lirshëm. Ndërsa demonstratat duket se janë zbehur, zgjedhja e disa grave për të mos i mbuluar flokët në publik paraqet një sfidë të re për teokracinë e vendit. Kundërshtimi i grave gjithashtu nxjerr në pah përçarjet në Iran që ishin mbuluar për dekada.

Autoritetet kanë bërë kërcënime ligjore dhe kanë mbyllur disa biznese që u shërbejnë grave që nuk mbajnë hixhab. Policia dhe vullnetarët lëshojnë paralajmërime verbale në metro, aeroporte dhe vende të tjera publike. Mesazhet me tekst kanë shënjestruar shoferët që vozisnin femra që nuk mbulonin kokën në automjetet e tyre.

Heshtja para stuhisë?

Megjithatë, analistët në Iran paralajmërojnë se Qeveria mund të ringjallë mospajtimin nëse bën shumë presion. Protestat shpërthyen në një kohë të vështirë për Republikën Islamike, e cila aktualisht po lufton me vështirësitë ekonomike të shkaktuara nga ngecja e saj me Perëndimin për programin e saj bërthamor që po përparon me shpejtësi.

Edhe Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit Botë 5 d. më parë Herati nën kontroll: Si talebanët po i japin fund qytetit më kozmopolit të Afganistanit

Disa gra thanë se iu kishte ardhur në majë të hundës - pa marrë parasysh pasojat. Ato thonë se po luftojnë për më shumë liri në Iran dhe një të ardhme më të mirë për vajzat e tyre.

Disa sugjeruan se numri në rritje i grave që bashkohen me radhët e tyre mund ta bëjë më të vështirë për autoritetet që të tërhiqen.

“A duan të mbyllin të gjitha bizneset?” - tha Shervin, një studente 23-vjeçare, flokët e shkurtër të së cilës valëviten nga era së fundmi në Teheran. "Nëse shkoj në një stacion policie, a do ta mbyllin edhe atë?"

Megjithatë, ato shqetësohen për rrezikun. Gratë e intervistuara dhanë vetëm emrat e tyre, nga frika e pasojave.

Vida, 29 vjeçe, tha se vendimi i saj dhe dy mikeshave për të mos i mbuluar më flokët në publik ka të bëjë me më shumë se vetëm me shaminë.

“Ky është një mesazh për Qeverinë, na lini të qetë”, tha ajo.

Irani dhe Afganistani, fqinj i kontrolluar nga talebanët, janë të vetmet vende ku hixhabi mbetet i detyrueshëm për gratë. Para se të shpërthenin protestat në shtator, ishte e rrallë të shihje gra pa shami, megjithëse disa, herë pas here e linin hixhabin të binte mbi supe. Sot, është rutinë në disa zona të Teheranit të shohësh gra pa shami.

 Si në Perëndim

Për gratë myslimane, mbulesa e kokës është shenjë e devotshmërisë para Zotit dhe modestisë para burrave jashtë familjeve të tyre. Në Iran, hixhabi - dhe çadori i zi gjithëpërfshirës i veshur nga disa - ka qenë prej kohësh gjithashtu një simbol politik.

Sundimtari i Iranit, Reza Shah Pahlavi, në vitin 1936 e ndaloi hixhabin si pjesë e përpjekjeve të tij për të pasqyruar Perëndimin. Ndalimi përfundoi pesë vjet më vonë kur djali i tij, Shah Mohammad Reza Pahlavi, mori detyrën. Megjithatë, shumë gra iraniane të shtresës së mesme dhe të lartë zgjodhën të mos e mbanin hixhabin.

Deri në Revolucionin Islamik të vitit 1979, disa nga gratë që ndihmuan në përmbysjen e Shahut përqafuan çadorin, një mantel që mbulon trupin nga koka te këmbët, përveç fytyrës. Imazhet e grave të armatosura të mbuluara me rroba të zeza u bënë një pamje e njohur për amerikanët gjatë marrjes së ambasadës së SHBA-së dhe krizës së pengjeve më vonë atë vit. Por gra të tjera protestuan kundër një vendimi të ajetollahut të madh, Ruhollah Khomeini, që urdhëronte që hixhabi të mbahej në publik. Në vitin 1983, ai u bë ligj, i zbatuar me dënime, duke përfshirë gjoba dhe dy muaj burg.

Dyzet vjet më vonë, në Teheranin qendror dhe verior mund të shohësh gra çdo ditë pa shami. Ndërsa në fillim Qeveria e Iranit shmangu një konfrontim të drejtpërdrejtë për këtë çështje, ajo ka përkulur gjithnjë e më shumë fuqitë e shtetit javët e fundit në një përpjekje për të frenuar praktikën.

Në fillim të prillit, lideri suprem i Iranit, ajetollahu Ali Khamenei, deklaroi se "heqja e hixhabit nuk është e lejueshme as politikisht e as me fenë islame".

Khamenei pretendoi se gratë që refuzojnë të mbajnë hixhabin janë duke u manipuluar. “Ato nuk janë në dijeni se kush qëndron pas kësaj politike të heqjes dhe luftimit të hixhabit”, tha Khamenei. “Spiunët e armikut dhe agjencitë e spiunazhit të armikut po e ndjekin këtë çështje. Nëse ato do ta dinin për këtë, ato definitivisht nuk do të merrnin pjesë në këtë”.

Edhe Gratë pa shami në krah të regjimit, nacionalizmi i ri që po ndërton Irani Botë 3 j. më parë Gratë pa shami në krah të regjimit, nacionalizmi i ri që po ndërton Irani

"Është një ndëshkim kolektiv"

Mediat e linjës së ashpër filluan të publikojnë detaje të situatave "imorale" në qendrat tregtare, duke shfaqur gratë pa hixhab. Më 25 prill, autoritetet mbyllën qendrën tregtare 23-katëshe, Opal, në Teheranin verior për disa ditë pasi gratë me flokët e tyre të shfaqura u panë duke kaluar kohë së bashku me burrat.

"Është një ndëshkim kolektiv", tha Nodding Kasra, një shitës 32-vjeçar në një dyqan veshjesh në qendër. “Ata mbyllën një qendër tregtare me qindra punëtorë për flokët e disa klientëve?”

Policia ka mbyllur mbi 2 mijë biznese në të gjithë vendin për shkak të pranimit të grave që nuk mbajnë hixhab, duke përfshirë dyqane, restorante dhe madje edhe farmaci, sipas gazetës reformiste Shargh.

“Kjo është një lojëe humbjes së dyfishtë për bizneset. Nëse ata paralajmërojnë (gratë) për mosmbajtjen e hixhabit sipas urdhrave të autoriteteve, njerëzit do t'i bojkotojnë ato", tha Mohsen Jalalpour, ish-zëvendëskryetar i Dhomës së Tregtisë të Iranit. "Nëse ata refuzojnë të respektojnë rregullat, Qeveria do t'i mbyllë ato".

Bijan Ashtari, i cili shkruan për politikën iraniane, paralajmëroi se pronarët e bizneseve që kishin qëndruar të heshtur gjatë protestave të frymëzuara nga Mahsa Amini, tani mund të ngrihen.

Ndërkohë, zyrat qeveritare nuk ofrojnë më shërbime për gratë që nuk mbulojnë flokët e tyre. Kreu i Federatës së atletikës së vendit, Hashem Siami, dha dorëheqjen këtë fundjavë pasi disa pjesëmarrëse në një gjysmëmaratonë vetëm për femra në qytetin e Shirazit garuan pa hixhab.

Ka shenja se goditja mund të përshkallëzohet.

Disa klerikë kanë nxitur dislokimin e ushtarëve, si dhe forcën tërësisht vullnetare Basij të Gardës Revolucionare paraushtarake të Iranit, për ta zbatuar Ligjin e hixhabit. Garda raportohet se kapi një varkë iraniane peshkimi të hënën, pasi mbante gra që nuk mbanin hixhab pranë ishullit Hormuz, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve “Fars”.

Përgjimi me inteligjencë artificiale

Policia thotë gjithashtu se kamerat e vëzhgimit me "inteligjencë artificiale" do të gjejnë gratë që nuk mbajnë mbulesë të kokës. Një video e shpërndarë nga mediat iraniane sugjeroi se pamjet e vëzhgimit do të përputheshin me fotografitë e identitetit, megjithëse është e paqartë nëse një sistem i tillë është aktualisht funksional.

“Lufta për hixhabin do të mbetet në qendër të vëmendjes nëse Qeveria nuk arrin një mirëkuptim me fuqitë botërore mbi marrëveshjen bërthamore dhe lehtësimin e sanksioneve”, tha analisti politik me qendër në Teheran, Ahmad Zeidabadi.

“Por diplomacia ka ngecur dhe protestat antiqeveritare mund të zgjerohen”, tha ai. Hixhabi “do të jetë çështja kryesore dhe lufta nuk do të jetë vetëm për shami”.

Edhe Armë në televizion dhe në rrugët e Iranit ndërsa Trumpi ripërtërin kërcënimet për luftë Botë 2 muaj më parë Armë në televizion dhe në rrugët e Iranit ndërsa Trumpi ripërtërin kërcënimet për luftë

Sorayya, 33 vjeçe, tha se tashmë po lufton për një qëllim më të gjerë duke dalë në publik pa shami.

"Unë nuk dua që vajza ime të jetë nën të njëjtat presione ideologjike që kam përjetuar unë dhe brezi im", tha ajo, ndërsa çonte vajzën e saj 7-vjeçare në një shkollë fillore në qendër të Teheranit. “Kjo po bëhet për një të ardhme më të mirë për vajzën time”. (Përktheu: Forca Jashari)