Kur presidenti amerikan Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin, të ulen për bisedime për pak orë, liderët do të përballen me masa të jashtëzakonshme të sigurisë që synojnë t’i mbrojnë nga kërcënimet fizike, por edhe spiunazhit prej palës tjetër, sipas burimeve të sigurisë që kanë folur për CNN-in.
Agjentët federalë dhe ushtarakë amerikanë janë përgjegjës për sigurinë në ngjarjen në Anchorage të Alaskës. Por agjencia e shërbimit sekret amerikan ka punuar me ekipin e afërt të Putinit për sigurinë e tij, ka thënë ky burim.
Sot një aeroplan “Boeing E-3C” është aktivizuar. Ai ka për detyrë të mbikëqyrë zonën. Dhe me radarin e tij mund të zbulojë kërcënime, përfshirë ato nga aeroplanët apo raketat.
Rreziku nga spiunazhi: Përderisa zyrtarët amerikanë dhe rusë të sigurisë po punojnë bashkë për t’i ruajtur Trumpin e Putinin nga sulmet fizike, një operacion më pak diplomatik po zhvillohet në prapavijë: mbrojtja nga spiunazhi.
“Nuk ka aspak besim në mes të shërbimeve të inteligjencës”, ka thënë një zyrtar që ka marrë pjesë në operimet e sigurisë për takimet e mëhershme të ngjashme.
Inteligjenca amerikane është kujdesur që të ketë masa shtesë për mbrojtje nga përgjimi pasi “delegacioni i Putinit ka gjasa të marrë me vete telefona e kompjuterë të rrezikshëm”.
E Putini i njeh taktikat më mirë se shumë të tjerë. Dikur ka qenë vetë zyrtar i inteligjencës në KGB.
