Botë

Rreziku nga Rusia, Lituania do t’i mësojë fëmijët për përdorimin e dronëve

Dron

Foto: Associated Press

Fëmijët në Lituani do të mësohen si t’i ndërtojnë dhe t’i drejtojnë dronët, si pjesë e përpjekjeve të shtetit baltik për të ndërtuar kapacitete që i adresojnë kërcënimet e ardhshme të Rusisë, ka shkruar The Guardian.

Në kuadër të nismës së përbashkët mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Arsimit, zyrtarët e Qeverisë kanë thënë të martën se synojnë t’ia mësojnë rreth 22,000 persona, aftësitë sesi të manovrohen dronët, si pjesë e përpjekjeve “për t’i zgjeruar trajnimet për rezistencën civile”.

Programi do të adaptohet për grupmosha të ndryshme, duke përfshirë fëmijë të moshave 8 dhe 10-vjeç që do të mësojnë sesi të ndërtojnë dhe operojnë me dronët e tipit më të thjeshtë. E nxënësit e shkollave të mesme do të dizajnojnë dhe prodhojnë pjesë të dronëve, si dhe do të mësojnë që të ndërtojnë dhe drejtojnë dronë të avancuar.

Sikurse fqinjët e saj Estonia dhe Letonia, Lituania, shtet me 2.8 milionë banorë i cili kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe aleatin e Moskës zyrtare, Bjellorusinë, ka qenë gjithnjë e më shumë e alarmuar për luftë që prej pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Perceptimi mbi rrezikun që Rusia paraqet për shtetet baltike është nënvizuar edhe të mërkurën, si rezultat i dëbimit të një diplomati rus nga Estonia. Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, ka bërë të ditur se vendimi është ndërmarrë për shkak të “ndërhyrjeve të vazhdueshme” të Rusisë në çështjet e brendshme.