Botë

Rreziku nga “Molecule”, pilula për humbje peshe që po përdoret gjerësisht në Rusi

Maria

Në fillim të vitit, një pilulë e quajtur “Molecule” u bë virale në rrjetet sociale, sidomos në TikTokun rus, duke u promovuar si një mënyrë e shpejtë për të humbur peshë. Pas famës, doli se pas saj fshihej një substancë e rrezikshme – sibutramina, e ndaluar në shumë vende për shkak të efekteve serioze në zemër dhe tru. Dhjetëra të rinj përjetuan pasoja të rënda shëndetësore, madje disa përfunduan në spital. Me gjithë paralajmërimet dhe ndalimet, “Molecule” vazhdon të qarkullojë online nën emra e etiketa të rreme.

Në fillim të këtij viti, pilula me emrin “Molecule” u bë shumë e famshme në rrjetet sociale, veçanërisht në TikTokun rus, ku fitoi një popullaritet të madh mes të rinjve dhe adoleshentëve. Brenda pak javësh, videot me mbishkrime si “Merr ‘Molecule’ dhe harro që ekziston ushqimi”, u përhapën me shpejtësi nëpër profilet e tyre. Pamjet tregonin frigoriferë të mbushur me kuti blu me holograme që shkëlqenin, me etiketa ku lexohej “Molecule Plus”, duke krijuar përshtypjen e një produkti modern dhe të sigurt. Këto video u bënë virale dhe nxitën shumë të rinj të porosisnin pilulën, duke filluar të ndanin edhe historitë e tyre për humbje peshe në rrjete sociale.

Por pas gjithë këtij entuziazmi, fshihej një e vërtetë e rrezikshme. 

Maria, një vajzë 22-vjeçare nga Shën Petersburgu, vendosi ta provonte pilulën e famshme pasi e kishte parë kudo në internet. 

Ajo e bleu online, nga një faqe e njohur, dhe filloi ta merrte rregullisht, dy herë në ditë. Pas dy javësh përdorimi, ajo vuri re se diçka nuk ishte normale. Goja i thahej krejtësisht, kishte humbur dëshirën për të ngrënë dhe as që ndiente nevojë për të pirë ujë. “Nuk kisha më asnjë dëshirë për të ngrënë, madje as për të pirë. Ndihesha e tensionuar, e pasigurt, nervoze. Fillova të kafshoja buzët dhe faqet pa e kuptuar”, tregon ajo.

Pasojat e përdorimit

Pas disa ditësh, Maria filloi të përjetonte gjendje ankthi, nervozizëm të vazhdueshëm dhe mendime negative. Ajo thotë se këto pilula po e ndikonin në mënyrë të frikshme, jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. “Këto ilaçe po ndikonin në psikikën time. Nuk isha më e qetë, çdo gjë më dukej e errët”, kujton ajo. Maria nuk kishte menduar se efektet anësore mund të ishin kaq të forta.

Në rrjete sociale, edhe përdorues të tjerë nisën të flasin për simptoma të ngjashme. Shumë prej tyre raportuan zgjerim të bebëzave të syve, dridhje të duarve, pagjumësi dhe mungesë të plotë oreksi. Disa raste përfunduan më keq - të paktën tre fëmijë u dërguan në spital pas përdorimit të pilulës. Në prill, një vajzë e re nga qyteti Çita, në Siberi, u shtrua në spital pasi kishte marrë një dozë të madhe të Molecule-s, duke shpresuar të humbiste peshë përpara verës. Në një rast tjetër, nëna e një vajze tregoi për mediat se vajza e saj kishte përfunduar në terapi intensive, sepse kishte marrë disa pilula njëherësh. Në maj, një djalë 13-vjeçar nga Shën Petersburgu u dërgua në spital pasi përjetoi halucinacione dhe sulme paniku. Më vonë doli se ai kishte kërkuar nga një shok ta blinte ilaçin, pasi shokët e klasës e tallnin për peshën e tij.

Në paketimin e Molecule-s, prodhuesit shpesh listonin përbërës “natyralë” si rrënjë luleshqerreje apo ekstrakt farash kopër. Megjithatë, gazetarët e gazetës ruse Izvestiya vendosën të analizojnë disa nga këto pilula dhe zbulimi ishte i frikshëm. 

Analizat laboratorike treguan se pilulat përmbanin një substancë të quajtur sibutraminë. Kjo është një substancë që dikur përdorej si antidepresant dhe më vonë si ilaç për uljen e oreksit, por që studimet e mëvonshme treguan se rrit ndjeshëm rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru, ndërkohë që humbja në peshë ishte minimale. Për shkak të këtyre efekteve, ajo u ndalua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010 dhe është gjithashtu e ndaluar në Britaninë e Madhe, në Bashkimin Evropian, në Kinë dhe në shumë vende të tjera.

Në Rusi, sibutramina ende përdoret për trajtimin e obezitetit, por vetëm me recetë mjekësore dhe vetëm për të rriturit. Shitja ose blerja e saj pa recetë është e paligjshme dhe konsiderohet shkelje penale. Megjithatë, kjo nuk i ka ndalur shitësit e pavarur apo dyqanet e vogla online që ta ofrojnë lirshëm në internet. Në shumë raste, këto pilula përmbajnë doza shumë më të larta sesa ato që janë të lejuara në ilaçet zyrtare. Çmimi i ulët është gjithashtu një arsye pse shumë të rinj e blejnë: rreth 6 deri në 7 funte, pra afro 8 deri në 9 dollarë, për një furnizim 20-ditor. Kjo është shumë më pak se trajtime të tjera si injeksionet e njohura për humbje peshe, si Ozempic, që në tregun rus kushtojnë nga 40 deri në 160 funte për një muaj.

Sipas endokrinologes Ksenia Solovieva nga Shën Petersburgu, marrja e këtij ilaçi është shumë e rrezikshme. Ajo shpjegon se nuk dihet saktësisht sa përbërës aktiv mund të ketë secila pilulë, pasi këto produkte nuk kontrollohen nga autoritetet shëndetësore. “Rreziku i mbidozës është i lartë, sepse askush nuk e di sasinë e saktë të substancës që ato përmbajnë,” paralajmëron ajo.
Në Rusi, disa persona janë dënuar me burg për blerjen dhe shitjen e këtyre pilulave, por autoritetet e kanë të vështirë të ndalojnë përhapjen e tyre në internet. Në prill, organizata Safe Internet League, e mbështetur nga qeveria, njoftoi autoritetet për rritjen e fenomenit dhe disa platforma të mëdha online hoqën Molecule nga shitja. Megjithatë, shumë shpejt ajo u rikthye në treg me një emër të ri, “Atom”, me paketim pothuaj identik.

Pilulë që s’i dihet origjina

Së fundmi, në Rusi është miratuar një ligj që u lejon autoriteteve të bllokojnë faqet që shesin suplemente të paregjistruara pa pasur nevojë për vendim gjykate, por tregtarët kanë gjetur mënyra për ta anashkaluar këtë, duke i prezantuar produktet si “ushqim sportiv” apo “suplemente proteinash”. Në TikTok, disa shitës i fshehin pilulat nën etiketa mashtruese si drithëra mëngjesi, biskota apo edhe llamba ndriçimi. Të tjerë nuk mundohen as ta fshehin më - i shesin hapur.

Para pak javësh, gazetarët e BBC-së arritën të gjenin sërish Molecule në një prej platformave më të njohura të tregtisë elektronike në Rusi. Kur kontaktuan me faqen, kompania deklaroi se kishte hequr menjëherë çdo produkt që përmbante sibutraminë, por pranoi se është shumë e vështirë të identifikohen listimet që nuk e përmendin substancën hapur në përshkrim.

Në fund të fundit, edhe nëse dikush arrin ta blejë Molecule, askush nuk mund të dijë me siguri se çfarë përmbajnë këto pilula apo ku prodhohen. Mbetet e paqartë nëse ato janë prodhuar në mënyrë farmaceutike apo në kushte të paligjshme, pa standarde të sigurisë. 

BBC-ja zbuloi disa shitës që kishin certifikata prodhimi nga fabrika në Guangzhou dhe Henan, në Kinë. Të tjerë pretendonin se i siguronin pilulat nga Gjermania.

Në disa paketime shkruhej se ato ishin prodhuar në Remagen, Gjermani - por BBC-ja zbuloi se në adresën e dhënë nuk ekziston asnjë kompani e tillë.

Disa tregtarë kazakë që shesin “Molecule” për tregun rus i thanë BBC-së se e kishin blerë produktin nga miq ose magazina në kryeqytetin Astana, por nuk mund të tregonin se kush ishte furnizuesi fillestar.

Ndërkohë, komunitetet online të personave me çrregullime të të ngrënit janë shndërruar në hapësira ku “Molecule” promovohet gjerësisht. Ata përdorin hashtagë dhe fjalë të koduara për të shmangur kontrollin dhe bllokimin nga platformat.

Zonja Solovieva thotë se “Molecule” është veçanërisht e dëmshme për të rinjtë që tashmë vuajnë nga çrregullimet e të ngrënit. 

E Anna Enina, një influencuese ruse me miliona ndjekës, e cila më parë ka pranuar se ka përdorur pilula të paregjistruara për humbje peshe, paralajmëroi publikisht ndjekësit e saj:

“Si dikush që ka luftuar me një çrregullim të të ngrënit… pasojat do të jenë të tmerrshme. Do të pendoheni dhjetëfish”.

Maria, një vajzë 22-vjeçare, pësoi efekte të rënda anësore dhe është një prej atyre që tani pendohet. Pasi mori shumë pilula “Molecule”, ajo përfundoi në spital.

Tani, në forumet për humbje peshe, ajo përpiqet t’i inkurajojë vajzat dhe gratë e tjera të reja që të mos i përdorin këto pilula. Madje, ajo kontaktoi prindërit e një adoleshenteje për t’i paralajmëruar.

Megjithatë, “Molecule” mbetet ende shumë e përhapur online.

Dhe çdo video që i shfaqet Marias në rrjetin TikTok është një kujtesë e pilulave, si pasojë e të cilave u sëmurë.