Ukraina vlerëson se rreth 200.000 nga ushtarët e saj janë larguar nga detyra pa leje zyrtare (AWOL), që do të thotë se kanë braktisur pozicionet e tyre pa autorizim, ka bërë të ditur të mërkurën ministri i ri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov.
Duke folur në parlamentin ukrainas përpara votimit që e konfirmoi si shefin e ri të Mbrojtjes, Fedorov ka thënë gjithashtu se rreth 2 milionë ukrainas janë “në kërkim” për shmangie të shërbimit ushtarak.
Ushtria ukrainase ka qenë nën presion për vite me radhë, teksa përpiqet të mbrojë vendin kundër një armiku shumë më të madh dhe më të fuqishëm. Kushtet përgjatë vijës së frontit kanë qenë brutale, pasi trupat e Kievit shpesh përpiqen të mbajnë pozicione kyç edhe kur gjenden të tejkaluar si në numër, ashtu edhe në armatim.
Prej kohësh kanë qarkulluar thashetheme për moral të ulët dhe shkallë të lartë dezertimi, por komentet e Fedorovit shënojnë herën e parë që ndonjë zyrtar ukrainas ka zbuluar shkallën e këtij problemi.
Sipas ligjit ukrainas, të gjithë meshkujt nga 18 deri në 60 vjeç janë të detyruar të regjistrohen në ushtri dhe të mbajnë gjithmonë me vete dokumentet përkatëse, megjithëse vetëm ata nga 25 deri në 60 vjeç i nënshtrohen mobilizimit.
Gjendja e jashtëzakonshme (ligji ushtarak) në Ukrainë u ndalon të gjithë meshkujve nga 23 deri në 60 vjeç që janë të kualifikuar për shërbim ushtarak të largohen nga vendi, por dhjetëra mijëra kanë ikur ilegalisht.
Pas takimit me Fedorovin të mërkurën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nevojiten “ndryshime më të gjera” në procesin e mobilizimit të vendit.
Fedorov është personi më i ri ndonjëherë që ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes së Ukrainës. Ai do të mbushë 35 vjeç javën e ardhshme, teksa zëvendëson Denys Shmyhalin, i cili u bë zëvendëskryeministri i parë i Ukrainës dhe ministër i Energjisë.
Fedorovi më parë ka shërbyer si zëvendëskryeministër dhe ministër i Transformimit Dixhital të Ukrainës, një rol në të cilin ai mbikëqyri, ndër të tjera, projektin e suksesshëm të luftës me dronë të Ukrainës.