Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rreth 2 milionë australianë shkarkojnë aplikacionin e gjurmimit të koronavirusit

Foto: Reuters

Rreth 2 milionë australianë nxituan të shkarkojnë një aplikacion, të krijuar për të ndihmuar punonjësit e shëndetësisë dhe shërbyesit civilë, që të gjurmojnë kontaktet e pacientëve me CoVID-19, pasi që kryeministri i Australisë, Scott Morrison është shprehur në favor të tijin.

Australia ka qenë një ndër shtetet më të suksesshme në betejën kundër koronavirusit, duke pasur vetëm 83 vdekje dhe 6.700 raste. Këta numra relativisht të ulët janë si pasojë e mbylljes së kufijve, kufizimeve të lëvizjes dhe qëndrimit në shtëpi. Numri i të infektuarve në bazë ditore është ulur në më pak se 1 për qind, krahasuar me rritjen prej 25 për qind gjatë marsit.

Disa shtete australiane kanë filluar me zbutjen e masave, derisa Australia në tërësi do ta fillojë së shpejti testimin e njerëzve, pa marrë parasysh se a kanë simptoma apo jo. Përparësi në fillim do t’u jepet të rinjve dhe punonjësve të shëndetësisë.

Ministri australian i Shëndetësisë Greg Hunt, ka thënë se 1.89 milionë australianë kanë shkarkuar aplikacionin ‘’CovidSafe’’. Dy milionë shkarkime kanë ndodhur vetëm pas 16 orë të lansimit të aplikacionit.

‘’Kjo përpjekje do të ndihmojë të mbrojmë veten, familjet tona, mjekët dhe infermieret tona’’ ka thënë Hunt përmes një cicërime në Twitter, raporton Reuters, transmeton KOHA.
Morrison ka thënë se të paktën 40 për qind e popullatës do të duhet ta shkarkojë aplikacionin.