Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Rrëmbimi” bjellorus që hap një kaptinë të re për autokratët

Kapja e një disidenti nga bordi i një aeroplani me flamur të Bashkimit Evropian që fluturonte prej një vendi anëtar të BE-së në një tjetër vend anëtar, përbën rastin e hapjes së një dere skajshmërisht të rrezikshme

Nëntë muaj pasi që Bjellorusia e tij e lindjes shpërtheu në protesta sherri i zgjedhjeve të manipuluara presidenciale, 26-vjeçari Roman Protasevich veçse i kishte nisur pushimet në Greqi bashkë me të dashurën e tij. Djaloshi është themelues dhe ish-redaktor i kanalit Nexta në aplikacionin e mesazheve të enkriptuara Telegram, i cili ka luajtur rol vendimtar në koordinimin e protestave të vjeshtës së shkuar, që nxorën me qindra mijëra persona nëpër rrugë.

Meqë kishte jetuar në ekzil në Lituani qysh nga 2019-a, sikurse puna e shumë gazetarëve bjellorusë, ai ishte mësuar me ngacmimet e shërbimeve nam-zeza të sigurisë së vendit. Ama të dielën, teksa po bëhej gati të ngjitej në bordin e aeroplanit që do ta shpinte nga Athina drejt Vilniusit, ai u shkroi kolegëve se po ndiqej nga disa burra që po e shikonin në mënyrë të dyshimtë dhe të cilët kishin provuar t’ia fotografonin pasaportën teksa po hynte në aeroport.

“Kemi marrë kërcënime për vdekje të paktën dhjetëra herë në ditë, andaj pak a shumë jemi të mësuar me të këtilla gjëra”, ka thënë për Foreign Policy, Tadeusz Giczan, kryeredaktor i Nextas.

Kësisoj, revista politike amerikane e përshkruan nisjen e sagës së rrëmbimit të një aeroplani civil nga ana e Bjellorusisë për kapjen dramatike të gazetarit disident dhe kritik të atij që njihet botërisht si diktatori i fundit i Evropës. Rasti ka prodhuar zemërimin e Perëndimit, sanksionet e reja të Bashkimit Evropian ndaj Bjellorusisë, si dhe izolimin e qiejve bjellorus si kundërpërgjigje.

Test për BE-në

Edhe Diktatorin bjellorus s’ka kush ta ndalë Botë Diktatorin bjellorus s’ka kush ta ndalë
Image

Teksa aeroplani e nisi fluturimin drejt veriut nëpërmes hapësirës ajrore bjelloruse, autoritetet në vend kanë alarmuar për një kërcënim të rremë me bombë dhe kanë angazhuar një aeroplan luftarak për ta devijuar fluturaken e “Ryanairit” drejt kryeqytetit bjellorus, Minsk. Ky, sipas analizës së FP-së, ishte një sulm tipik i piraterisë ajrore për arrestimin e Protasevichit, i cili ishte përfshirë në listën shtetërore të terrorizmit vitin e shkuar shkaku i aktiviteteve të tij opozitare dhe i cili tani mund të përballet me dënimin me vdekje, po qe se dënohet për krime të terrorizmit.

“Nuk na ka shkuar kurrë mendja se diçka e tillë faktikisht mund të ndodhte. Doli se e kishim gabim”, ka thënë Giczan për Foreign Policy.

“Vendimi i pacipë për ta kapur një gazetar jashtë qiejve të vet, shumë shpejt është dënuar nga SHBA-ja dhe zyrtarët evropianë si ‘rrëmbim’ dhe akt i piraterisë ajrore që ka rrënuar normat ndërkombëtare. Shumica tani druajnë se, në mungesë të një përgjigjeje të shpejtë, rasti do të shërbejë si precedent i rrezikshëm për shtetet autoritare që nëpërmjet linjave ajrore t’i ndjekin kundërshtarët e tyre”, ka shkruar gazeta në analizën e saj të hollësishme për rastin.

Të tjerët, ndërkaq, e shohin këtë si një test për ngritjen apo jo të Bashkimit Evropian karshi rrezikimit të sigurisë së qytetarëve të tij.

“Çfarë ndodhi dje është edhe më serioze se sa që e përshkruani”, ka thënë Nathalia Loiseau, një anëtare e Parlamentit Evropian dhe ish-ministre franceze për çështjet evropiane, duke iu përgjigjur një postimi në Twitter të kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel. “Është testi më i madh për aftësinë e BE-së që të respektohet. Ju lutem, sigurohuni që liderët e BE-së të mos dështojnë kësaj radhe”, ka shtuar ajo.

Shefi i Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, senatori Robert Menendez, ka lëshuar një deklaratë të përbashkët me ligjvënësit e lartë evropianë, duke bërë thirrje për reprezalje të menjëhershme, përfshirë sanksionet e reja ndaj regjimit të presidentit bjellorus, Alexandr Lukashenko, ndalimin e vendit nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil dhe “ndalimin e të gjitha fluturimeve mbi qiellin bjellorus, edhe atyre nga dhe në vend”.

“Ky akt i terrorizmit shtetëror dhe kidnapimit, është kërcënim për të gjithë ata që fluturojnë në BE dhe gjetkë”, ka shkruar Menendez, në deklaratën e përbashkët me homologët nga Republika Çeke, Lituania, Gjermania, Letonia, Irlanda, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Aviokompanitë “Wizz Air”, “AirBaltic”, “Scandinavian Airlines” dhe të tjera qysh të hënën kanë njoftuar për shmangien e hapësirës ajrore bjelloruse.

“Luftë politike në qiej”

Image

Gjatë së hënës, mediat pro-qeveritare në Bjellorusi publikuan atë që dukej të ishte një video e Protasevichit me fjalim të shkruar, në të cilin ai pranon se i kishte planifikuar trazirat në Minsk dhe pretendon se nuk ishte keqtrajtuar nga policia. Por, familja dhe kolegët e tij druajnë se ai është torturuar në burg.

Edhe Lukashenko akuzon gazetarin e kapur për “rebelim të përgjakshëm” Botë Lukashenko akuzon gazetarin e kapur për “rebelim të përgjakshëm”

Foreign Policy shkruan se protestat masive rrugore që shpërthyen përreth vendit si kundërpërgjigje ndaj zgjedhjeve të manipuluara të gushtit të shkuar, ishin përballur me dhunën e policisë dhe shërbimeve të sigurisë. Rreth 35 mijë persona janë arrestuar që atëherë, teksa është raportuar mbi rrahjet dhe torturat sistematike nëpër burgjet e vendit. Pothuajse 400 të burgosur politikë janë aktualisht prapa grilave.

Gazetarët dhe aktivistët opozitarë janë larguar masivisht nga Bjellorusia. Sikurse Protasevichi, shumica janë vendosur në kryeqytetin e Lituanisë fqinje, por edhe në Kiev të Ukrainës e Varshavë të Polonisë, të cilat tani po ndihen të rrezikuara afër kufijve të Bjellorusisë.

“Askush nuk mund të ndihet i sigurt”, ka thënë Franak Viacorka, zëdhënës për Marrëdhënie me Jashtë i lideres opozitare bjelloruse, Svetlana Tikhanovskaya, e cila tani jeton në Vilnius. Duke folur për FP-në, Viacorka ka thënë se Tikhanovskaya, sigurinë e së cilës e mbulon tani Qeveria lituaneze, është paralajmëruar se Bjellorusia mund ta provojë taktikën e uljes së aeroplanit për kapjen e saj, porse kjo ishte konsideruar si një mundësi e largët. “Askush nuk besonte se hapësira ajrore mund të bëhet vend për këtë luftë politike”, ka thënë ai.

Vendimi i paskrupullt i uljes së avionit civil në ndjekje të një disidenti, mund të jetë i pashembullt, por përndjekja tejterritoriale e Bjellorusisë ndaj një kundërshtari, nuk është. Një raport i publikuar nga “Freedom House” në fillim të vitit, ka dokumentuar 608 instanca të personave të shënjestruar fizikisht nga shtetet autoritare jashtë territoreve të tyre që nga viti 2014. Në këtë mes numërohen instancat e vrasjeve, kidnapimeve, sulmeve, burgosjeve dhe deportimeve të paligjshme.

Sipas Foreign Policy, 58 për qind e rasteve të dokumentuara në raport përfshijnë akuzat e rreme të terrorizmit - si në rastin e rrëmbimit të së dielës - teksa shtetet autoritare synojnë që t’i mbulojnë shtypjet me petkun e sigurisë kombëtare.

“Në diplomaci, gjithkush gjithmonë e shikon dikë tjetër. Dhe, perceptimet e të tjerëve formësohen bazuar në atë se si një shtet apo grup shtetesh i trajtojnë të tjerët”, ka thënë Nigel Gould-Davies, ish-ambasador britanik në Bjellorusi.

Qysh nga nisja e protestave në gushtin e shkuar, Qeveria bjelloruse ka zhvilluar një luftë të vrullshme dhe brutale frikësimit ndaj qytetarëve të saj, duke arrestuar njerëz thjesht për valimin e flamujve kuq e bardh që asociojnë me opozitën apo edhe për bartjen e çorapeve me të këtilla ngjyra. Por, jo vetëm kaq.

Javën e shkuar, ueb-faqja e lajmeve më popullore e vendit, Tut.by, e cila nuk ishte nën kontrollin e shtetit, është mbyllur. Më vonë gjatë javës u bë e ditur se aktivisti opozitar, Vitold Ashurak, ka vdekur nën rrethana të pasqaruara në burg, ku po e kryente dënimin me pesë vjet heqje lirie për pjesëmarrje në protestat antiqeveritare.

Vëmendja ndërkombëtare për krizën ka nisur të zbehet dhe demonstratat janë ndalur, teksa autoritetet kanë zbatuar një mjet ndëshkimi për protestuesit. Por, vendimi i së dielës për ta ndjekur një avion civil me aeroplan luftarak premton që ta vërë Bjellorusinë sërish në krye të agjendës së Evropës.

Edhe Drojë për torturimin e gazetarit në Bjellorusinë e izoluar nga BE-ja Botë Drojë për torturimin e gazetarit në Bjellorusinë e izoluar nga BE-ja

“Ajo çfarë Lukashenko bëri nuk ka kurrfarë kuptimi, thënë sinqerisht. Aktivitetet në rrugë aty janë në pikën më të ulët që prej një viti, tanimë”, ka thënë Giczan në intervistën për Foreign Policy. \ Analizë e Foreign Policy Magazine

Përktheu: Nita Lleshi