Një gazetare amerikane është rrëmbyer të martën në Bagdad dhe forcat irakiane të sigurisë po ndjekin rrëmbyesit e saj, kanë thënë zyrtarët irakianë. Ajo është identifikuar si gazetarja e pavarur Shelly Kittleson, nga një prej mediave për të cilat ajo punonte.
Një zyrtar amerikan ka fajësuar për grabitjen milicinë irakiane Kataib Hezbollah të mbështetur nga Irani.
Ministria e Brendshme irakiane ka konfirmuar se një gazetare e huaj ishte rrëmbyer, por nuk ka dhënë më shumë detaje. Dy zyrtarë irakianë të sigurisë, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti kanë thënë se gazetarja e rrëmbyer është një grua dhe një shtetase amerikane.
Ata kanë thënë se dy vetura ishin të përfshira në rrëmbim, njëra prej të cilave ishte përplasur ndërsa ndiqej pranë qytetit Al-Haswa në provincën Babil në jugperëndim të Bagdadit. Gazetarja u transferua më pas në një veturë të dytë që iku nga vendi i ngjarjes.
Ministria e Brendshme ka thënë se forcat e sigurisë kanë nisur një operacion për të gjurmuar rrëmbyesit dhe kishin kapur një automjet që i përkiste rrëmbyesve, i cili u përmbys ndërsa ata përpiqeshin të iknin.
Edhe
Lirohet gazetarja amerikane Shelly Kittleson pas rrëmbimit në Irak
Dy zyrtarët irakianë të sigurisë kanë thënë se gazetarja u rrëmbye në rrugën Saadoun në qendër të Bagdadit dhe se një alarm u dërgua në të gjitha pikat e kontrollit, duke çuar në ndjekjen e rrëmbyesve ndërsa ata po shkonin drejt provincës Babil.
Kittleson ka qenë një gazetare e pavarur prej kohësh në rajon, duke raportuar gjerësisht nga Siria dhe Iraku.