Umm Hudaifa, gruaja e parë e liderit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadit, e përshkruan jetën me të nga një burg i kryeqytetit të Irakut, Bagdad, ku është duke u mbajtur teksa autoritetet irakiane janë duke e hetuar rolin e saj në ISIS dhe krimet e grupit. Ajo shfaqet si viktimë, që është përpjekur të arratiset nga burri i saj dhe e mohon përfshirjen në aktivitetet brutale të ISIS-it. Ky është kontrast i madh me mënyrën se si përshkruhet nga Yazidisët, të cilët janë rrëmbyer, përdhunuar dhe vrarë nga anëtarët e ISIS-it
Në një intervistë të rrallë nga burgu, vejusha e një lideri të grupit të Shtetit Islamik ka ndarë historinë se saj të jetës. Umm Hudaifa ka qenë gruaja e parë e Abu Bakr al-Baghdadit dhe ka qenë e martuar me të ndërsa ai ka udhëhequr sundimin brutal të ISIS-it në një pjesë të madhe të Sirisë dhe Irakut. Ajo tani është duke u mbajtur në burgun e Irakut, teksa hetohet për krime të lidhura me terrorizmin.
Në verën e vitit 2012, Umm Hudaifa ka qenë duke jetuar në Raqqa, ish-bastion i ISIS-it në Siri, me burrin e saj.
Si lideri i kërkuar i grupit ekstremist xhihadist, Abu Bakr al-Baghdadi, shpesh e ka kaluar kohën në lokacione të tjera dhe në një rast ai i ka dërguar rojat për t’i marrë dy djemtë e tij. “Ai më tha se po shkonin në një udhëtim për t’i mësuar djemtë si të notojnë”, thotë Umm Hudaifa.
Ka pasur një televizor në shtëpi, ku ajo i ka shikuar ngjarjet në fshehtësi. “E ndizja kur nuk ishte në shtëpi”, thotë ajo, duke shpjeguar se ai ka menduar se televizori nuk funksiononte. Ajo thotë se që nga viti 2007 ka qenë e shkëputur nga bota dhe se ai nuk e ka lënë të shikonte televizor ose ta përdorte ndonjë teknologji tjetër, si telefonin celular.
Disa ditë pasi roja i kishte marrë fëmijët, ajo thotë se e kishte lëshuar televizorin dhe aty “kishte parë një befasi të madhe”. Ajo e kishte parë burrin e saj duke iu drejtuar Xhamisë së Madhe të Al-Nurit, në qytetin verior të Irakut, Mosul, duke u shfaqur për herë të parë si kreu i kalifatit të vetëshpallur islamik. Kjo kishte ndodhur vetëm disa javë pasi luftëtarët e tij e kishin marrë kontrollin e zonës.
Pamjet e Al-Baghdadit duke u shfaqur publikisht për herë të parë ndër vite, me mjekrën e tij të gjatë, i veshur me rroba të zeza e duke kërkuar besnikëri nga myslimanët, janë parë nëpër botë dhe e kanë shënjuar një moment kyç për ISIS-in teksa është përhapur nëpër Irak dhe Siri.
Umm Hudaifa thotë se ajo ka qenë e tronditur kur ka parë se djemtë e saj kanë qenë në Mosul me të, e jo duke u mësuar të notonin në lumin Eufrat.
Ajo e përshkruan skenën nga një burg i mbushur në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, ku është duke u mbajtur teksa autoritetet irakiane janë duke e hetuar rolin e saj në ISIS dhe krimet e grupit. Është vend i zhurmshëm, ndërsa të burgosurit e akuzuar për krime të ndryshme, duke përshirë përdorim të drogës dhe prostitucion, lëvizin rrotull burgut dhe presin dërgesat e ushqimeve nga jashtë.
Gjatë intervistës ajo e paraqet veten si viktimë, e cila është përpjekur të arratiset nga burri i saj dhe e mohon përfshirjen në aktivitetet brutale të ISIS-it.
Ky është kontrast i madh me mënyrën se si përshkruhet ajo në rastin gjyqësor nga yazidisët, të cilët janë rrëmbyer, përdhunuar dhe vrarë nga anëtarët e ISIS-it – ata e akuzojnë atë për përfshirje në skllavërimin seksual të vajzave dhe grave të kidnapuara.
Gjatë intervistës, ajo nuk e ngre kokën asnjëherë. Ajo është e veshur me të zeza dhe i shihet vetëm pjesa e poshtme e fytyrës, poshtë fundit të hundës.

“Shpesh ka qenë i zemëruar”
Umm Hudaifa është lindur në vitin 1976 në një familje konservatore irakiane dhe është martuar me Ibrahim Awad al-Badri, i njohur nga pseudonimi Abu Bakr al-Baghdadi në vitin 1999.
Ai ka përfunduar studimet e Sharias, ose rregullës islamike, në Universitetin e Bagdadit dhe ajo thotë se në atë kohë ai ka qenë “fetar, por jo ekstremist ... konservator por mendjehapur”.
Pastaj në vitin 2004, një vit pas pushtimit të nisur nga SHBA-ja në Irak, forcat amerikane e kanë arrestuar Al-Baghdadin dhe e kanë mbajtur në një qendër dënimi në kampin “Bucca” në jug të vendit për rreth një vit, së bashku me shumë burra të tjerë që janë bërë pastaj figura të larta të ISIS-it dhe të grupeve të tjera xhihadiste.
Në vitet pas lirimit të tij, ajo pretendon se ai ka ndryshuar: “Ai u bë më temperament dhe shpeshherë ka qenë i zemëruar”.
Të tjerët që e kanë njohur Al-Baghdadin thonë se ai ka qenë i përfshirë në Al-Qaeda para kohës së kaluar në “Bucca”, por për të kjo ka shënjuar pikë kthese, sepse për të ai është bërë shumë ekstremist.
“Ai ka filluar të vuajë nga problemet psikologjike”, thotë ajo. Kur e ka pyetur pse, ai i ka thënë se “ka qenë i ekspozuar ndaj diçkaje të cilën ajo ‘nuk mund ta kuptojë’”.
Ajo beson se edhe pse nuk ia ka thënë vetë, “gjatë dënimit të tij ai ka qenë subjekt i torturës seksuale”. Fotografi nga një burg tjetër i udhëhequr nga SHBA-ja në Irak, Abu Ghraib, ka ndarë pamje të të burgosurve, të detyruar të kryejnë akte seksuale dhe të marrin pozita poshtëruese.
Umm Hudaifa thotë se ka filluar të mendojë se ai ka qenë pjesë e një grupi militant. “Kam kërkuar nëpër rrobat e tij kur kthehej në shtëpi, kur lahej ose kur binte të flinte”.
“Madje kam kërkuar për lëndime ose shenja në trupin e tij... Isha e hutuar”, thotë ajo, por asnjëherë nuk ka gjetur gjë. “I kam thënë, ‘Dukesh i humbur’... çka e shtyu atë të reagonte në mënyrë të furishme”.
Ajo shpjegon se ata shpesh i kanë ndërruar shtëpitë, kanë pasur identitete false dhe se burri i saj është martuar me një grua të dytë. Umm Hudaifa thotë se i ka kërkuar divorc, por ajo nuk ka mundur t’ia pranonte kushtin që t’i linte fëmijët me të, prandaj ka qëndruar.
Ndërsa Iraku ka hyrë në luftën e përgjakshme që ka zgjatur nga viti 2006 deri në 2008, ajo nuk ka pasur dyshim se ai ka qenë i përfshirë në grupin xhihadist “Sunni”. Në vitin 2010, ai është bërë lideri i Shtetit Islamik të Irakut – i formuar në vitin 2006. Ky ka qenë grupi ombrellë i organizatave xhihadiste irakiane.
“Ne kemi lëvizur në periferi të Idlibit në Siri në janar të 2012-s dhe atje më është bërë shumë e qartë se ai ishte emiri (lideri)”, thotë Umm Hudaifa.
Shteti Islamik i Irakut ka qenë një prej grupeve që më vonë është bashkuar për ta formuar grupin më të gjerë të Shtetit Islamik, që është deklaruar kalifat – shtet islamik i qeverisur në përputhje me Sharian nga dikush që konsiderohet “Zëvendës i Zotit në Tokë” – dy vjet më vonë.
Gjatë kësaj kohe, thotë ajo, ai ka filluar të vishte veshje afgane, ka rritur mjekrën dhe ka mbajtur me vete një pistoletë.
Ndërsa situata e sigurisë është përkeqësuar në veriperëndim të Sirisë gjatë luftës civile, ata kanë shkuar në lindje në qytetin Raqqa, e cila më vonë është konsideruar si kryeqyteti i “kalifatit” të ISIS-it. Këtu ka qenë duke jetuar ajo, kur e ka parë burrin e saj në televizor.

Terrori i ISIS-it
Brutaliteti i grupeve që janë bërë bashkë për ta formuar ISIS-in, veç ka qenë i njohur, por në vitet 2014-2015 mizoritë janë bërë më të përhapura dhe më të tmerrshme.
Një ekip i hetimit i OKB-së ka raportuar se ka gjetur prova se ISIS-i ka kryer gjenocid kundër minoritetit të Irakut, Yazidi, dhe se grupi ka kryer krime kundër njerëzimit duke përfshirë vrasje, torturë, kidnapim dhe skllavërim.
ISIS-i i ka transmetuar mizoritë e veta, duke e përfshirë heqjen e kokave të pengjeve dhe djegien e një piloti jordanez, në mediat sociale.
Në një incident tjetër famëkeq, i ka masakruar rreth 1700 ushtarë irakianë kryesisht shiitë, teksa ata ktheheshin nga baza ushtarake “Speicher” në veri të Bagdadit për në qytetet e tyre.
Disa gra që kanë jetuar me ISIS-in tani thonë se nuk e kanë ditur se me çka kanë pasur të bënin, prandaj Umm Hudaifa është pyetur për pikëpamjet e saj të kohës – ajo thotë se nuk ka qenë në gjendje t’i shikonte fotografitë, duke i quajtur mizoritë si “shumë tronditëse, çnjerëzore” dhe thotë se “derdhja e padrejtë e gjakut është gjë e tmerrshme” dhe se ata i kanë kaluar kufijtë njerëzorë.
Umm Hudaifa thotë se i ka folur burrit të saj për “gjakun e këtyre njerëzve të pafajshëm” që ai i ka në duar dhe i ka thënë atij se “sipas ligjit islamik ka gjëra të tjera që kanë mundur të bëhen, si udhëzimi i tyre drejt pendimit”.
Ajo e përshkruan se si burri i saj ka komunikuar me liderët e ISIS-it në laptopin e tij.
Ai e ka mbajtur kompjuterin në një valixhe. “Kam provuar të kyçem në të për të gjetur se çfarë po ndodhte”, thotë ajo. “Por kam qenë analfabete nga ana e teknologjisë dhe gjithmonë më kërkonte kodin”.
Ajo thotë se është përpjekur të arratisej, por burrat e armatosur në pikën e kontrollit kanë refuzuar ta lënë të kalojë dhe e kanë kthyer në shtëpi.
Sa iu përket luftimeve, sipas dijes së saj, Al-Baghdadi “nuk ka marrë pjesë në ndonjë luftim ose betejë”, duke shtuar se ai ka qenë në Raqqa kur ISIS-i ka marrë kontrollin e Mosulit – ai ka udhëtuar më vonë në Mosul për ta mbajtur fjalimin e tij.
Pas atij predikimi, Al-Baghdadi e ka martuar vajzën e tyre 12-vjeçare, Umaima, me një shok, Manosur, të cilit i është besuar kujdesi i punëve familjare. Umm Hudaifa thotë se është përpjekur ta ndalonte këtë, por është injoruar.
Një burim i sigurisë irakiane ka thënë se Umaima ka qenë e martuar më herët, në moshën 8-vjeçare, me një zëdhënës sirian të ISIS-it. Gjithsesi, ai ka thënë se martesa e parë është rregulluar në atë mënyrë që burri të mund të hynte në shtëpi kur Al-Baghdadi nuk ishte aty, e se kjo marrëdhënie nuk ishte seksuale.
Pastaj në gusht të 2014-s, Umm Hudaifa e ka lindur një vajzë tjetër, Nasiba, e cila ka pasur problem kongjenital të zemrës. Në këtë kohë Mansouri ka sjellë nëntë gra e vajza yazidi në shtëpi, të moshave 9 deri 30-vjeçare.
Kjo ka qenë një pjesë e vogël e qindra grave dhe vajzave yazidi të skllavëruara nga ISIS-i e mijëra të tjera janë vrarë.
Umm Hudaifa thotë se ka qenë e tronditur dhe se është “ndier e turpëruar”.
Kanë qenë dy vajza në grup, Samar dhe Zena – nuk janë emrat e vërtetë. Umm Hudaifa pretendon se ato kanë qëndruar në shtëpinë e tyre në Raqqa për disa ditë para se të lëvizeshin. Por më vonë familja është zhvendosur në Mosul dhe Samari është rikthyer, duke qëndruar me ta për rreth dy muaj.
Babai i Samarit, Hamid, qan kur i kujtohet momenti i rrëmbimit të saj.
Ai ka thënë se ka pasur dy gra dhe se ato, së bashku me 26 fëmijët e tij, dy vëllezërit dhe familjet e tyre janë kidnapuar nga qyteti Khansour në Sinjar. Ai është arratisur në malet afër.
Gjashtë nga fëmijët e tij, duke e përfshirë Samarin, janë akoma të zhdukur. Disa janë rikthyer pasi janë paguar shpërblimet, dhe të tjerët, pasi janë liruar zonat ku ata janë mbajtur.
Vajza tjetër, Zena, është mbesa e tij dhe mendohet se është e bllokuar në Sirinë veriore. Motra e Zenas, Soadi, nuk është takuar me Umm Hudaifa, por është skllavëruar, përdhunuar dhe shitur shtatë herë.
Hamidi dhe Soadi kanë ngritur padi civile kundër Umm Hudaifas për bashkëpunim në rrëmbimin, si dhe në skllavërimin e vajzave yezide. Ata nuk besojnë se ajo është viktimë e pafuqishme dhe po bëjnë thirrje për dënim me vdekje.
“Ajo nuk ka qenë përgjegjëse për gjithçka. Ajo i ka bërë zgjedhjet – kjo do të më shërbej mua, ajo t’i shërbejnë burrit të saj... dhe motra ime ka qenë njëra nga këto vajza”, thotë Soadi. Ajo e ka bazuar këtë nga dëshmitë e viktimave të tjera që janë kthyer në shtëpi.
“Ajo është gruaja e kriminelit Abu Bakr al-Baghdadi dhe ajo është kriminele si ai”.
Për këtë Umm Hudaifa thotë: “Nuk e mohoj se burri im ka qenë kriminel”, por shton se “ndjen keqardhje për atë që u ka ndodhur atyre” dhe i mohon akuzat e drejtuara ndaj saj.
Umm Hudaifa thotë se më vonë, në janar të vitit 2015, ajo është takuar me punonjësen amerikane të ndihmave, Kayla Mueller, e cila është mbajtur për 18 muaj dhe ka vdekur në robëri.
Rrethanat e vdekjes së Kaylas nuk janë akoma të njohura – gjatë asaj kohe ISIS-i ka pretenduar se ajo është vrarë nga një sulm ajror jordanez, por SHBA-ja e ka kundërshtuar gjithmonë këtë dhe burimi i sigurisë irakiane ka thënë se ajo është vrarë nga ISIS-i.
Kapja e familjes
Në vitin 2019, forcat amerikane e kanë bastisur vendin ku ka qenë duke u fshehur Al-Baghdadi, në veriperëndim të Sirisë me disa anëtarë të familjes së tij. Baghdadi e ka shpërthyer një jelek me eksplozivë ndërsa ka qenë i rrethuar në tunel, duke e vrarë veten dhe dy fëmijë të tij, ndërsa dy nga katër gratë e tij janë vrarë nga një shkëmbim zjarri.
Megjithatë, Umm Hudaifa nuk ka qenë atje – ishte duke jetuar në Turqi nën një emër fals ku është arrestuar në vitin 2018. Ajo është dërguar në Irak në shkurt të këtij viti, ku është duke u mbajtur në burg teksa autoritetet po e hetojnë rolin e saj në ISIS.
Vajza e saj e madhe Umaima është në burg me të, ndërsa Fatima, rreth 12-vjeçare, është në një qendër burgimi për të mitur. Njëri nga djemtë e saj është vrarë nga një sulm ajror rus në Siri afër Homs, tjetri ka vdekur në tunel me babanë e tij, dhe më i vogli është në jetimore.
Kur e përfundon intervistën, ajo ngre kokën dhe i shihet e tërë fytyra, por shprehjet e saj nuk tregojnë ndonjë gjë. Ndërsa oficeri e largon, ajo kërkon informacione për fëmijët e saj më të vegjël. Dhe tani, përsëri në qeli, ajo duhet të presë për të zbuluar nëse do të përballet me akuza penale.