Administrata e Donald Trump ka rimbursuar bizneset rreth 100 miliardë dollarë lidhur me tarifat e “Ditës së Çlirimit”. Pagesat janë bërë përmes zyrtarëve doganorë amerikanë.
Kjo shifër është rreth 60% e të të gjitha të ardhurave nga ato tarifa të mbledhura nga Qeveria, sipas një dokumenti të fundit të paraqitur në gjykatë nga Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së.
Megjithatë, një pjesë e konsiderueshme e pagesave s’janë bërë. Gati 29 miliardë dollarë në rimbursime të mundshme janë duke u shqyrtuar nga autoritetet tregtare, ndërsa 1.6 miliardë dollarë të tjerë mbeten të bllokuar sepse importuesit nuk kanë dhënë ende të dhënat e tyre bankare.
Këto rimbursime vijnë pas një vendimi të Gjykatës Supreme në muajin shkurt, në të cilin gjyqtarët vendosën se tarifat e gjera të importit, të vendosura duke u bazuar në kompetencat ekonomike, ishin të paligjshme.
Shtëpia e Bardhë ishte mbështetur në një ligj të vitit 1977, Aktin Ndërkombëtar për Fuqitë Ekonomike në Rast Emergjence (IEEPA), i cili i jep presidentit kompetencën për të "rregulluar" tregtinë si përgjigje ndaj një emergjence.
Por këto masa shkaktuan reagime të forta brenda dhe jashtë vendit nga kompanitë që u përballën me një rritje të papritur të taksave mbi dërgesat që hynin në SHBA, si dhe nxitën shqetësime se këto tarifa do të çonin në rritje të çmimeve.
Që nga vendimi i Gjykatës Supreme, disa korporata të mëdha amerikane kanë marrë tashmë rimbursime të konsiderueshme.
Amazon ka marrë rreth 600 milionë dollarë në rimbursime gjatë tremujorit të dytë, sipas drejtorit financiar Brian Olsavsky.
Olsavsky tha gjatë prezantimit të rezultateve financiare të tremujorit të dytë se Amazon do t'ua kthejë një pjesë të këtyre parave klientëve, aty ku janë aplikuar tarifa të caktuara, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për të mbështetur uljen e çmimeve në dyqane.
Edhe
Tarifat e reja të Trumpit “mund t’u mbijetojnë” gjykatave
Shuma totale e rimbursimeve të tarifave pritet të rritet edhe më tej, ndërsa Doganat e SHBA-së vazhdojnë të shqyrtojnë kërkesat në pritje dhe importuesit përditësojnë të dhënat e tyre bankare.
Më 2 prill të vitit 2025, presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi një paketë të gjerë tarifash të reja ndaj importeve në SHBA.
Trump e quajti “Ditë Çlirimi”, duke argumentuar se tarifat do ta "çlironin" ekonominë amerikane nga varësia ndaj importeve dhe nga praktikat tregtare që ai i konsideronte të padrejta.