Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Retorika e ashpërsuar e Trumpit ndjell frikën për dhunë në zgjedhje

Arrestimi i dhjetëra pjesëtarëve të dyshuar të një grupi ekstremist djathtist, akuzuar për vënien në shënjestër të guvernatorëve në Michigan dhe Virginia, është shembulli më i fundit i kërcënimeve për dhunë, në disa raste ashpërsuar nga presidenti Donald Trump, i cili ka kthyer sytë kah javët e fundit të garës më përçarëse zgjedhore në histori të vendit.

Në Pennsylvania, Elizabeth Burdick, një mbështetëse e Trumpit që posedon një dyqan të shitjes së armëve bashkë me bashkëshortin e saj, thotë se shitja e armëve “ka prekur kulmin”, shkruan NYT.

“Njerëzit janë të frikësuar”, ka thënë ajo. “Kanë frikë prej asaj çfarë mund të ndodhë pas zgjedhjeve në rast se Donald Trumpi fiton”.

Teksa sondazhet e paraqesin presidentin prapa kandidatit demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, si në aspektin mbarëkombëtar ashtu edhe në shtetet kyçe, Trumpi i është përqendruar ashpërsimit të sulmeve ndaj armiqve të tij të pretenduar, si brenda ashtu edhe jashtë administratës, duke i nxitur madje edhe mbështetësit më të devotshëm të tij që t’i frikësohen rezultatit, transmeton KOHA.

Ekspertët e sigurisë kombëtare kanë thënë se zgjedhjet amerikane rëndom nuk kanë qenë kushedi çfarë ngjarjesh për zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe se tranzicionet prej një presidenti në tjetrin ishin kryesisht ngjarje paqësore demokratike.

“Por, jo edhe sivjet”, ka thënë Chuck Wexler, drejtor ekzekutiv i Forumit Ekzekutiv Hetimor të Policisë, i cili ka shtuar se shefa të shumtë policie kanë zgjatur oraret e patrullimit pak ditë para ditës së zgjedhjeve. “Kjo është shumë ndryshe prej viteve të tjera”.

Edhe Dy ditët që zbehën aurën e pushtetit absolut të Trumpit Botë Dy ditët që zbehën aurën e pushtetit absolut të Trumpit

Duke i përshkruar kërcënimet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, analistët në Departamentin amerikan të Sigurisë së Brendshme kanë paralajmëruar për komplote potenciale, të cilat i pasqyruan rastet e planeve për rrëmbim në Michigan dhe Virginia, të shmangura nga FBI-ja.

Grupi Ndërkombëtar i Krizës, misioni i të cilit është që ta ngrejë alarmin në prag të konflikteve vdekjeprurëse në vatrat e nxehta përreth globit, muajin e fundit ka tërhequr për të parën herë vëmendjen për dhunën e mundshme të lidhur me zgjedhjet në SHBA. Duke paralajmëruar se grupet militante të së djathtës ekstreme mund t’i marrin punët në duart e tyre në shtetet kyçe, po qe se zgjedhjet kontestohen, Robert Malley, nga grupi i presidentit, ka thënë: “Kurrë nuk duhet ta parashikojmë luftën civile, por rastet e izoluara të dhunës mund të jenë bukur serioze”.

Protestat disamujore kundër policisë gjatë kësaj vere kanë përshkallëzuar jo rrallëherë në dhunë dhe në akte të plaçkitjes, ndërsa Malley thotë se mes plaçkitësve ka pasur ekstremistë të armatosur. Por, ai ka nënvizuar se shqetësimi real që buron nga e djathta janë mesazhet e dhunës, të cilat veçse kanë prodhuar rezultate vdekjeprurëse, duke e adresuar nënkuptueshëm përgjegjësinë te presidenti Donald Trump.