OpEd

Amerika e Trumpit, fuçi baruti

Trumpi tani po e zhvillon një fushatë agresive për ta konsoliduar pushtetin ekzekutiv. Qëkur u kthye në Shtëpinë e Bardhë, është zotuar ta minojë çdo kontroll mbi autoritetin presidencial, përfshirë pavarësinë gjyqësore, shoqërinë civile, lirinë akademike, neutralitetin e shërbimit publik, lirinë e shtypit dhe madje liritë themelore civile. Si rezultat i kësaj, Amerika e sotme është një fuçi baruti. Se kur dhe ku mund të godasë vrasësi potencial është hamendësim i akëcilit, por një gjë është e qartë: Rreziku për dhunë politike do të rritet në prag të zgjedhjeve të mesmandatit të 2026-s dhe mund të arrijë në nivel krize deri në zgjedhjet presidenciale të 2028-s. Ekziston një mënyrë e lehtë për ta minimizuar këtë rrezik: Trumpi mund të zgjedhë të bëhet unifikues në vend të përçarësit

Alex Hinton

“Kërcënim me bombë! Duhet të dilni – tani”, më bërtiti një zyrtar sigurie teksa po e ndiqja Konferencën e parimeve të para, një takim i republikanëve të moderuar në Washington, më 22 shkurt. Pak çaste më vonë, mësuam se kërcënimi pati burimin nga një email i pagjurmueshëm, që pretendoi se katër bomba të improvizuara janë vendosur “për t’i nderuar pengjet J6, të liruara së fundmi nga perandori Trump”.

Mjerisht, s’isha i befasuar. Vetëm pak ditë më parë, ish-lideri i Proud Boys, Enrique Tarrio, dhe kryengritës të tjerë të falur nga presidenti Donald Trump për krimet e ndërlidhura me sulmin e 6 janarit 2021 në Capitol të SHBA-së janë lartësuar si heronj në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC), tubim ky i madh i lëvizjes së Trumpit: “Bëjeni Amerikën të Madhe Përsëri”, (MAGA). Njëri prej tyre u mburr gjatë kësaj ngjarjeje, “Ne jemi sikurse perëndi”.

Gjatë konferencës, Tarrio i priu një grupi për në Capitol, ku brohoritën: “Shtëpia e kujt? Shtëpia jonë!”. Ai më vonë u arrestua për sulmin ndaj një protestuesi. Pas lirimit të tij, Tarrio udhëtoi për në vendin e Principles First, ku e ngacmoi verbalisht Michael Fanonen, ish-zyrtarin policor në Washington që u lëndua rëndë teksa po e mbronte Kapitolin gjatë kryengritjes.

Si një antropolog që studion mbi dhunën politike i shoh këto ngjarje si shenjë se Shtetet e Bashkuara janë në telash serioz. Në librin tim të 2021-tës, “It Can Happen Here” argumentova se akterët e këqij përherë e më shumë po trimërohen, duke e rritur rrezikun për dhunë me motive politike. Ky kërcënim u bë edhe më i dukshëm më 14 qershor, kur mbështetësi i Trumpit, Vance Boelter, i qëlloi dy demokratë të shtetit të Minesotës dhe bashkëshortet e tyre, duke i lënë të vrarë kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Emerita Melissa Hortman, dhe bashkëshortin e saj. Autoritetet e zbuluan më vonë në veturën e Botlerit një listë vrasjesh me emra të 45 zyrtarëve demokratë.

Dy muaj para kësaj, Cody Allen Balmer u arrestua për përpjekjen për ta vrarë guvernatorin demokrat të Pensilvanisë, Josh Shapiro, duke hyrë me forcë në banesën e tij dhe duke ia vënë flakën. Ka pasur kohëve të fundit edhe sulme të tjera të kësaj natyre, përfshirë disa syresh të kryera nga individë të së majtës politike.

Katër janë faktorët kyç që po e nxisin këtë rritje të dhunës politike. E para, megjithëqë e kualifikoi veten si president “të rendit dhe të ligjit”, Trumpi ndihmoi në kultivimin e një kulture të pandëshkueshmërisë. Kjo jo vetëm për shkakun se është kriminel i dënuar, tri prej rasteve të mbetura penale të të cilit u pushuan apo u pezulluan pas rizgjedhjes së tij. Shumë kohë më parë, ai deklaroi në mënyrë të famshme: “Mund të qëndroja në mes të Fifth Avenue dhe ta qëlloja dikë, por nuk do ta humbë as edhe një votues”.

Në ditën e tij të parë të kthimit në detyrë, Trump i fali apo ua uli dënimet më shumë se 1,500 kryengritësve të 6 janarit, përfshirë Tarrion. Ai vazhdoi t’i falë aleatët, për çka avokati i faljeve në Departamentin e Drejtësisë, Ed Martin, shkroi në X se “Asnjë MAGA s’është lënë pas”. Duke e politizuar faljen presidenciale, Trumpi dërgoi mesazh të rrezikshëm se dhuna partiake është e pranueshme.

Faktori i dytë janë aktet e kaluara të dhunës politike, të cilat e rrisin rrezikun e dhunës në të ardhmen. Siç shpjegova në librin tim “It Can Happen Here”, SHBA-ja e ka një histori të gjatë të dhunës politike në të cilën mund të mbështetet. Por edhe ngjarjet e fundit e ofrojnë një shkak të mjaftueshëm për alarm.

Trumpi e bart pjesën më të madhe të fajit. Para 6 janarit, ai e sulmoi integritetin e zgjedhjeve dhe i udhëzoi qartazi “Proud Boys”-ët - dhe, si rrjedhojë, edhe pjesëtarët e tjerë të ekstremit të djathtë – që të “ngrihen”. Sikurse dijetarë të tjerë asokohe paralajmërova se rreziku për dhunë në SHBA është skajshmërisht i lartë. Megjithëse ngjarje dramatike, as arrestimi më 7 tetor 2020 i militantëve që bënë komplot për ta rrëmbyer guvernatoren e Michiganit, Gretchen Whitmer, e as sulmi në Capitolit më 6 janar nuk përbënë befasi.

Përderisa zgjedhjet e 2024-tës afroheshin, kërcënimi për dhunë përshkallëzoi sërish. Vetë Trumpi pothuajse u vra gjatë tubimit të 13 korrikut në Pensilvani, kërcënimet ndaj punonjësve elektoralë u rritën dhe shumëkush druante se zgjedhjet e kontestuara do të shpinin prapë në kryengritje - shqetësim ky që fitorja e Trumpit në fund e bëri të pavlefshëm.

Së treti, shoqëria amerikane mbetet thellësisht e ndarë. Në hulumtimin tim mbi kulturën politike amerikane, këtë polarizim e pashë me sytë e mi, teksa njerëz të së majtës e edhe të së djathtës shpesh e demonizonin palën tjetër si autoritare, duke e portretizuar politikën me terma apokaliptikë “ne kundër atyre”.

Të dhënat tregojnë se sa toksik dhe sa i rrënjosur është bërë polarizimi në SHBA. Thuajse gjysma e amerikanëve i shohin ata të anës së kundërt të spektrit politik si “e keqja e përnjëmendtë”, përderisa një pjesë edhe më e madhe e demokratëve dhe e republikanëve përshkruajnë njëri-tjetrin si “mendjembyllur, të pasinqertë dhe imoralë”. Përafërsisht 80 për qind e të rriturve në SHBA kanë drojë nga dhuna politike, teksa 40 për qind besojnë se shteti po shkon drejt luftës civile.

Përderisa në këtë përçarje kontribuuan të dy partitë, Trump mbetet polarizuesi kryesor. Ai në vazhdimësi nxiti zemërim e pakënaqësi gjatë mandatit të tij të parë, ndërsa fushata e tij e 2024-tës u përqendrua në premtimet për hakmarrje dhe në paralajmërime për emigrantët “kriminelë” dhe të majtët “e zgjuar” - grupe që vazhdon t’i demonizojë ende.

Së fundmi, rreziku për dhunë politike mëton të rritet në periudha trazirash, veçmas kur legjitimiteti i zgjedhjeve vihet në dyshim apo kur institucionet demokratike dobësohen. Të dy këto kushte qenë prezente në prag të kryengritjes së 2021-tës dhe janë edhe sot.

Trumpi tani po e zhvillon një fushatë agresive për ta konsoliduar pushtetin ekzekutiv. Qëkur u kthye në Shtëpinë e Bardhë është zotuar ta minojë çdo kontroll mbi autoritetin presidencial, përfshirë pavarësinë gjyqësore, shoqërinë civile, lirinë akademike, neutralitetin e shërbimit publik, lirinë e shtypit dhe madje liritë themelore civile.

Si rezultat i kësaj, Amerika e sotme është një fuçi baruti. Se kur dhe ku mund të godasë vrasësi potencial është hamendësim i akëcilit, por një gjë është e qartë: Rreziku për dhunë politike do të rritet në prag të zgjedhjeve të mesmandatit të 2026-s dhe mund të arrijë në nivel krize deri në zgjedhjet presidenciale të 2028-s.

Ekziston një mënyrë e lehtë për ta minimizuar këtë rrezik: Trumpi mund të zgjedhë të bëhet unifikues në vend të përçarësit. Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve duan që temperatura politike të ulet. Mjerisht, ka shumë më tepër të ngjarë që Trumpi, i cili u ngrit në pushtet me platformë populiste të rrënjosur në frikë dhe fyerje – pjesa më e madhe e së cilës e ngjyrosur me nuanca raciste - të vazhdojë të nxisë flakë të përçarjes, duke e mbajtur të lartë rrezikun për dhunë politike.

(Alex Hinton është profesor i Antropologjisë, drejtor i Qendrës për Studime të Gjenocidit dhe të të Drejtave të Njeriut, dhe udhëheqës i degës së UNESCO-s për Parandalim të Gjenocidit në Universitetin Rutgers. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)