Kompania Porsche ka njoftuar se fitimet pas tatimeve kanë rënë me 95.9 për qind krahasuar me një vit më parë, duke arritur në vetëm 114 milionë euro.
Nga korriku deri në shtator, kompania me seli në Stuttgart raportoi madje humbje prej 966 milionë eurosh, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kishte realizuar fitim prej 974 milionë eurosh.
Shkaku kryesor i këtij rënieje lidhet me ndryshimin strategjik të menaxhmentit nën drejtimin e shefit aktual të Porsches, Oliver Blume – i cili ka hequr dorë nga objektivat ambiciozë për elektrifikim, përfshirë edhe planin për prodhimin e baterive, shkruan Spiegel.
Lansimi i modeleve të reja elektrike është shtyrë. Duke marrë parasysh realitetin e tregut dhe nevojat e klientëve, Porsche tani po fokusohet në rikthimin e motorëve me djegie të brendshme, të cilët do të vazhdojnë të përdoren edhe në dekadën e ardhshme.
Një “operacion emergjent” i tillë do të ketë kosto të lartë. Sipas kompanisë, shpenzimet pritet të arrijnë në 3.1 miliardë euro në vitin fiskal 2025.
Fitimi operativ në nëntë muajt e parë të vitit ishte 40 milionë euro, një rënie prej 99 për qind krahasuar me më shumë se katër miliardë euro vitin e kaluar. Shitjet gjithashtu ranë me 6 për qind, duke u ulur në 26.9 miliardë euro.
“Ne po pranojmë me vetëdije rezultate financiarisht shumë më të dobëta përkohësisht, në mënyrë që të forcojmë qëndrueshmërinë dhe fitueshmërinë e Porsches në plan afatgjatë”, ka thënë Jochen Breckner, drejtor financiar i kompanisë.
Ai shtoi se përmirësime priten nga viti 2026.
Porsche për një kohë të gjatë është konsideruar si gjenerator fitimi edhe për pjesën tjetër të Grupit Volkswagen. Por me mosrealizimin e pritjeve për veturat elektrike dhe me tarifat e reja amerikane, kjo periudhë ka marrë fund. Prodhuesi i famshëm i veturave sportive po hyn në vitin e dytë me radhë të rënies së shitjeve. Nga janari deri në shtator, kompania ka shitur rreth 215,500 automjete, një ulje prej 6 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Situata është veçanërisht e rëndë në Kinë, ku deri tani gjatë këtij viti Porsche ka shitur rreth 32,200 automjete, një rënie prej 26 për qind. Në vitin 2022, ky numër kishte qenë mbi 68,000 automjete.