Botë

Rekrutimi i ukrainasve si spiunë të Rusisë

Rekrutimi i ukrainasve si spiunë të Rusisë

Hrystyna Garkavenko ishte vetëm 19 vjeçe kur pranoi të ndihmonte një agjent rus, duke transmetuar informacione për lëvizjet e ushtrisë ukrainase. Sot ajo po vuan një dënim prej 15 vjetësh burgim për tradhti. Rasti i saj hedh dritë mbi mënyrën se si Rusia rekruton bashkëpunëtorë brenda Ukrainës dhe mbi motivet - nga paratë te manipulimi emocional - që i shtyjnë disa të tradhtojnë vendin e tyre

Menjëherë pas mesditës, më 19 korrik 2024, Hrystyna Garkavenko, vajza 19-vjeçare e një prifti, mbërriti në kishën e tij në Pokrovsk, në lindje të Ukrainës. Edhe pse ishte besimtare e devotshme, ajo nuk kishte shkuar aty për t’u lutur.

Duke e njohur mirë ndërtesën për shkak të rolit të të atit, e reja u ngjit në katin e dytë dhe hyri në një nga dhomat. Aty, në një dritare të mbuluar me perde, vendosi një telefon celular si kamerë transmetimi të drejtpërdrejtë, të drejtuar nga një rrugë që përdorej nga trupat dhe automjetet ushtarake ukrainase që lëviznin drejt dhe nga vijat e frontit më në lindje. Pamjet transmetoheshin drejtpërdrejt tek inteligjenca ruse.

Sipas prokurorëve ukrainas, kjo nuk ishte detyra e vetme që Garkavenko kreu për Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB). Gjatë atij viti, ajo komunikoi me një agjent të FSB-së, duke i dhënë informacione për vendndodhjen e personelit dhe pajisjeve ushtarake ukrainase në Pokrovsk, një qendër strategjike.

“Unë thjesht doja të flisja më shumë me këtë person. Dhe vetëm sepse doja të vazhdoja bisedën me të, pranova ta ndihmoja”, i tha Garkavenko CNN-it në një intervistë të rrallë telefonike nga burgu, ku po vuan një dënim prej 15 vjetësh burgim për tradhti.

Ajo nuk pranoi t’i tregojë CNN-it nëse kishte ndjenja dashurie për agjentin. Megjithatë, Pavlo Uhrovetsky, kreu i Prokurorisë Rajonale të Donetskut, deklaroi se “përveç qëndrimit të saj aktiv pro-rus, e reja kishte zhvilluar më shumë se një marrëdhënie miqësore me atë person”.

Garkavenko është një nga mijëra ukrainas që besohet se janë rekrutuar nga FSB-ja dhe agjenci të tjera ruse të inteligjencës për të spiunuar kundër vendit të tyre. Sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), hetuesit kanë hapur më shumë se 3.800 hetime për tradhti që nga nisja e pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022, ndërsa mbi 1.200 persona janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar. Mesatarisht, të dënuarit përballen me 12 deri në 13 vjet burgim, megjithëse disa marrin dënim të përjetshëm.

CNN ka kërkuar një koment nga FSB-ja, por ata nuk janë përgjigjur.

Andrii Yakovliev, avokat mbrojtës dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe penale në organizatën ukrainase “Media Initiative for Human Rights”, tha për CNN-in se Ukraina siguron kushte për një gjykim të drejtë dhe se, në përgjithësi, gjykatat e vendit respektojnë procesin e rregullt ligjor. Ai shtoi se prokurorët zakonisht paraqesin çështje në gjykatë vetëm kur kanë prova të mjaftueshme dhe “nuk do ta quajnë të bardhën të zezë” për të siguruar një dënim.

“Dhënia e informacionit inteligjencës ruse është forma më e zakonshme e tradhtisë në kohë lufte”, tha Ivan Kisilevych, drejtues i një departamenti në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Sipas SBU-së, detyrat e kryera në emër të FSB-së janë shumë të larmishme dhe afërsia gjeografike me frontin e luftës nuk ka rëndësi.

“Në zonat e vijës së parë, ndalojmë më shpesh agjentë që mbledhin dhe përcjellin informacione për lëvizjet ose pozicionet e ushtrisë ukrainase,” thuhet në një deklaratë të SBU-së. “Në Ukrainën perëndimore dhe qendrore, agjentët rusë më shpesh mbledhin dhe rrjedhin informacione për objekte ushtarake, infrastrukturë kritike, si dhe tentojnë sabotime pranë termocentraleve, ndërtesave të policisë dhe linjave hekurudhore”.

Këshilltari i Ministrisë së Mbrojtjes, Serhiy Beskrestnov, paralajmëroi këtë javë se agjentët rusë po përpiqen të rekrutojnë ukrainas për të regjistruar pajisje satelitore të internetit Starlink, të cilat më pas do të mund të përdoren nga ushtria ruse, pasi sistemet e paautorizuara ruse janë bllokuar. Sipas tij, rusët ofrojnë 300 dollarë për ukrainasit që pranojnë ta bëjnë këtë.

Pse disa ukrainas pranojnë të spiunojnë

Profili i ukrainasve të rekrutuar nga Rusia është i larmishëm. Ndërsa disa janë të motivuar ideologjikisht, ky grup po zvogëlohet, thonë zyrtarët e inteligjencës. Për shumicën, motivi kryesor është paraja.

Sipas SBU-së, operativët rusë të inteligjencës rekrutojnë kryesisht persona në vështirësi financiare, si të papunë, ose individë me varësi të ndryshme - ndaj drogës, alkoolit apo lojërave të fatit.

“Është e rëndësishme të kuptohet se nuk bëhet fjalë për mijëra dollarë”, tha Kisilevych. “Për shumicën, janë disa qindra dollarë ose përfitime të tjera materiale… Është para e lehtë për tradhtarët. Ata thjesht i marrin paratë në kartat e tyre bankare, pa menduar se nga vijnë dhe kujt i shërbejnë”.

Andriy, një oficer zbulimi në SBU, tha për CNN-in se kanalet në Telegram janë aktualisht një nga mjetet më të zakonshme të rekrutimit. CNN nuk po e publikon mbiemrin e tij për shkak të natyrës së punës.

“Rusët postojnë njoftime duke ofruar para të shpejta dhe të lehta. Pastaj fillojnë t’u japin detyra gradualisht. Fillimisht, ato janë shumë të thjeshta - bli një kafe, bëj një foto të faturës në një kafene. Për këtë, paratë transferohen në kartën bankare dhe procesi i rekrutimit nis gradualisht”, shpjegoi ai. “Më pas shfaqen detyra më të ndjeshme -  vendosja e kamerave pranë hekurudhave, fotografimi i objekteve ushtarake, e kështu me radhë”.

Nëse në një moment personi refuzon të bashkëpunojë, rekrutuesit përdorin shantazhin, tha Andriy, duke kërcënuar se do t’ia dorëzojnë korrespondencën SBU-së. “Në atë pikë, njerëzit nuk kanë më rrugëdalje”, shtoi ai.

Garkavenko thotë se kontakti i saj nisi si një njohje e rastësishme në Telegram. “Në fillim ishte thjesht një prezantim normal, një bisedë e zakonshme. Pastaj ai u prezantua si agjent i Federatës Ruse dhe sugjeroi bashkëpunim”, tha ajo nga kolonia penale për gratë e dënuara për krime kundër sigurisë kombëtare dhe tradhti.

Ajo rrëfeu se në një moment kishte menduar të tërhiqej. “Kisha dyshime, doja të ndaloja në një moment dhe ia thashë këtë disa herë. Por më thanë se gjithçka do të ishte në rregull, se do të më mbronin dhe se asgjë e keqe nuk do të ndodhte. Unë i besova”.

Edhe pse u pagua nga FSB-ja për veprimet e saj, ajo i tha CNN-it se paratë nuk ishin motivimi kryesor.

“Shumë mirë, të dua”

SBU raporton pothuajse çdo javë për arrestime të reja të bashkëpunëtorëve të dyshuar lokalë, që përfshijnë persona të zakonshëm e deri te personeli ushtarak.

Sipas tyre, tradhtitë e dyshuara që janë zbuluar përfshin një gamë të gjerë individësh. Midis atyre që janë shpallur fajtorë janë: një mekanik fabrike 50-vjeçar në Kramatorsk, i rekrutuar nga FSB-ja, që dërgonte koordinata të personelit dhe armëve të rënda ukrainase; një ish-punonjës fabrike 40-vjeçar në Kramatorsk, i cili udhëzonte bombardimet ruse në rajon; një banor 21-vjeçar të Kievit, që ndihmonte në koordinimin e sulmeve raketore ruse mbi kryeqytet; dhe një banor 49-vjeçar të rajonit Chernivtsi që punonte në një shërbim shpërndarjeje. Duke vepruar nën “maskën” e punës së tij si korrier, agjenti udhëtonte në zonë duke regjistruar objekte ushtarake dhe infrastrukturë kritike, tha SBU.

Uhrovetsky, nga Zyra Rajonale e Prokurorisë në Donetsk, kujton rastin që e përshkruan si “cinik” të Iryna Landugas, një gruaje e dënuar vitin e kaluar për dërgimin e informacionit mbi pozicionet e forcave ukrainase tek i biri, që luftonte për ushtrinë ruse, dhe për marrjen e kompensimit financiar në këmbim.

“E dëgjuam duke folur me të birin, pasi i dha koordinatat e forcave ukrainase. Pas kësaj, ato vende u bombarduan, dhe ajo vetë shkoi dhe kontrolloi që kishte të vdekur dhe të plagosur. Falënderoi ata dhe u gëzua, duke thënë: ‘Shumë mirë, të dua’”, tha Uhrovetsky.

Sipas vendimit të gjykatës, në gusht 2023, teksa po kthehej nga dyqani, Landuga, që jetonte në Kurakhivka, në rajonin Donetsk, pa ushtarë ukrainas në shtëpinë e kumbarës së të birit dhe në kazermat e Njësisë Ushtarake të Shpëtimit në Miniera. Ajo i tregoi të birit për këtë, dhe më pas zona u bombardua, duke shkaktuar të paktën një vdekje. Një grua civile 59-vjeçare, që jetonte në një ndërtesë pranë, vdiq nën rrënoja. Kumbara e të birit ishte jashtë qytetit në atë kohë.

Në një regjistrim audio të siguruar nga prokuroria për CNN, Landuga dëgjohet duke thënë për sulmin: “Njerëz vdiqën atje. Një grua vdiq… Gjithçka është në rregull, gjithçka shkon mirë. Goditën kazermat? Shumë mirë, të dua. Punë e mbarë!”

Në tetor 2025, ajo mori dënim me burgim të përjetshëm, me gjykatën që vuri në dukje indiferencën e saj ndaj pasojave të veprimeve.

Pritja për një shkëmbim

Garkavenko mori një dënim prej 15 vjetësh në qershor, pas pranimit të fajësisë dhe shprehjes së pendesës. Uhrovetsky tha se ajo bëri këtë pranim “sepse dëshiron të shkëmbehet”.

Në intervistën e saj me CNN, Garkavenko tha se edhe pse nuk ka qenë kurrë në Rusi, ka të afërm atje dhe dëshiron të jetojë me ta.

Kisilevych theksoi se disa ukrainasve u premtohet se nëse gjërat shkojnë keq, do të shkëmbehen me qytetarë ukrainas të mbajtur si të burgosur lufte nga Rusia. Për disa nga të arrestuarit, shkuarja në Rusi është opsioni i vetëm i pranueshëm, tha ai. “Por kam dyshime serioze se do të jenë më mirë atje. Dyshoj se do të mbërrijnë atje si heronj”.

Ndërsa pret një shkëmbim të mundshëm, babai i Garkavenkos – prifti – mbetet në Ukrainë. Ajo tha se ai ishte i tronditur kur zbuloi veprimet e saj, por nuk e braktisi. “Ai më mbështet dhe thotë se gjithçka do të shkojë mirë. Ai e pranoi vendimin tim për shkëmbim”.

Andriy, oficeri i kundërzbulimit në SBU, tha se shërbimi rus i inteligjencës nuk i vlerëson realisht ata që rekrutohen nga larg. “Ata thjesht i shfrytëzojnë”.

Ai shtoi se gjithmonë do të ketë njerëz që përpiqen të vjedhin sekrete – dhe për operativët e inteligjencës, kërkimi i tradhtarëve nuk ndalet kurrë. “Është një punë e hollësishme, që përfshin studimin e detajuar të jetës së bashkëpunëtorit. Ndonjëherë arrin deri aty sa e njeh jetën e tyre kaq mirë, sa bëhesh pjesë e saj,” tha ai.

Garkavenko tha se bëri një zgjedhje të vetëdijshme për të ndihmuar Rusinë dhe tani pendohet për atë që bëri. “Dënova të dashurit e mi dhe, në një farë mase, shkatërrova jetën time”.