Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Refugjatët në kufi mes Bjellorusisë dhe Polonisë duan kthimin në Irak

Qindra refugjatë, përfshirë gra e fëmijë, janë larguar nga kampet në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë.

Ata janë vendosur në një depo të madhe. Ata kanë thënë se nuk e dinë se çfarë do të ndodhë, mirëpo shumica pritet të kthehen në Irak në fluturime të organizuara nga shteti irakian. Mijëra të tjerë kanë mbetur nëpër kampet kufitare të martën, kur forcat polake përdorën topa uji dhe gaz lotsjellës ndaj refugjatëve që i sulmuan me gurë.

Polonia ka akuzuar Bjellorusinë se u ka ofruar refugjatëve gaz lotsjellës dhe armë të tjera. Trazirat e së martës kanë përkeqësuar edhe më shumë krizën në kufirin lindor të Bashkimit Evropian që ka akuzuar presidentin autoritar të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, se po përdor refugjatët për të destabilizuar Evropën.

Sipas BE-së, regjimi bjellorus dëshiron të destabilizojë Evropën si shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura ndaj regjimit.

Bjellorusia në javët e fundit ka mohuar se është orkestruese e kësaj krize. Lukashenko të martën ka mohuar akuzat se është nxitës i krizës dhe ka thënë se qeveria e tij ka dëbuar më shumë se 5 mijë refugjatë të jashtëligjshëm.