Shumë shtete, në mesin e tyre SHBA-ja, Spanja dhe Australia, kanë raportuar rritje rekorde të rasteve të konfirmuara me koronavirus javën që shkoi dhe të dhënat tregojnë që pandemia po rritet në secilin rajon të botës.
Në Spanjë, rajoni i Katalonisë ka urdhëruar mbylljen e klubeve dhe kafeneve, ngase ka frikë për një valë të dytë të koronavirusit dhe se kjo do të shkaktojë edhe largimin e vizituesve nga ky vend, i cili është njëri prej destinacioneve më të njohura turistike në Evropë.
SHBA-ja zyrtarisht mbetet vendi më i goditur nga pandemia, sipas të dhënave, ku javën që shkoi u regjistruan më shumë se 4 milionë raste në total, dhe më shumë se 1,000 vdekje në ditë për katër ditë me radhë, shkruan The Independent.
Në Australi, zyrtarët vendosën kufizim të pjesshëm gjashtë javësh dhe mbajtja e maskave u bë e detyrueshme për banorët e Melbourne, që është qyteti i dytë më i madhi në këtë shtet.
Në përgjithësi afro 37 shtete, shumë prej tyre në Evropë, raportuan rritje ditore këtë javë, me numër të dyfishuar nga java e kaluar.
Kështu është situata edhe në Brazil dhe Indi, të cilët kanë tejkaluar 1 milionë raste të infektimeve, dhe rritje të madhe të rasteve po përjetojnë edhe Bolivia, Sudani, Etiopia, Bulgaria, Belgjika, Uzbekistani dhe Izraeli, në mesin e shteteve tjera, transmeton KOHA.
Shumë shtete, posaçërisht aty ku u lehtësuan masat e kufizimeve, po përjetojnë valën e dytë vetëm një muaj pas valës së parë.
“Nuk do t’i kthehemi ‘normales së vjetër’. Pandemia tashmë e ka ndryshuar mënyrën se si e jetojmë jetën”, tha këtë jave drejtori i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Po kërkojmë nga të gjithë që të trajtojnë vendimet e tyre se ku shkojnë, çka bëjnë dhe me kënd takohen, si vendime jetë a vdekje, sepse ashtu edhe janë”, shtoi ai.