Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Franca me mbi 60 mijë raste të reja, në ditën me shifra të larta të COVID-19 në Evropë

Franca ka regjistruar të premten shifrën më të lartë ndonjëherë të rasteve të reja të infeksionit me koronavirus në ditë – 60.486 – pas dy ditëve të tjera me numër enorm rastesh, kanë treguar të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Paris.

Rastet e reja e çuan në 1.66 milionë bilancin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara pozitive, duke iu afruar me këtë rast Rusisë, e cila me 1.73 të infektuar në nivel vendi është shteti i katërt më i goditur nga pandemia në botë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Indisë dhe Brazilit.

Ministria franceze ka raportuar edhe për 828 të vdekur të rinj nga koronavirusi.

Shifrat më të larta ndonjëherë të rasteve të reja me COVID-19 janë raportuar një javë pasi që Qeveria mori vendim të zbatojë izolimin e dytë mbarëkombëtar, në masën e parë të tillë të zbatuar në Evropë pas shpërthimit të valës së dytë të pandemisë.

Shteti tjetër evropian që ka shënuar rritje enorme të rasteve të reja me COVID-19 është Italia, ku u evidentuan 34.505 të infektuar të rinj brenda 24 orësh dhe 445 vdekje të ndërlidhura me sëmundjen.

Edhe Franca në alarm pas 58 mijë rasteve të reja me COVID-19 Botë Franca në alarm pas 58 mijë rasteve të reja me COVID-19

Në shtetin më të goditur evropian nga pandemia gjatë valës së parë të përhapjes, gjithsej 40.192 persona kanë vdekur ndërsa 826.879 janë infektuar.

Rajoni verior i Lombardisë, ku ndodhet kryeqyteti financiar italian Milano, ka mbetur më i godituri në vend, duke raportuar 8.822 raste të reja gjatë së enjtes dhe 7.758 të mërkurën. Ndërsa rajoni jugor i Campanias është i dyti më i prekuri, me 3.888 raste.

Pas rritjes enorme të numrit të rasteve në pothuajse çdo shtet të Evropës, Gjermania ka klasifikuar Italinë, Danimarkën, Lituaninë, Portugalinë dhe pjesën më të madhe të Suedisë si zona të rrezikut nga koronavirusi, ka bërë të ditur Instituti Robert Koch (RKI) për sëmundje ngjitëse, duke paralajmëruar kundër udhëtimeve të panevojshme në këto shtete.

Paralajmërimi për Danimarkën përjashton Ishujt Farore dhe Grenlandën, derisa ai për Lituaninë nuk përfshinë edhe qytetin Utena në verilindje, ka bërë të ditur RKI-ja.

Shumë shtete evropiane janë duke i mbyllur bizneset që cilësohen me rrezikshmëri të lartë të përhapjes ndërsa kanë urdhëruar edhe masa të reja të izolimeve kombëtare apo rajonale.

Përtej Evropës, shtim të madh të rasteve të reja kanë regjistruar të premten edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dhënat e agjencisë Reuters kanë treguar se në SHBA janë evidentuar 120.000 raste të reja për të dytën ditë radhazi të shtimit të numrit të rasteve.

Njëzet prej 50 shteteve amerikane kanë raportuar shifra drastike njëditore të enjten. Illinoisi ka raportuar afro 10.000 raste të reja, duke u bërë bashkë me Texasin vatra të reja të përhapjes.

Ngritje të trajektores së rasteve të reja ka shënuar edhe Rusia, duke e nxitur alarmimin e Kremlinit. Autoritetet shëndetësore në Moskë kanë raportuar për 20.582 raste të reja, duke e çuar në 1.733.440 bilancin e përgjithshëm dhe të katërtin më të madh në botë.

Edhe Nis të rriten rastet me COVID-19 nëpër Evropë Botë Nis të rriten rastet me COVID-19 nëpër Evropë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Pesko, ka thënë megjithatë se është ende tepër herët që të gjykohet efikasiteti i politikave të zbatuara të vendit për frenimin e përhapjes së virusit, pa kalim në izolim të tërësishëm.

“Trendi është alarmues, pandemia është në zhvillim e sipër”, ka thënë Peskov. “Situata është duke u monitoruar dhe analizuar me kujdes, dhe masat po ndërmerren kolektivisht... duke i pasur parasysh specifikat e secilit rajon”, ka shtuar ai.