Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Franca në alarm pas 58 mijë rasteve të reja me COVID-19

Drejtori i shëndet publik në Francë ka raportuar të enjten 58.046 raste të reja të të infektuarve me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit.

Ky është numri më i lartë i rasteve i shënuar në këtë vend evropian që prej nisjes së pandemisë, dhe i dyti drastik brenda vetëm katër ditësh, pas të mërkurës, kur ishin evidentuar 40.558 raste.

Shifrat më të fundit janë raportuar vetëm pak kohë pasi Parisi shpalli masat e reja kufizuese, në kuadër të izolimit të dytë mbarëkombëtar zbatuar të premten e shkuar. Numri i personave të vdekur në Francë si pasojë e infeksionit nga COVID-19 është ngritur të enjten për 363, për të shkuar në gjithsej 39.037. Ndërkaq numri i përgjithshëm i rasteve ka arritur në 1.601.367.

Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, ka bërë të ditur se vala e dytë e pandemisë që veçse ka goditur Francën do të jetë më e rëndë se e para, po qe se lejohet përhapja sipas shkallës aktuale.

“Ditët dhe javët e ardhshme do të jenë të vështira”, ka thënë Veran gjatë një konference për media.

Edhe Franca me mbi 60 mijë raste të reja, në ditën me shifra të larta të COVID-19 në Evropë Botë Franca me mbi 60 mijë raste të reja, në ditën me shifra të larta të COVID-19 në Evropë

Evropa është bërë tani rajoni me numrin më të lartë të rasteve të regjistruara me COVID-19, kanë treguar të dhënat e agjencisë AFP, bazuar në të dhënat e autoriteteve shëndetësore.

52 shtetet e kontinentit kanë bashkërisht 11.6 milionë raste, përfshirë më shumë se 296.000 vdekje, duke dalë kësisoj para Amerikës Latine dhe Karabieve që kanë raportuar deri më tani 11.4 milionë raste dhe 407.000 të vdekur.

Që nga fillimi i tetorit rajoni ka evidentuar numrin më të lartë të infeksioneve të reja ditore në gjithë botën. Javën e shkuar ishin regjistruar 277.000 raste të reja ditore, më shumë se gjysma e totalit të numrit të rasteve ditore në botë – që ishte 517.000.

Vendet më të goditura evropiane tani janë: Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Polonia.

Në Itali liderët e rajoneve kanë reaguar me zemërim të enjten pasi Qeveria u ka kërkuar që të ashpërsojnë masat në betejën kundër përhapjes së koronavirusit.

Kryeministri Giuseppe Conte ka bërë të ditur se katër rajone, përfshirë Kalabrinë në cepin jugor të vendit dhe rajonin më të populluar të Lombardisë, i ka veçuar si zona të kuqe që do të përballen me mbyllje të pjesshme. Dy rajonet e tjera janë kategorizuar si zona portokalli, që nënkupton se mund të përballen me masa edhe më të serta, përderisa katëmrbëdhjetë rajonet tjera janë kategorizuar me të verdhë me kufizime më të buta.

Qeveria ka njoftuar se bazuar se vendimet e fundit janë marrë mbi 21 kritere.

Edhe Vendet në Evropë raportojnë shifra të larta të të infektuarve me COVID-19 Botë Vendet në Evropë raportojnë shifra të larta të të infektuarve me COVID-19

Sidoqoftë, sistemi ka krijuar konfuzion, sikurse kanë bërë edhe kufizimet, që janë të panegociueshme dhe do të përcaktojnë se sa njerëzit mund të qëndrojnë në shtëpitë e tyre në zonat e kuqe gjatë dy javëve të ardhshme.

“Kërkesat tona nuk janë marrë as në konsideratë. Kjo është shuplakë fytyrës përballë Lombardisë”, ka thënë guvernatori i Lombardisë, Attilio Fontana, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit Contes të presë edhe disa ditë që të shohë nëse masat e muajit të kaluar po jepnin ndonjë efekt.

Lombardia, që përfshin kryeqytetin financiar të Italisë, Milano, ka qenë epiqendër e koronavirusit nga fillimi dhe ende po regjistron numrin më të madh në baza ditore, që rregullisht shkon më shumë se shtatë mijë raste në ditë. Kalabria ka qenë më pak e goditur, dhe raportoi vetëm 262 infektime të reja. Qeveria është e shqetësuar për shkak të numrit në ngritje të pacientëve në spitale. Qeveritarët druajnë se mund të ketë mbipopullim të spitaleve në rast të shpërthimit të rasteve.

“Ky rajon nuk e meriton të izolohet. Kjo do të mund të ishte fatal për ekonominë”, ka thënë guvernatori rajonal, Nino Spirli, i cili është zotuar se do ta apelojë vendimin.

Kishte edhe zemërim në Sicili lidhur me vendosjen e këtij rajoni si zonë të portokalltë, ku janë urdhëruar edhe restorantet dhe baret të mbyllen. Rajoni po përballet edhe me masa të tjera që dëmtojnë ekonominë e rajonit.

“Kjo duket të jetë motivuar më shumë prej politikës se prej shkencës”, ka thënë guvernatori rajonal, Nello Musumeci, anëtar i bllokut djathtist, që është në opozitë në nivelin qendror.

Musumeci ka vënë në dyshim pse dy rajonet e mëdha, Lacio dhe Kampanja, të dyja të qeverisura nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, janë kategorizuar si zona të verdha.

Edhe Franca shënon rekord rastesh me COVID-19 Botë Franca shënon rekord rastesh me COVID-19

Lideri i kampanjës, Vincenzo de Luca, ka shprehur pakënaqësinë ndaj vendimit pse nuk ka marrë masa më të ashpra në shkallë vendi.

“Qeveria do të duhej të merrte përgjegjësi të plotë për shëndetin dhe pasojat shoqërore”, ka deklaruar ai, duke u ankuar se zbatimi i orës policore në krejt zonat e kuqe nuk po zbatohet me përpikëri. Ai ka thënë se mijëra persona po shihen rrugëve të qyteteve pavarësisht paralajmërimeve se mund të ndëshkohen.