Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Raportohet për përparim drejt një armëpushimi të përkohshëm në Gaza

Ndërmjetësuesit po bëjnë përparim për një marrëveshje armëpushim disa javor mes Izraelit, kanë raportuar mediumet izraelite të dielën. Si pjesë e marrëveshjes do të lirohen dhjetëra pengje që mbahen në Gaza si dhe palestinezë që mbahen në burgjet e Izraelit.

Kabineti i Luftës i Izraelit është takuar vonë të shtunën për të biseduar për propozimin. “Times of Israel” ka njoftuar se është votuar që të dërgohet një delegacion në Katar për bisedime shtesë.

Mësohet se armëpushimi do të jetë gjashtëjavorë, ndërsa do të lirohen 35-40 pengje (gra, fëmijë, ushtare, të moshuar dhe të sëmurë).

Një delegacion i zyrtarëve të lartë të sigurisë u kthye nga Parisi të shtunën pas bisedimeve të mbajtura atje. Kabineti i Luftës i Izraelit mbajti një mbledhje elektronike të shtunën pasdite për të biseduar për “një marrëveshje”.

Lufta Izrael – Hamas nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën brenda territorit izraelit duke vrarë rreth 1200 persona e marrë afro 250 pengje.

Si kundërpërgjigje Izraeli nisi ofensivën në Gaza. Në ofensivën izraelite në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazas, janë vrarë mbi 29 mijë persona, kryesisht gra e fëmijë.