Botë

Hamasi pajtohet për lirimin e 10 pengjeve si pjesë e bisedimeve për armëpushim në Gazë

Hamas

Foto: Associated Press

Zyrtarë të lartë të grupit militant palestinez, Hamas, janë pajtuar të mërkurën për të liruar 10 pengje izraelite si pjesë e përpjekjeve për të arritur marrëveshje të armëpushimit në Rripin e Gazës, teksa kanë shtuar se bisedimet janë “të vështira” për shkak të “kokëfortësisë” së Izraelit, ka raportuar Reuters.

Sipas grupit militant, bisedimet aktuale për armëpushim kanë disa çështje të diskutueshme, që përfshijnë futjen e ndihmave humanitare, tërheqjen e forcave izraelite nga territori i enklavës dhe garancat e mirëfillta për “armëpushim të përhershëm”.

Lufta nisi pasi Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 251 të tjerë.

Shumica e pengjeve janë liruar gjatë armëpushimeve të mëparshme.

Ofensiva e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 57.000 palestinezë, mbi gjysma e tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ministria, e cila është pjesë e qeverisë së Gazës që udhëhiqet nga Hamasi, nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare i konsiderojnë shifrat e saj si statistikat më të besueshme për viktimat e luftës.