Qindra persona janë shpëtuar nga një qendër mashtrimi në Filipine, që i detyronte ata të shtireshin online si të dashuruar, ka raportuar “BBC”.
Policia tha se bastisi qendrën të enjten dhe shpëtoi 383 filipinas, 202 kinezë dhe 73 shtetas tjerë të huaj.
Qendra, që është rreth 100 kilometra në veri të Manilas, ishte kamufluar si një bastore online, treguan autoritetet.
Azia Juglindore është bërë qendër e këtyre mashtrimeve, ku mashtruesit vetë janë persona që janë të ngujuar dhe detyrohen të kryejnë aktivitete kriminale.
Viktimat e reja dhe me njohuri në teknologji, shpesh joshen për të kryer këto operacione të paligjshme, që sillen nga pastrimi i parave dhe mashtrimi me kriptovaluta e deri te të ashtuquajturat mashtrime dashurie.
Edhe
Qindra të huaj lirohen nga qendrat e mashtrimit në Birmani
Këto të fundit njihen edhe si mashtrimet e “therjes së derrave”, të emërtuara sipas praktikës bujqësore të majmërisë së derrave përpara therjes së tyre.
Këto zakonisht fillojnë ku mashtruesit marrin një identitet fals për të fituar pëlqimin dhe besimin e viktimës – dhe më pas iluzionin për një marrëdhënie romantike apo intime, që të manipulohet viktima apo të vidhet nga ajo.
Këto shpesh ndodhin duke bindur viktimat të investojnë në skema mashtrimi apo biznese.
Bastisjet në afërsi të Manilas u nxitën nga një lajmërim nga një burrë vietnamez. Ai kishte arritur të ikte muajin e kaluar nga qendra e mashtrimit, ka deklaruar policia.
Burri, që është në 30-t, kishte arritur në Filipine në janar të këtij viti, pasi i ishte ofruar një punë siç iu tha si kuzhinier.
Por, Winston Casio, zëdhënës për komisionin presidencial kundër krimit të organizuar, ka treguar se si vietnamezi kishte kuptuar se ai së bashku me qindra tjerë kishin rënë viktima të trafikuesve me qenie njerëzore, që po drejtonin skema mashtrimi.
Ata që kishin mbetur të ngujuar në qendrën Bamban u detyruan të dërgonin “fjalë dashurie” te viktimat, shumica prej të cilëve ishin kinezë, ka thënë Casio.
Ata bisedonin me viktimën duke e pyetur rutinën ditore e më pas u dërgonin edhe foto.
Casio ka thënë se ata që drejtonin qendrën e mashtrimit kishin ngujuar “burra dhe gra të pashme, për t’i joshur viktimat”.
Edhe
Zjarr në një traget pasagjerësh në Filipine, pesë viktima dhe dhjetëra të zhdukur
Më 28 shkurt, burri nga Vietnami kishte ikur nga kompleksi duke e kapërcyer një mur dhe duke kaluar lumin më pas. Ai gjeti strehim në një fermë dhe pronari i fermës e raportoi rastin në polici.
Kishte shenja të torturave në trupin e burrit, ka thënë Casio.
Casio ka treguar se disa tjerë, që kishin tentuar të iknin, u kapën.
Policia sekuestroi gjatë bastisjes të së enjtes tri pushkë, një pistoletë 9 mm, dy revolverë të kalibrave .38 dhe 42 plumba.
Autoritetet ende janë në fazën fillestare të hetimit, pasi shumica e të shpëtuarve në bastisjen e të enjtes ende janë të “tronditur”.
Në maj, autoritetet filipinase shpëtuan mbi 1000 persona që po mbaheshin peng dhe po detyroheshin të drejtonin skema online mashtrimi në një zonë në qytetin Clark në veri të Manilas.
Një raport i Kombeve të Bashkuara në gusht ka treguar se qindra e mijëra persona në mbarë botën janë trafikuar në Azinë Juglinodre për të drejtuar skema online mashtrimi.
“BBC” më herët kishte treguar se si njerëzit bien pre e rrjetit kriminal.
Shumica janë nga shtetet e Azisë Juglindore si Kamboxhia dhe Birmania, të cilët i përgjigjen njoftimeve për vende pune dhe të cilëve u premtohen paga të majme. Ata ngujohen pasi arrijnë dhe kërcënohen nëse refuzojnë të marrin pjesë në skema mashtrimi. Ata që kanë shpëtuar kanë treguar për tortura dhe trajtim çnjerëzor.
Edhe
Punonjësit përballë epokës së AI-së
Ambasadat e huaja në shtetet si Kamboxhia e Tajlandë, kanë lëshuar paralajmërime për qytetarët që të kenë kujdes të mos bien pre e qendrave të mashtrimit.
Kina ndërkohë ka njoftuar për një shpërblesë të majme për ata që japin informata për kapjen e atyre që drejtojnë qendrat e mashtrimit nëpër Birmani. Këto qendra drejtohen nga familjet e mafisë kineze dhe shënjestrojnë shtetasit kinezë. Shumica e të arrestuarve u janë dorëzuar Kinës në muajt e fundit.