Botë

Qeveria e Benjamin Netanyahut shpëton nga rrëzimi

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka shpëtuar pasi një projektligj për shpërndarjen e parlamentit i paraqitur nga opozita dështoi të miratohej herët të enjten.

Partnerët e tij ultra-ortodoksë të koalicionit kërcënuan se do ta mbështesnin masën dhe do të detyronin zgjedhje të parakohshme, por u arrit një marrëveshje e minutës së fundit, raporton AP.

Votimi përfundoi me 61 kundër shpërndarjes dhe 53 pro, pasi disa nga ultra-ortodoksët tërhoqën kundërshtimin e tyre.

"Unë deklaroj se projektligji për shpërbërjen e Knessetit...i iniciuar nga anëtari i Knessetit, Oded Forer dhe grupi i tij i anëtarëve të Knessetit, nuk është miratuar dhe do të hiqet nga rendi i ditës”, ka thënë Amir Ohana, kreu i Knessetit.

Partitë ultra-ortodokse janë të zemëruara që qeveria nuk ka arritur të miratojë një ligj që përjashton komunitetin e tyre nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

Çështja e ka ndarë ashpër publikun izraelit gjatë luftës në Gaza.

Vota ishte sfida më serioze për qeverinë e Netanyahut që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023.

Opozita nuk mund të sjellë përsëri një votim tjetër për shpërbërjen për të paktën gjashtë muaj.