Presidenti rus Vladimir Putin të dielën paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës se nëse Washingtoni vendos raketa me rreze të gjatë në Gjermani nga viti 2026, atëherë Rusia do të stacionojë raketa të ngjashme në distancë goditëse drejt Perëndimit.
SHBA-ja do të fillojë t’i vendosë raketat me rreze të gjata veprimi në Gjermani, në përpjekje për ta demonstruar angazhimin e saj në NATO dhe në mbrojtjen evropiane, ka thënë SHBA-ja dhe Gjermania më herët këtë muaj, raporton “Reuters”.
“Vendosjet serike” të SHBA-së janë si përgatitje për stacionim afatgjatë të aftësive të tilla, që do të përfshijnë SM-6, raketat “Tomahawk” dhe armë hipersonike që kanë rreze më të gjatë sesa aftësitë aktuale në Evropë, ka thënë Berlini dhe Washingtoni.
Në një fjalim për marinarët nga Rusia, Kina, Algjeria dhe India për ta shënjuar ditën e marinës ruse, Putini paralajmëroi SHBA-në se rrezikon nisjen e krizës raketore të stilit të Luftës së Ftohtë me këtë lëvizje.
“Koha e fluturimi për në shënjestrat në territorin tonë për raketat e tilla, që në të ardhmen mund të pajisen me armë bërthamore, do të jetë rreth 10 minuta”, tha Putini. “Do të marrim masa, marrë parasysh veprimet e SHBA-së, satelitët e tyre në Evropë dhe në rajonet e tjera të botës”.
Putini tha se SHBA-ja është duke nxitur tensione dhe se e transferoi sistemin raktetor “Typhon” në Danimarkë dhe Filipine. Ai i krahasoi planet e SHBA-së me vendimin e NATO-s për vendosjen e lëshuesve Pershing II në Evropën Perëndimore në vitin 1979.
Putini përsëriti një paralajmërim në të hershëm se Rusia mund ta rinisë prodhimin e raketave bërthamore me rreze të mesme dhe të shkurtër dhe më pas ta shqyrtojë se ku t'i vendosë ato, meqë Shtetet e Bashkuara sollën raketa të ngjashme në Evropë dhe Azi.