Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Putini, dora në hije që ndihmoi Trumpin

Në rastin e Rusisë, thuhet në raport, vendi ka bërë përpjekje për ta minuar kandidaturën e Bidenit, të cilin e shihte si në kundërshtim me interesat e Kremlinit, ani pse bëri disa hapa për t’u përgatitur për administratë të Partisë Demokrate teksa zgjedhjet po afroheshin

Presidenti rus, Vladimir Putin, autorizoi operacione të ndërhyrjes për ta ndihmuar Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar, thuhet në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane që zbuloi plane të gjera nga Kremlini dhe Irani për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, por deri më tani nuk ka pasur prova se ndonjë faktor i jashtëm ndryshoi votat ose prishi procesin e votimit.

Raporti i publikuar të martën vonë nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare përfaqëson vlerësimin më të detajuar të një numri kërcënimesh të huaja për zgjedhjet e vitit 2020. Këto përfshinin përpjekjet nga Irani për të minuar besimin në votim dhe për të dëmtuar perspektivat e rizgjedhjes së Trumpit, si dhe operacionet e Moskës që u mbështetën tek aleatët e Trumpit për të shpifur ndaj Joe Bidenit, fituesit të zgjedhjeve presidenciale.

Pavarësisht këtyre kërcënimeve, zyrtarët e inteligjencës nuk gjetën “asnjë fakt se ndonjë akter i huaj u përpoq të ndërhynte në zgjedhjet amerikane në vitin 2020, duke ndryshuar ndonjë aspekt teknik të procesit të votimit, duke përfshirë regjistrimin e votuesve, hedhjen e votave, përpilimin e votave ose raportimin e rezultateve”.

Raporti është konfirmimi më i ri zyrtar i integritetit të zgjedhjeve, edhe pse mbështetësit e Trumpit vazhdojnë të bëjnë pretendime të rreme për ndërhyrjen ruse, nga aktorë të huaj ose vendas, dhe refuzojnë të pranojnë fitoren e Bidenit. Gjykata të shumta dhe madje edhe vetë Departamenti i Drejtësisë së administratës Trump hodhi poshtë pretendimet për manipulimin e votave.

Dokumenti qartëson se edhe pse Trumpi pareshtur ka kritikuar legjitimitetin e zgjedhjeve, zyrtarët e inteligjencës besojnë se Rusia u përpoq të ndikonte te njerëzit e afërt me Trumpin, si një mënyrë për t’i kthyer zgjedhjet në favor të tijin.

Planet e ndryshme

Raporti, i refuzuar nga Rusia si “i paqëndrueshëm”, përfshihet në detyrën e ngarkuar politikisht për të zbuluar se cilët kundërshtarë të huaj mbështetën kandidatët gjatë zgjedhjeve të vitit 2020, një çështje që mbizotëroi ballinat e gazetave amerikane gjatë vitit të kaluar. Trumpi, fushata e të cilit e vitit 2016 përfitoi nga pirateria nga oficerët e inteligjencës ruse dhe nga përpjekja e fshehtë e mediave sociale, rroki vëmendjen e një raporti të inteligjencës gjatë muajit gusht. Ky raport konfirmonte se Kina preferonte një presidencë të Bidenit - edhe pse i njëjti raport gjithashtu tha se Rusia po punonte për të rritur kandidaturën e vetë Trumpit duke përçmuar Bidenin.

Raporti i së martës, megjithatë, thotë se Kina në fund të fundit nuk ndërhyri në asnjërën palë zgjedhje dhe “e mendoi por nuk vendosi” për operacione ndikimi që synonin të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve. Zyrtarët amerikanë besojnë se Pekini i dha përparësi një marrëdhënieje të qëndrueshme me SHBA-në dhe nuk e konsideroi as rezultatin e zgjedhjeve si mjaft të favorshëm që të rrezikonte “kundërpërgjigjen” që do të pasohej nga SHBA-ja nëse do të kapej për ndërhyrjet.

Kërcënimet kryesore erdhën nga Rusia dhe Irani, megjithëse me qëllime dhe mjete të ndryshme, raportuan zyrtarët e inteligjencës.

Image

Rusët kundër Bidenit

Në rastin e Rusisë, thuhet në raport, vendi ka bërë përpjekje për ta minuar kandidaturën e Bidenit, të cilin e shihte si në kundërshtim me interesat e Kremlinit, ani pse bëri disa hapa për t’u përgatitur për administratë të Partisë Demokrate teksa zgjedhjet po afroheshin.

Raporti gjithashtu thotë se Putini autorizoi operacione të ndikimit që synonin denigrimin e Bidenit, ngritjen e Trumpit, minimin e besimit në zgjedhje dhe thellimin e ndarjeve shoqërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Thelbësore në përpjekjet e Rusisë ishte mbështetja në përfaqësues të lidhur me inteligjencën ruse me qëllim “që të pastroheshin narrativat e ndikimit”, duke përdorur organizata të mediave, zyrtarë amerikanë dhe njerëz të afërm me Trumpin. Krejt këto për të nxitur akuza “të rreme ose të pabazuara” kundër Bidenit.

Zyrtarët e inteligjencës nuk veçuan asnjë aleat të Trumpit në këto përpjekje ruse. Mirëpo, bashkëpunëtori i rryer i tij, Rudy Giuliani, u takua disa herë me ligjvënësin ukrainas, Andrii Derkach, i cili në vitin 2020 publikoi incizimet me shumë ndërhyrje të Bidenit, në një përpjekje për të lidhur kandidatin demokrat me akuzat e korrupsionit. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se e konsiderojnë Derkachun si një “agjent aktiv rus”, dhe në raportin e së martës thuhej se Putini ka pasur vendimmarrjen mbi aktivitetet e këtij agjenti.

Sidoqoftë, Rusia nuk ishte aq agresive sa në ciklet e zgjedhjeve të kaluara sa u përket përpjekjeve për të organizuar një sulm kibernetik ndaj infrastrukturës zgjedhore. Raporti thotë se operacionet kibernetike ruse, që synuan rrjetet shtetërore dhe të qeverisjes lokale vitin e kaluar ndoshta nuk ishin të përqendruara në zgjedhje dhe ishin në të vërtetë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për cak SHBA-në dhe entitetet globale.

Kremlini, të mërkurën, hodhi poshtë pretendimet e këtij raporti..

“Ne nuk pajtohemi me gjetjet e këtij raporti në lidhje me shtetin tonë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një konferencë për media.

“Rusia nuk ndërhyri në zgjedhjet e mëparshme dhe nuk ndërhyri as në zgjedhjet e vitit 2020, ashtu siç thuhej në raport”, shtoi ai.

Ai tha se Rusia “nuk ka asnjë lidhje me fushatat kundër asnjërit prej kandidatëve”, duke e quajtur raportin “të pabazuar”. Ai shprehu keqardhje që “materiale të tilla, larg prej cilësisë së lartë”, mund të përdoren si pretekst për sanksione të reja kundër Rusisë.

Plani i fshehtë iranian

Irani, ndërkohë, kreu fushatën e tij të ndikimit që synonte të dëmtonte përpjekjen e Trumpit për rizgjedhje. Kjo, sipas zyrtarëve amerikanë, me gjasë është miratuar nga lideri suprem ajetollah Ali Khamenei.

Një “operacion me cak shumë të qartë” - tema e një konference shtypi në tetor nga Drejtori i atëhershëm i Inteligjencës Kombëtare John Ratcliffe dhe Drejtori i FBI-së Christopher Wray - përfshiu një grumbull postash elektronike për votuesit demokratikë në shtetet vendimtare që pretendohej se ishin false nga grupi i djathtë ekstrem “Proud Boys”. Me këto letra votuesit u kërcënuan nëse nuk do të votonin për Trumpin.

Përpjekjet e Iranit, për të cilat zyrtarët thonë se ishin më agresive sesa në zgjedhjet e kaluara dhe vazhduan edhe pas përfundimit të zgjedhjeve, ishin përqendruara në thellimin e mosmarrëveshjeve të brendshme në SHBA. Kështu Teherani besonte se do t’i dëmtonte shanset e rizgjedhjes së Trumpit.

Megjithëse Irani u përpoq t’i shfrytëzonte dobësitë në faqet e zgjedhjeve shtetërore dhe bëri “kompromis entitetet e SHBA-së të lidhura me infrastrukturën zgjedhore si pjesë e një përpjekjeje të gjerë që kishte për cak shumë sektorë të krejt botës”. Irani nuk u përpoq t’i manipulonte votat ose të ndikonte në infrastrukturën zgjedhore .

Dokumenti me 15 faqe është një version i deklasifikuar i një raporti të ndërhyrjes në zgjedhje që iu dorëzua Trumpit më 7 janar, një ditë pas trazirës në Capitolin e Washingtonit që u nxit teksa Kongresi po mblidhej për t’i vërtetuar rezultatet e zgjedhjeve.

Një dokument i veçantë i publikuar të martën nga departamentet e Drejtësisë dhe Sigurisë Kombëtare arriti në përfundim të ngjashëm në lidhje me integritetin e zgjedhjeve, duke thënë se nuk kishte prova se ndonjë aktor i huaj kishte ndryshuar votat.

 

Artikuj të ngjashëm