Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja thotë se Irani u ofroi bashkëpunëtorëve të Bidenit të dhëna të vjedhura të Trumpit

Donald Trump

Donald Trump

Foto: Associated Press

Agjencitë federale të Shteteve të Bashkuara thonë se hakerët iranianë u dërguan emaile individëve të lidhur me fushatën e presidentit Joe Biden, të cilat përmbanin pjesë të të dhënave të vjedhura dhe jopublike të fushatës së ish-presidentit Donald Trump

Hakerët iranianë kanë shpërndarë informacione për fushatën zgjedhore të Donald Trumpit te njerëzit që ishin të lidhur me fushatën e presidentit Joe Biden, sipas agjencive të inteligjencës amerikane dhe FBI-së, raporton "BBC". 

Zyrtarët amerikanë besojnë se informacioni i marrë nga fushata e Trumpit është dërguar përmes emaileve në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut te njerëzit e lidhur me fushatën e Joe Bidenit - përpara se Bideni të tërhiqej nga gara për president.

Deri tani nuk ka prova se hakerët kanë marrë ndonjë përgjigje nga marrësit e emaileve.
Në gusht, zyrtarët kanë paralajmëruar se Irani shpreson të “ngjallë mosmarrëveshje” dhe ta minojë besimin në institucionet e SHBA-së përpara zgjedhjeve të nëntorit.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Irani ka përdorur “inxhinieri sociale dhe përpjekje të tjera” për të gjetur qasje të drejtpërdrejtë në fushatat demokrate dhe republikane – taktikë që kanë thënë se është përdorur si nga Irani ashtu edhe nga Rusia në vendet e tjera të botës.

Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë se “autorët keqdashës iranianë kanë vazhduar përpjekjet e tyre që nga qershori për të dërguar materiale të vjedhura, jopublike lidhur me fushatën e ish-presidentit Trump në organizatat e mediave amerikane”.

Edhe Irani ka hakuar fushatën e Trumpit, konfirmon inteligjenca amerikane Botë Irani ka hakuar fushatën e Trumpit, konfirmon inteligjenca amerikane

Zëdhënësja e fushatës së Trumpit, Karoline Leavitt ka thënë se hakimi është provë se  Irani është duke “ndërhyrë në zgjedhje për ta ndihmuar Kamala Harrisin dhe Joe Bidenin sepse e dinë që ish-presidenti Trump do t’i rivendosë sanksionet e tij të ashpra dhe do të qëndrojë kundër regjimit të tyre të terrorit”.

Ajo ka thënë se Bideni dhe Harrisi duhet të shpjegojnë se çfarë i ka ndodhur materialit të dërguar te bashkëpunëtorët e Bidenit. 
“Çfarë dinë ata dhe kur e kanë ditur?”, ka pyetur Leavitt.

Ish-presidenti ka komentuar gjithashtu sa i përket hakimit të mërkurën, duke u thënë mbështetësve se “Irani u ka dhënë atyre materiale sepse Bideni po punon me Iranin”.

Morgan Finkelstein, zëdhënëse e fushatës Harris-Walz, ka thënë se fushata ka bashkëpunuar me autoritetet që kur e ka marrë vesh për hakimet.

“Nuk jemi në dijeni se ndonjë material është dërguar drejtpërdrejt në fushatë”, ka shtuar Finkelstein. “Disa individë janë shënjestruar në emailet e tyre personale me atë që duket të jetë përpjekje për të dëmtuar ose vjedhur informata të rëndësishme”.

Edhe Fushata e Trumpit thotë se mesazhet e brendshme i janë hakuar nga Irani Botë Fushata e Trumpit thotë se mesazhet e brendshme i janë hakuar nga Irani

Finkelstein ka shtuar se dënon “në termat më të fortë” çdo ndërhyrje të huaj në zgjedhje. 
FBI-ja ka shtuar në deklaratë se zyrtarët kanë qenë në kontakt me viktimat e hakimit dhe do të vazhdojë të hetojë me shpresën e “ndalimit të veprimeve nga kryesit”.

Një përfaqësues i përhershëm i Iranit në OKB ka thënë se “Irani nuk ka asnjë motiv dhe as synim për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së; dhe për këtë arsye ai hedh poshtë akuzat e tilla”.