Botë

Putin shpreson se bisedimet për paqe me Ukrainën do të vazhdojnë

Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti rus Vladimir Putin të premten ka deklaruar se shpreson që bisedimet për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës do të vazhdojnë dhe se grupet e punës mund të diskutojnë kompromise të mundshme, por ka theksuar se qëllimet e Moskës mbetën të pandryshuara.

Duke folur një javë para skadimit të afatit të vendosur nga presidenti amerikan Donald Trump që Rusia të pranojë një armëpushim në Ukrainë ose do të përballet me sanksione të reja, përfshirë ndaj shteteve që blejnë energjinë ruse, Putini nuk ka dhënë asnjë shenjë për ndonjë ndryshim në qëndrimin e Moskës, raporton Reuters.

Ai ka thënë se nëse dikush është i zhgënjyer nga rezultatet e bisedimeve të paqes deri tani, kjo është pasojë e pritshmërive të mëdha.

Putini ka shtuar se forcat ruse po sulmojnë Ukrainën përgjatë gjithë frontit dhe se dinamika është në favor të tyre, duke cituar njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes të enjten, që forcat e Moskës kishin pushtuar qytetin ukrainas Chasiv Yar pas një beteje 16-mujore.

Kievi zyrtar e mohoi se Chasiv Yar është nën kontroll të plotë të Rusisë.