Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin e të premtes në sallën e koncerteve në Moskë, do të ndëshkohen.
Në një fjalim të shtunën lidhur me sulmin terrorist që ka lënë të vdekur të paktën 115 persona, Putini ka deklaruar se sulmuesit janë kapur duke u munduar të iknin drejt Ukrainës.
"Të gjithë autorët dhe organizatorët e këtij krimi do të vuajnë dënimin e drejtë dhe të pashmangshëm. Kushdo qofshin ata, kushdo që i udhëzon. E përsëris, ne do të identifikojmë dhe ndëshkojmë të gjithë ata që qëndrojnë pas terroristëve, që përgatitën këtë mizori, këtë sulm ndaj Rusisë, ndaj popullit tonë", ka deklaruar ai.
Putini ka thënë se armiqtë nuk do të arrijnë t’i ndajnë, derisa sulmin e ka quajtur “një akt barbar terrorist”.
“Armiqtë tanë nuk do të na ndajnë”, ka shtuar presidenti rus.
Ka përmendur edhe Ukrainën.
“Të gjithë ata që qëlluan dhe vranë njerëz u gjetën dhe u arrestuan. Ata po lëviznin drejt Ukrainës, dhe në anën ukrainase ishte përgatitur një ‘dritare’ për të kaluar kufirin. Terroristët nuk kanë të ardhme”, ka thënë lideri rus.
Ai e ka shpallur të dielën ditë zie për viktimat e sulmit në Moskë.