Presidentët e Rusisë Vladimir Putin dhe ai i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan janë takuar të hënën në Sochi për të diskutuar lidhur me marrëveshjen e grurit.
Udhëheqësi turk kërkon ta bindë Rusinë të rikthejë marrëveshjen që i lejonte Ukrainës të eksportonte grurë dhe mallra të tjera nga tri porte të Detit të Zi, pavarësisht luftimeve që po zhvillohen në Ukrainë.
Në takim presidenti rus ka theksuar se “ritmi i zhvillimit të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Turqisë është ruajtur”.
Putin ka shtuar se vitin e kaluar qarkullimi tregtar midis dy vendeve u rrit me më shumë se 80 për qind.
Në muajin korrik, presidenti rus ka refuzuar të zgjasë marrëveshjen e grurit me Ukrainën, e cila u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara një vit më parë.
Rusia u ankua se një marrëveshje paralele që premtonte heqjen e pengesave ndaj eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave nuk ishte respektuar. / AP