Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Samiti në Rusi, pa rezultate

Putini shtoi se Rusia do ta analizojë propozimin e liderëve afrikanë për Ukrainën, detajet e të cilit nuk janë ndarë publikisht. Por udhëheqësi rus pyeti: “Pse na kërkoni të ndalojmë sulmin? Ne nuk mund ta ndalim sulmin derisa jemi duke u sulmuar”

(AP) – Ka përfunduar seria e takimeve dyditore mes udhëheqësve afrikanë dhe presidentit rus, Vladimir Putin, me pak rezultate mbi kërkesat e tyre për të rifilluar një marrëveshje të importit të grurit dhe për të gjetur një rrugë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Presidenti Putin në një konferencë shtypi pas samitit Rusi-Afrikë tha se pezullimi i Marrëveshjes së Grurit nga Rusia, në fillim të këtij muaji ka shkaktuar rritje të çmimeve të grurit, nga ku përfitojnë kompanitë ruse. Ai shtoi se Moska do të ndajë disa nga ato të ardhura me “kombet më të varfra”.

Ky premtim, pa detaje, pason atë të fundit, të Putinit, për të filluar dërgimin e 25 mijë deri në 50 mijë tonë drithërave falas në secilin nga gjashtë vendet afrikane në tre deri në katër muajt e ardhshëm – një sasi e vogël krahasuar me 725 mijë tonët e dërguara nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së në disa vende afrikane dhe të tjera, nën Marrëveshjen e Grurit. Rusia planifikon të dërgojë grurin falas në Burkina Faso, Zimbabve, Mali, Somali, Eritrea dhe Republikën e Afrikës Qendrore.

Më pak se 20 nga 54 krerët e shteteve ose qeverive të Afrikës morën pjesë në samitin e Rusisë, ndërsa 43 morën pjesë në mbledhjen e mëparshme në vitin 2019, duke reflektuar kështu shqetësimet për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, edhe pse Moska po vazhdon të kërkojë më shumë aleatë në kontinentin afrikan prej 1.3 miliard banorësh. Putini e vlerësoi Afrikën si një qendër në rritje të fuqisë në botë, ndërsa Kremlini fajësoi presionin “e egër” perëndimor për dekurajimin e disa vendeve afrikane që të merrnin pjesë në takimet e zhvilluara.

Presidentët e Egjiptit dhe Afrikës së Jugut ishin ndër më të hapurit për nevojën për të rifilluar marrëveshjen e grurit.

Edhe Zelensky thotë se G7-a u pajtua që Rusia nuk po e fiton luftën në Ukrainë Botë 1 muaj më parë Zelensky thotë se G7-a u pajtua që Rusia nuk po e fiton luftën në Ukrainë

“Ne do të donim që nisma e Detit të Zi të zbatohej dhe që Deti i Zi të ishte i hapur”, tha presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa. “Ne nuk jemi këtu për të kërkuar donacione për kontinentin afrikan”.

Putini shtoi gjithashtu se Rusia do të analizojë propozimin e liderëve afrikanë për Ukrainën, detajet e të cilit nuk janë ndarë publikisht. Por udhëheqësi rus pyeti: “Pse na kërkoni të ndalojmë sulmin? Ne nuk mund ta ndalim sulmin derisa jemi duke u sulmuar”.

Hapi tjetër i rëndësishëm në përpjekjet për paqe duket të jetë një samit i paqes i organizuar nga Ukraina, nikoqir i të cilit do të jetë Arabia Saudite në gusht. Rusia nuk është e ftuar.

Kombet e Afrikës përbëjnë bllokun më të madh të votimit në Kombet e Bashkuara dhe kanë qenë më të ndarë se çdo rajon tjetër në rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme mbi kritikat e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Edhe Putini “nuk sheh arsye” për ta takuar Zelenskyn Botë 1 muaj më parë Putini “nuk sheh arsye” për ta takuar Zelenskyn

Putini në adresimin e tij, të shtunën, minimizoi gjithashtu mungesën e tij në samitin ekonomik të BRICS në Afrikën e Jugut, muajin e ardhshëm, mes një polemike mbi një urdhër arresti të lëshuar kundër tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Prania e tij atje, tha Putini, nuk është “më e rëndësishme se prania ime këtu, në Rusi”.

Përktheu: Forca Jashari