Një punonjës i agjencisë japoneze të sigurisë bërthamore humbi telefonin e punës, që përmbante informacione të ndjeshme, gjatë një udhëtimi personal në Kinë, raportojnë mediat japoneze.
Telefoni përmbante të dhëna konfidenciale kontakti të stafit të përfshirë në punë të sigurisë bërthamore pranë Autoritetit të Rregullimit Bërthamor (NRA). Agjencia nuk mundi të konfirmojë nëse të dhënat janë rrjedhur, sipas raportimeve, transmeton "BBC".
Incidenti ndodh në një kohë kur Japonia po përpiqet ta ringjallë programin e saj të energjisë bërthamore, i cili ka qenë i bllokuar për më shumë se një dekadë.
Japonia urdhëroi mbylljen e të gjithë reaktorëve të centraleve bërthamore në vitin 2011, pasi një tërmet me shkallë 9 ballë Rihter dhe një cunami masiv shkaktuan shkrirje në centralin bërthamor të Fukushimës.
NRA u krijua pas katastrofës bërthamore të Fukushimës për ta mbikëqyrur sigurinë bërthamore, përfshirë rinisjen e reaktorëve të vendit.
Punonjësi i NRA-së besohet se e ka humbur telefonin e punës më 3 nëntor, gjatë një kontrolli sigurie në një Aeroport të Shanghait, ndërsa ishte në një udhëtim personal.
Ai vuri re mungesën e telefonit tre ditë më vonë dhe, pavarësisht se kontaktoi Aeroportin, nuk arriti ta rikuperojë atë.
NRA u jep telefona inteligjentë disa punonjësve, në mënyrë që ata të mund të reagojnë shpejt ndaj emergjencave, raportoi gazeta “Asahi”.
Sipas “Kyodo News”, departamenti i NRA-së merret me mbrojtjen e materialeve bërthamore nga kërcënime si vjedhja dhe terrorizmi në objektet e vendit.
NRA e ka raportuar incidentin te Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave Personale të vendit dhe ka paralajmëruar punonjësit që të mos i marrin telefonat e punës jashtë shtetit, raportuan mediat lokale.
Kjo nuk është hera e parë që zyrtarët bërthamorë të Japonisë bëhen lajm për shkelje të sigurisë.
Në vitin 2023, një punonjës në Centralin Bërthamor Kashiwazaki-Kariwa — objekti bërthamor më i madh në botë — humbi një grumbull dokumentesh pasi i vendosi mbi makinën e tij dhe u largua me makinë.
Në nëntorin e kaluar, një tjetër punonjës në centralin Kashiwazaki-Kariwa u zbulua se kishte keqmenaxhuar dokumente konfidenciale duke bërë kopje të tyre dhe duke i mbyllur në një sirtar.
Ndërkohë, këtë javë, kompania Chubu Electric Power, një operator i centraleve bërthamore në Japoninë qendrore, tha se mund të ketë përdorur të dhëna të përzgjedhura në mënyrë të njëanshme gjatë kontrolleve të sigurisë për centralin e saj bërthamor.
NRA që atëherë ka pezulluar shqyrtimin për rinisjen e reaktorëve të Chubu, duke përmendur “fabrikimin e të dhënave kritike të inspektimit”, raportoi agjencia Reuters.