Botë

Pse Zelensky kërkoi një bostan në Kherson?

Ishte e rëndësishme të mbështeteshin njerëzit atje pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm, shtoi ai. Por pse një bostan?

Kur presidenti Volodymyr Zelensky vizitoi qytetin e sapoçliruar të Khersonit, ai bëri shaka se ishte atje sepse "deshi një bostan".

Ishte e rëndësishme të mbështeteshin njerëzit atje, pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm, shtoi ai. Por pse një bostan?

Presidenti po i referohej frutës që është bërë një meme në internet ditët e fundit - një frutë që është një simbol i rajonit jugor të Ukrainës.

Shumica e bostaneve në Ukrainë kultivohen në Kherson, një qytet bujqësor në Detin e Zi. Klima e tij e lagësht bën që frutat të lulëzojnë.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, eksportet e bostanit u ndalën. Siç tregojnë monumentet kushtuar bostanit atje, statusi i tij simbolik i paraprin pushtimit.

Fruta ka qenë prej kohësh i lidhur me rajonin, tha për BBC-në shefja e kuzhinës dhe gazetarja e ushqimit me origjinë ukrainase, Olia Hercules. Ajo u rrit në rajon dhe ka kujtime të gjyshit duke fermentuar një bostan në një vaskë në kopsht.

Image
Kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, eksportet e bostanit u ndalën. Siç tregojnë monumentet kushtuar bostanit atje, statusi i tij simbolik i paraprin pushtimit

Thuhet se bostanet janë futur në rajonin e Khersonit nga tatarët e Krimesë shekuj më parë. Në vitet 1940 dhe 50-ta, në vitet e brishta pas Luftës së Dytë Botërore, njerëzit në rajon zienin bostanin duke e shndërruar në reçel kur sheqeri vështirë mund të gjendej, tha zonja Hercules.

Pasi kishte vizituar Khersonin gjatë verës, ajo tha: "Unë gjithmonë e dija se isha në shtëpi kur shihja kamionë në anë të rrugës me njerëz që shisnin bostane".

Para luftës aktuale, një traditë vjetore televizive që shënon fillimin e sezonit të korrjes shfaqte një maune plot me bostane të largohej nga Khersoni për në Kiev përmes Lumit Dnjepër.

Sipas gazetës ukrainase në gjuhën angleze “Kyiv Post”, vetë udhëtimi vjetor me maune me bostan rifilloi në vitin 2017 pas një pauze 14-vjeçare. Emocioni për bostanet në atë kohë ishte aq i fuqishëm sa një llogari jozyrtare parodie në Twitter u hap në emër të "një bostani në maune".

Tradita jetëshkurtër nuk vazhdoi pas pushtimit rus, por imazhi i një bostani si nuskë për qytetin u ngrit për të përfaqësuar luftën e Khersonit për liri nën pushtim.

Kjo është arsyeja pse memeja e bostanit shpërtheu në popull, pasi trupat ruse ishin tërhequr përtej lumit.

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, postoi në Twitter një foto të tij duke mbajtur një bostan. Organizata të ndryshme, duke përfshirë ekipin e futbollit Dynamo Kyiv dhe postën kombëtare të Ukrainës, ripunuan përkohësisht logot e tyre për të përfshirë frutën.

Image

Khersoni u pushtua në fillim të marsit, menjëherë pasi Rusia filloi pushtimin e saj - dhe ishte i vetmi kryeqytet rajonal që u pushtua nga Rusia në luftë.

Rajoni i Khersonit ishte atëherë një nga katër rajonet që u aneksua ilegalisht nga Rusia pas referendumeve të vetëquajtura në shtator.

Pas tërheqjes së Rusisë nga qyteti, zyrtarët paralajmëruan të dielën se lufta është "larg mbarimit". Por vendësit ishin të gëzuar në sheshin qendror të Khersonit dhe shumë u bashkuan me miqtë dhe të dashurit që nuk i kishin parë prej muajsh.

Teksa banorët e Khersonit festonin, bostanet zunë sërish qendrën e skenës - disa trupave ukrainase iu dorëzuan frutat kur hynë në qytet.

Një video tregoi vendasit duke përqafuar një ushtar ukrainas që shtrëngonte një bostan të rëndë në gjoks.

Në një video tjetër që tregon festime të ngjashme në Odesën fqinje, nxënësit e shkollës luanin me një top me ngjyrë bostani.

Përktheu: Forca Jashari