Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pse Kina nuk dërgoi trupa në Kazakistan?

Kina i ofroi Kazakistanit mbështetje të plotë për masat e ndërmarra vdekjeprurëse për të shuar trazirat e dhunshme, por me t’u vendosur trupat e forcave speciale nga ana e Rusisë, Kina nuk reagoi më. Me shtrirje në perëndim të Kinës e i pasur me rezerva burimore, Kazakistani ka rëndësi ekonomike dhe strategjike për Pekinin dhe shërben si urë lidhëse në iniciativën infrastrukturore “Rripi dhe Rruga” të Kinës për të rritur tregtinë globale dhe ndikimin politik në rivalitet me SHBA-në dhe aleatët e saj.

Reagimi i Kinës kundrejt krizës vë në pah preferencat e veta për të ofruar ndihmë dhe siguri verbale pa angazhuar trupa.

“Afërsia e vazhdueshme në mes Kinës dhe Rusisë na tregon që mund të shpresojmë për më shumë përkrahje retorike për ndërmarrjet e Moskës jashtë shtetit, veçanërisht kur ato bien ndesh me qëllimet gjeostrategjike perëndimore”, tha Rana Mitter, eksperte e Kinës në Universitetin e Oksfordit.

“Megjithatë, Kina heziton jashtëzakonisht shumë për të vendosur trupa të Ushtrisë Çlirimtare Popullore jashtë territorit të saj, përveç në zona të tilla si operacionet paqeruajtëse të OKB-së, pasi që do të binte ndesh me deklaratat e veta që ndryshe nga SHBA-ja, Kina nuk ndërhyn në konfliktet e vendeve të tjera”, shtoi Mitter.

Qëllimet e Kinës në Azinë Qendrore

Edhe OpEd Kufijtë e partneritetit “pa kufij” mes Xisë e Putinit

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, Kina vazhdimisht e ka zgjeruar ndikimin e saj ekonomik dhe politik në një rajon që Rusia e konsideron si pjesë të vetës. Si shteti më i madh dhe deri tani më i pasur i Azisë Qendrore, Kazakistani shërben si urë lidhëse në iniciativën “Rripi dhe Rruga” të Kinës dhe politikat e tij autoritare shërbejnë si mburojë kundër lëvizjeve demokratike në Ukrainë e më gjerë, që Kina i përqesh e i konsideron si “revolucione me ngjyra‘ të projektuara nga Perëndimi.

Partia Komuniste në pushtet e Kinës, e cila me dhunë shtypi sfidat pro-demokratike të vitit 1989, lëvizjet e tilla, qoftë në Gjeorgji apo në Hong-Kong, i sheh si kërcënim për stabilitetin e saj. Në një mesazh drejtuar presidentit të Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, lideri kinez, Xi Jinping, tha se vendi i tij do të “kundërshtojë me plot vendosmëri forcat e jashtme që qëllimisht krijojnë trazira dhe nxisin ‘revolucione me ngjyra’ në Kazakistan”.

Pozita e Kinës përputhet me kundërshtimin e saj të ashpër ndaj kritikave të jashtme të politikave të saj, qofshin ato të të drejtave të njeriut apo pretendimet e saj të gjera territoriale në Detin e Kinës Jugore, si ndërhyrje në punët e saj të brendshme.

Sidoqoftë, ndikimi i Kinës në Azinë Qendrore ende është i limituar dhe Kazakistani mund të mos ndihet i qetë në thirrjen e trupave kineze, duke pasur parasysh trajtimin e ashpër të Kinës ndaj kazakëve etnikë dhe pakicave të tjera myslimane brenda kufijve të saj, tha Steve Tsang, drejtor i Institutit të Kinës të Shkollës së Studimeve Orientale dhe Afrikane në Universitetin e Londrës.

“Një element i rëndësishëm i politikave të huaja të Kinës nën qeverisjen e Xi është ta bëjë botën të sigurt për shtetet autoritare dhe ta ndalojë përhapjen e revolucioneve me ngjyra”, shtoi Tsang.

Kur ndërhyn Kina?

Kina shpesh zotohet të hakmerret për çdo kritikë ndaj politikave të saj, veçanërisht kur këto kritika bëhen nga SHBA-ja dhe aleatët e saj. Është shumë më miqësore me autokratët, duke u zotuar për mosndërhyrje dhe bashkëpunim me këdo që është në pushtet, pavarësisht nga të dhënat e tyre për të drejtat e njeriut dhe korrupsionin.

Edhe Kina akuzon NATO-n për shkaktim të kaosit, i kërkon të qëndrojë larg Azisë Botë Kina akuzon NATO-n për shkaktim të kaosit, i kërkon të qëndrojë larg Azisë

Kjo dëshmohet në marrëdhëniet e saj me regjimet që të tjerët kritikojnë, nga udhëheqësit ushtarakë të Birmanisë deri te Viktor Orban i Hungarisë. Ndërsa nuk i njeh talebanët, ai po mbron bastet e veta në Afganistan duke punuar me udhëheqësit aktualë të vendit, pavarësisht përkrahjes së tyre për formën e islamit radikal që Pekini ka kërkuar të pengojë depërtimin në rajonin e madh mysliman, Xinjiang, i cili ndan një kufi të ngushtë me Afganistanin dhe shumë më të madh me Kazakistanin.

Kina përgjithësisht nuk vepron dhe e ruan ushtrinë për ato raste kur siguria e saj kërcënohet, si në Luftën Koreane të viteve 1950-53, ose kohëve e fundit, në incidentet e dhunshme përgjatë kufirit të saj me Indinë dhe veçanërisht me Tajvanin, të cilin Kina kërcënon ta pushtojë nëse nuk pranon të bashkohet. Pekini u përgjigj me tregti të pamëshirshme dhe hakmarrje diplomatike kundër Lituanisë, pasi që ky shtet i vogël baltik shkeli konventën diplomatike, duke lejuar Tajvanin të hapte një zyrë përfaqësuese në Vilnius me emrin "Tajvan" në vend të "Taipei kinez".

Si i sheh Kina aleancat ushtarake?

Trupat, kryesisht nga Rusia, u zhvendosën në Kazakistan javën e shkuar nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive(CSTO), grup prej gjashtë shtetesh ish-sovjetike, me kërkesë të presidentit mes dhunës së pashembullt. Kina zyrtarisht shmang aleanca të tilla sigurie, megjithëse Organizata e Bashkëpunimit të Shangait, të cilën Pekini e zotëron së bashku me Moskën, ka një element sigurie që aktualisht është i kufizuar në trajnime të përbashkëta dhe misione të tjera joluftarake.

Ndryshe nga CSTO-ja, nuk ka “asnjë marrëveshje për dërgimin e trupave nga shtetet anëtare të SCO”, tha eksperti kinez i sigurisë ndërkombëtare, Li Vei. “Përveç kësaj, Kina i përmbahet parimit themelor të mospërdorimit të forcave ushtarake në vendet e tjera”.

Operacionet paqeruajtëse të OKB-së mbeten përjashtim dhe Kina thekson se është kontribuuesi më i madh i forcave në misione të tilla midis pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Edhe Kina e Rusia nuk janë aleate të natyrshme kundër Amerikës Shtojca për Kulturë Kina e Rusia nuk janë aleate të natyrshme kundër Amerikës

Duke pasur parasysh rritjen e fuqisë së ushtrisë kineze, disa ekspertë shpresojnë që Pekini të bëhet më i dëgjueshëm ndaj ndërhyrjeve ushtarake në të ardhmen. Mitter i Oksfordit gjithashtu thekson rritjen e një "zone gri" të ndërmarrjeve private të sigurisë kineze që mund të përdoren për të mbrojtur interesat kineze "pa ndonjë ndërhyrje formale të qeverisë".

Përktheu: Shukrie Sadiku