Me qindra protestues të grupit aktivist për klimën “Extinction Rebellion” kanë bllokuar njërën prej rrugëve kryesore të qytetit të Hagës, në fillimin e javës së protestave para hapjes së konferencës së Kombeve të Bashkuara për klimën në fund të muajit të ardhshëm.
Demonstrata ka nisur kur protestuesit e vendosën në mes të rrugës një barkë të verdhë motorike, në të cilën ishin shkruar fjalët “Qytetarët vendosin”.
Aktivistë të tjerë vërshuan një tjetër rrugë të afërt dhe nisën që t’i bllokonin kalimet përreth, teksa forcat policore po i vëzhgonin zhvillimet.
Demonstrata në Hagë është mbajtur një ditë pasi që me mijëra qytetarë morën pjesë në një protestë në Bruksel, për t’i nxitur liderët botërorë që të ndërmarrin veprime më të vendosura në luftimin e krizës klimatike para samitit të Skocisë muajin e ardhshëm.