Presidenti i ri i Tajvanit, Lai Ching-te ka thënë pas fitores së zgjedhjeve presidenciale se do ta mbrojë ishullin nga “kërcënimet dhe frikësimet e Kinës”.
"Ne jemi të vendosur të mbrojmë Tajvanin nga kërcënimet dhe frikësimet e vazhdueshme të Kinës”, ka thënë presidenti i sapozgjedhur, përfaqësues i Partisë Demokratike Progresive (DPP) në pushtet, në një fjalim për mbështetësit e tij.
Ai uroi popullatën për “rezistencën e suksesshme ndaj përpjekjeve të fuqive të huaja për të ndikuar në zgjedhje”.
Votuesit zgjodhën sot presidentin e ri të Tajvanit dhe anëtarët e Kuvendit.
Pas një fushate të shënuar nga presioni i fortë diplomatik dhe ushtarak nga Kina, Lai fitoi zgjedhjet presidenciale me 40.1 për qind të votave, sipas 99.9 për qind të votave të numëruara. Ai merr detyrën më 20 maj.
Kina vlerësoi përpara zgjedhjeve se Lai përbënte një rrezik serioz për shkak të pikëpamjeve të tij në mbështetje të pavarësisë së Tajvanit, të cilin Kina e konsideron territorin e saj.
Kundërshtari i tij kryesor, Hou Jou-ji, një kandidat nga opozita Kuomintang (KMT) që mbron afrimin me Pekinin, mori 33.5 për qind të votave.
Edhe
Presidenti i ri i Tajvanit i kërkon Kinës t’i ndalë kërcënimet
Kina, e cila e konsideron Tajvanin një nga provincat e saj, u bëri thirrje votuesve përpara zgjedhjeve të bëjnë zgjedhje të mirë dhe premtoi se ushtria e saj do të shtypte çdo prirje drejt pavarësisë.
Gati 20 milionë njerëz patën të drejtën e votës në zgjedhjet presidenciale, në të cilat fitues është kandidati me më shumë vota, pa rund të dytë.
Lai dhe presidenti aktual Tsai In-wen hedhin poshtë pretendimet e Kinës mbi Tajvanin, por janë ofruar për bisedime me Pekinin, i cili ka refuzuar vazhdimisht të bisedojë me ta, duke i quajtur separatistë.