Dyzetmijë fëmijë kanë parë njërin ose të dy prindërit duke u arrestuar në luftën gati dyvjeçare të presidentit Nayib Bukele, kundër bandave të El Salvadorit, sipas Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Sociale
(AP) - Alexit i rrjedhin lotët nëpër faqe, teksa e kap kokën duke menduar për më shumë se një vit ditëlindjet dhe pushimet pa nënën e tij, e cila u mor nga policia e El Salvadorit ndërsa ajo po shkonte për të punuar në një fabrikë veshjesh.
“Ndihem shumë i vetmuar”, ka thënë 10-vjeçari muajin e kaluar teksa ishte ulur pranë vëllait të tij 8-vjeçar dhe gjyshes së tyre. "Kam frikë, ndiej se ata mund të vijnë përsëri dhe mund të marrin një pjesëtar tjetër të familjes sime”.
Dyzetmijë fëmijë kanë parë njërin ose të dy prindërit duke u arrestuar në luftën gati dyvjeçare të presidentit Nayib Bukele, kundër bandave të El Salvadorit, sipas Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Sociale.
Këto raportime janë ndarë nga një zyrtar i Këshillit Kombëtar për Fëmijët dhe Adoleshentët, i cili këmbënguli në anonimitet për shkak të frikës nga hakmarrja e qeverisë kundër atyre që shkelin kontrollin e saj të rreptë për dhënie të informacionit. Zyrtari ka thënë se ka edhe shumë fëmijë të tjerë të cilët janë arrestuar, por nuk janë në të dhëna.

Arrestimit për ta “këputur zinxhirin e dhunës” që ka përfshirë El Salvadorin
Edhe
“Diktatura” e El Salvadorit sjell siguri mes banorëve
Duke arrestuar më shumë se 1% të popullsisë së vendit të tij, Bukele, që duket se po shkon drejt një mandati të dytë pesëvjeçar, po përpiqet të thyejë zinxhirin e dhunës që ka shkatërruar El Salvadorin për dekada. Po, shumë shqetësohen se varfëria e skajshme, traumat afatgjata dhe dështimet e qeverisë për t’i mbrojtur fëmijët e të burgosurve, mund të nxisin një valë të ardhshme të luftës së bandave.
"Fëmijët nuk kursehen nga trauma kur babai, vëllai ose nëna e tyre ndalohet, ata e mbajnë më vete këtë traumë", ka thënë Nancy Fajardo, avokate dhe ofruese e ndihmave që punon me 150 familje të tilla. “Ata ndihen sikur presidenti ua ka grabitur familjen. Kjo mund t'i shtyjë fëmijët që më vonë t'i bashkohen ndonjë bande si formë hakmarrjeje për gjithçka që po vuajnë”.
Juana Guadalupe Recinos Ventura i rriti djemtë e saj në një shtëpi të vogël betoni në një zonë të veshur nga grafiti i bandës “Barrio 18”. Familja nuk ishte kurrë e pasur, por ishte në gjendje t’i kalonte ditët.
Kur ajo u ndalua jashtë shtëpisë së saj në qershor të vitit 2022, me akuza të paqarta për "mbledhje të paligjshme", gjyshja e djalit, María Concepción Ventura, mbeti duke u përpjekur t’i ushqejë Alexin dhe vëllain e tij dhe për të paguar faturat, të gjitha pa rrogën e vajzës së saj.
Varfëria në El Salvador po rritet, e kjo i bën fëmijët edhe më të prekshëm.
“Ata akoma qajnë dhe qajnë pa pushim kur e kujtojnë atë”, ka thënë Ventura. “Ata thjesht më pyesnin: ‘Kur do të kthehet nëna? Kur do të kthehet mamaja ime?’ Dhe thjesht më duhej t’ju them se nuk e di se kur do ta lërë të lirë qeveria” .

Rreziku që fëmijët e braktisur të orientohen në rrugën e krimit
Për këtë bëjnë jehonë punonjësit socialë, të afërmit, udhëheqësit fetarë dhe madje edhe nënpresidenti Félix Ulloa, i cili tha në një intervistë se, "nëse shteti nuk bën diçka, këta fëmijë do të bëhen kriminelët e së ardhmes".
Shtëpia e Alexit, në qytetin perëndimor të Santa Ana, është vendi ku dy banda dikur ndanin territorin e tyre.
Bandat “Mara Salvatrucha” dhe “Barrio 18” të El Salvadorit e kishin origjinën nga komunitetet e margjinalizuara të emigrantëve në Los Angelos në vitet 1980, të përbëra pjesërisht nga të mitur të pashoqëruar që iknin nga konfliktet ushtarake të Amerikës Qendrore. Pasi u deportuan nga Shtetet e Bashkuara, bandat filluan të joshin të rinjtë, në situata të pasigurta, në komunitetet e tyre në El Salvador, duke nxitur përfundimisht valë të reja emigracioni ndërsa familjet iknin nga tmerri i tyre.
Në përpjekjen e tij për t’i çrrënjosur bandat, Bukele ka arrestuar mbi 76 mijë salvadorianë, shumë prej të cilëve me prova të pakta. Familjet kalojnë muaj pa marrë ndonjë lajm për të dashurit e tyre të burgosur. Grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar abuzime të të drejtave të njeriut.
Goditja ka pasur mbështetje të gjerë nga salvadorianët, që kanë mundur të rimarrin lagjet e tyre, por fëmijët e mbetur pa prindër janë dëmi më i lartë.
Ndërsa fëmijët më të vegjël ndihen të braktisur ose të hutuar nga arsyeja e largimit të prindërve të tyre, adoleshentët mbeten ashpërsisht të pakënaqur ose të frikësuar nga autoritetet.
Në një komunitet të San Salvadorit, fqinjët po mbajnë në përkujdesje fëmijë deri në 3 vjeç, duke ndarë barrën ekonomike në mënyrë që fëmijët të mos përfundojnë në sistemin qeveritar, ku ata shqetësohen se mund të pësojnë abuzim seksual ose fizik. Fëmijët që trajtohen nga sistemi shpesh përfundojnë në rrugë, ka thënë një udhëheqës lokal i cili kërkoi të mbetej anonim, sepse kishte frikë nga hakmarrja e qeverisë.
Edhe
Megaburgu në El Salvador ku Trumpi do t’i dërgojë imigrantët ilegalë të rrezikshëm
"Ata janë fëmijë, ata nuk janë fajtorë edhe nëse prindërit e tyre kanë bërë keq", ka thënë ai. "Por janë ata të cilët janë detyruar të vuajnë".
Në Santa Ana, një gjyshe 61-vjeçare duhej të merrte tetë nipër e mbesa nën kujdesje, duke i ushqyer me vetëm 30 dollarët në javë që ajo bën duke mbledhur gjethe për të mbështjellë “tamales” dhe ndihmën nga kisha lokale. Fëmijët kanë thënë se, pavarësisht se janë të pafajshëm, ata trajtohen si kriminelë nga fqinjët.
"Tani, ata na shikojnë sikur të ishim llum," ka thënë 14-vjeçarja Nicole, e cila ende dëshiron të bëhet police.
Alexit dhimbja i kthehet kur i kujton momente me nënën e tij.
I mungon nëna e tij, që e ndihmonte me detyrat e shkollës, dhe ka ankthe nga ideja se policia mund të vijë për t'ia marrë pjesën tjetër të familjes. Kur ngacmohej nga fëmijët e tjerë në shkollë, nëna e tij shkonte te mësuesit për t’i dalë në mbrojte. Deri vitin e kaluar, familja hidhte fishekzjarrë së bashku për Krishtlindje në rrugicën jashtë shtëpisë së tyre.
Megjithatë, përpara se policia ta kontrollonte lagjen, familja shpesh dëgjonte të shtëna nga bandat, të cilat pastaj zhdukeshin. Familja nuk i linte kurrë fëmijët të luanin jashtë.
Tani Alexi dhe vëllai i tij 8-vjeçar vrapojnë pranë mureve ku qeveria ka pikturuar mbi mbishkrimet e bandave, kështu që María Concepción Ventura sheh përfitime nga kufizimi i qeverisë.
“Ata thjesht duhet t’i lirojnë të pafajshmit. Fajtorët duhet të paguajnë çmimin, por duhet të lënë të pafajshmit të ikin,” ka thënë Ventura, duke shtuar se marrja e vajzës së saj nga policia e shtyu të mos votonte në zgjedhjet e El Salvadorit.
Qeveria e El Salvadorit ka pranuar se "ka bërë gabime" dhe ka liruar rreth 7 mijë persona.
Qeveria ka promovuar një program për të rinjtë si "strategji sigurie", e cila përfshin hapjen e bibliotekave dhe zonave rekreative në zonat e dikurshme të shkatërruara nga dhuna dhe t’u sigurojë nxënësve në shkolla publike laptopë e tabletë.
“Shumë nga të arrestuarit ishin fëmijë për të cilët shteti nuk kujdesej, jetimë të luftës, fëmijë prindërit e të cilëve kishin shkuar në Shtetet e Bashkuara, ose që vdiqën dhe kështu ata u rritën në familje jofunksionale. Qeveritë e kaluara nuk e bënë këtë asgjë për ta,” ka thënë Ulloa, gjatë rrugës për mandat të dytë si zëvendëspresident. "Dhe shikoni se çfarë kemi tani – kriminelë”.
Ulloa ka thënë se administrata ishte "100% e detyruar" të siguronte fëmijët e salvadorasve të arrestuar, por ai nuk mund të listonte shembull të asaj se çfarë po bënte për ta qeveria.
Asnjë nga pesë familjet e intervistuara nuk ka thënë se kishte marrë ndonjë ndihmë nga qeveria e Bukeles. Kishat lokale, që ndihmojnë qindra familje, kanë thënë se nuk kishin dëgjuar për ndonjë ndihmë qeveritare që u shpërndahej fëmijëve.
Edhe
Brenda burgut ku vuajnë dënimin “më të këqijtë” e El Salvadorit
“Edhe atëherë fëmijët kanë nevojë për më shumë se vetëm mbështetje monetare”, ka thënë Kenton Moody, prift i kishës lokale që i siguron familjes së Venturës ushqim.
"Këta fëmijë kanë nevojë për dashuri", ka thënë Moody. "Qeveria nuk mund të japë dashurinë, që vetëm familja mundet".
