Një dekadë më parë, El Salvadori përjetoi dhunën më të pamëshirshme, nga bandat që terrorizuan komunitetet me zhvatjen e bizneseve dhe luftërat brutale mbi kontrollin e lagjeve. Por gjërat kanë ndryshuar jashtëzakonisht shumë, për shkak të presidentit Nayib Bukele dhe kontrollit të tij mbi pushtetin. Kritikët argumentojnë se shtetasit e El Salvadorit e kanë shkëmbyer lirinë me sigurinë, por disa nga banorët thonë se nuk janë ndier kurrë kaq të lirë
Për dekada të tëra, shumë njerëz në El Salvador, kishin vetëm dy zgjedhje për të bërë: të largoheshin ose të vdisnin.
I njohur si “kryeqyteti botëror i vrasjeve”, El Salvadori me vetëm 6 milionë banorë, në vitin 2016, kishte një mesatare prej një vrasjeje në një orë.
Por tani, situata e sigurisë është aq ndryshe, sa njerëzit po kthehen, edhe pasi kanë ndërtuar jetë të reja, të mira, gjatë dekadave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Transformimi ka ndodhur për shkak të presidentit Nayib Bukele dhe kontrollit të tij mbi pushtetin, gjë që e ka lejuar atë të sjellë paqe në rrugë, megjithëse me një kosto.
Disa të drejta kushtetuese janë pezulluar si pasojë e masave emergjente, duke çuar në një rritje masive të numrit të të burgosurve dhe protesta nga grupet e të drejtave të njeriut.
I dëbuar, por tash mirënjohës
Kur Victor Bolaños dhe gruaja e tij, Blanca, humbën rastin gjyqësor lidhur me azilin në një gjykatë në SHBA, “ëndrra e tyre amerikane” u shemb.
Ata ranë dakord që të largoheshin vullnetarisht nga vendi, por çifti e dinte se duhej të linin pas jetën që kishin ndërtuar për më shumë se 15 vjet në Denver, dhe të ktheheshin në vendlindjen e tyre, në El Salvador.
“Ne u kthyem 6 vjet më parë dhe ishim tejet të pasigurt”, kujton Victor, i ulur në shtëpinë modeste që çifti tani ka në kryeqytetin, San Salvador. Edhe në moshën 65-vjeçare, zëri i tij mbart ende peshën e asaj, me të cilën çifti u përball në vitin 2018, kur u kthyen në vendlindje.
“Kur u kthyem, situata dukej e vështirë për shkak të pasigurisë, shumë grabitjeve e shumë bandave”, thotë ai.
Por, pas dy vjetëve të kthimit të tyre, ndodhi diçka e papritur.
Dhuna e pamëshirshme, e përditshme, filloi të zbehej dhe rrugët filluan të qetësoheshin. Frika mbytëse që përcaktonte jetën e përditshme filloi të shuhej.
El Salvadori, dikur sinonim i dhunës dhe valëve të emigrimit, përjetoi rënie dramatike të krimit.
Për shumë qytetarë, ky ndryshim ofroi më shumë sesa thjesht siguri. Ofroi shpresë shumë të nevojshme.
Edhe bota e vuri re.
Papritur, kombi i vogël i Amerikës Qendrore dukej se po rilindte veten nën pushtetin e presidentit Bukele, i cili mori detyrën në vitin 2019, në moshën 37-vjeçare.
Në San Salvador, gruaja e Victorit, Blanca, ulur në dhomën e saj të ndenjës, punon me kujdes bizhuteri të ndryshme.
“Tani, njeriu ndihet i sigurt, liria ndihet në vendin tonë”, thotë ajo.
Ajo dhe bashkëshorti i saj, Victor, thonë se siguria e përmirësuar i ka lejuar ata të fillojnë një biznes të vogël bizhuterish, diçka, që dikur dukej e pamundur.
“Tani mund të drejtojmë biznese. Ka sipërmarrës kudo në vend”, shton Blanca, duke reflektuar se si, jo shumë kohë më parë, zhvatja nga bandat, do të kishte gjymtuar një sipërmarrje të tillë.
Për dekada, njerëzit nga Amerika Qendrore, veçanërisht nga Trekëndëshi Verior i El Salvadorit, Hondurasit dhe Guatemalës, kanë ikur nga dhuna dhe pasiguria, duke kërkuar mbrojtje dhe mundësi në SHBA.
Largimi nga Houston-i
Qe 27 vjet, Diego Morales ka ndërtuar një jetë larg vendlindjes.
48-vjeçari, investitor i pasurive të paluajtshme, bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve, u largua nga El Salvadori në vitin 1997, duke kërkuar sigurinë, stabilitetin dhe mundësinë që SHBA-ja i ofronte.
Ideja e kthimit nuk i kishte shkuar kurrë në mendje, derisa historitë e zymta të dhunës që kishin përndjekur atdheun e tij për kaq shumë vite, u zëvendësuan me tregime për sigurinë.
Fëmijëria e Diegos ishte e përfshirë nga një ndjenjë e vazhdueshme rreziku.
“Zgjohesha, shkoja në shkollë dhe shihja njerëz të vdekur në rrugë”, kujton ai, me zërin që bart barrën e kujtimeve të dhimbshme.
Por sot, El Salvadori nuk është më vendi, nga ku iku ai.
“Tani është vend i sigurt dhe shumë njerëz po kthehen”, thotë Diego, me fjalët që reflektojnë optimizëm.
Reputacioni i vendit ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Dikur i njohur për dhunën, El Salvadori tani po tërheq valë investitorësh.
“Shumë njerëz, madje edhe amerikanë … ne kemi miq nga Florida, nga Austin, nga Hawaii, që kërkojnë të blejnë prona”, shprehet ai.
Vetë Diego po përgatitet për t’u kthyer në tokën që dikur la pas.
Ai ka investuar tashmë në vendlindjen e tij, Tamanique, ku ka ndërtuar një resort që tani e udhëheq nga distanca.
Përgjatë vijës bregdetare të Salvadorit, mund të gjeni qytete bregdetare si El Tunco, El Zonte dhe La Libertad që gumëzhijnë nga ndërtimet e reja, duke tërhequr kështu vëmendjen e turistëve.
Shkëmbinjtë që dikur ishin pika vëzhgimi nga bandat, tani po konsiderohen si vende piktoreske për hotele.
“Qëkur presidenti Bukele solli sigurinë në këtë vend, çdo gjëje iu rrit vlera”, thotë Diego, duke shtuar se toka që kushtonte rreth 100 mijë dollarë pesë vjet më parë, tani kap dhjetëfishin e çmimit.
Dhe ëndrra e Diegos nuk është vetëm e tij. Djali i tij 23-vjeçar, Jairo, shtetas amerikan, gjithashtu planifikon të ndjekë hapat e babait të tij.
Qeveria e El Salvadorit po përballet me ata që u larguan, dhe duan të kthehen në atdhe, duke i futur në një program që i përjashton ata nga taksat.
Që nga viti 2022, gati 19 mijë salvadorianë janë tërhequr nga kjo nismë, sipas shifrave të qeverisë.
“Nuk ka mëshirë”
Një dekadë më parë, bandat si MS-13 dhe Barrio 18 terrorizuan komunitetet, duke zhvatur biznese dhe duke zhvilluar luftëra brutale mbi kontrollin e lagjeve, dhe El Salvadori përjetoi dhunën më të pamëshirshme në hemisferën perëndimore, sipas “InSight Crime”.
Por gjërat kanë ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Në vitin 2022, numri i vrasjeve ra në mënyrë dramatike dhe në 2023-tën u regjistruan vetëm 154 vrasje, një rënie mahnitëse prej 97.7%, krahasuar me vitin 2015, sipas shifrave të Qeverisë.
Rënia e numrit të vrasjeve, pasoi me një sërë masash emergjente, me presidentin Bukele, i cili i dha policisë fuqinë për të arrestuar të dyshuarit pa akuza deri në 15 ditë dhe duke vendosur trupa ushtarake në të gjithë vendin.
Rregullat e reja, të cilat janë ende në fuqi, shënjestruan aktivitetin e bandave, me më shumë se 80 mijë njerëz të arrestuar, që nga fillimi i gjendjes së jashtëzakonshme në mars të vitit 2022.
Në qendër të kësaj përpjekjeje, për të vendosur rendin është “Cecot”, kompleks masiv burgu me kapacitet për të mbajtur deri në 40 mijë të burgosur.
Burgu i sigurisë së lartë aktualisht mban 14 mijë anëtarë të bandave. Dhe, sipas autoriteteve të vendit, ata që dërgohen në “Cecot” nuk do të lirohen kurrë.
“Ne nuk kemi mëshirë për krimet që lidhen me jetën”, ka thënë ministri i Sigurisë, Gustavo Villatoro, për CNN-in.
Fjalët e Villatoros i bëjnë jehonë realitetit brutal, me të cilin është përballur El Salvadori për vite me radhë. Ai pretendon se anëtarëve të bandave iu është kërkuar që të vrisnin të paktën një person, për të qenë pjesë e grupeve si MS-13 ose Barrio 18.
Qasja e ashpër e Qeverisë nuk ishte spontane. Ishte e planifikuar me përpikëri. Villatoro dhe anëtarët e kabinetit të Bukeles kishin filluar të studionin bandat që në vitin 2017.
“Para se të filloni një luftë, ju duhet ta njihni armikun tuaj”, ka shpjeguar ai.
Edhe pse masat e pamëshirshme të qeverisë janë vlerësuar nga shumë, për shkak të rivendosjes së paqes, ato gjithashtu kanë tërhequr kritika të shumta.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar administratën e Bukeles për abuzime të shumta, në betejën e saj kundër bandave.
Villatoro, megjithatë, i hedh poshtë këto pretendime, duke pohuar se fokusi duhet të jetë te viktimat, e jo te kriminelët.
“Ku ishin këto grupe të të drejtave të njeriut kur vriteshin nga 30 njerëz në vendin tonë në ditë?”, thotë ai.
Vetë Bukele ka qenë i palëkundur në retorikën e tij.
Në vitin 2022, ai i sfidoi avokatët e të drejtave të njeriut, duke u thënë atyre që të “merrnin” anëtarët e bandave nëse u intereson kaq shumë.
“Ejani t’i merrni, ne do t’ua japim, dy për çmimin e njërit”, u tha Bukele avokatëve.
Arrestimet masive
Në fillim të vitit 2024, Juan Carlos Cornejo, e gjeti veten në mesin e qindra të arrestuarve.
Ai ishte në burg, i hutuar dhe i tmerruar.
Juan Carlos beson se ai ishte në shënjestër thjesht për shkak të pamjes së tij.
“Unë u akuzova për shoqërim të paligjshëm, por nuk kam asnjë lidhje me këtë. Më pëlqen muzika, rock-u, kështu që pamja ime ishte ndryshe. Unë kisha flokë të gjatë. Unë kam tatuazhe, por këto janë shprehje artistike”, u shpreh ai me një zhgënjim të dukshëm.
Juan Carlos ishte në burg për pesë muaj të gjatë.
Para se të arrestohej, ai punonte si asistent veterinar. Ai këmbëngul se nuk ishte arrestuar kurrë më parë.
Lirimi i tij erdhi vetëm pasi “Socorro Jurídico Humanitario (SJH)”, grup i cili ofron këshilla ligjore në rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut, mbrojti me sukses rastin e tij.
Por historia e Juan Carlosit nuk është aspak unike.
Sipas SJH-së, 33 mijë deri në 35 mijë njerëz janë “arrestuar në mënyrë arbitrare pa asnjë justifikim” që nga fillimi i gjendjes së jashtëzakonshme.
E pavarësisht kritikave të përhapura ndaj këtyre taktikave, Qeveria e Bukeles qëndron e vendosur.
Zyrtarët argumentojnë se këto masa, megjithëse të ashpra, janë bërë në mënyrë të ligjshme dhe janë të nevojshme për ta siguruar të ardhmen e vendit. Ata theksojnë edhe përpjekjet për të rehabilituar dhjetëra mijëra të burgosur të dënuar për krime më të lehta.
Shkëmbimi i lirisë
Kritikët argumentojnë se shtetasit e El Salvadorit e kanë shkëmbyer lirinë me sigurinë, por njerëzit që takuam thonë se nuk janë ndier kurrë kaq të lirë.
Është nëna që qesh teksa e çon fëmijën e saj në park, pa frikë se mos humbet jetën gjatë përleshjeve me armë.
Është edhe babai, i cili nuk shqetësohet më nëse djali i tij do të rekrutohet nga bandat.
Ndryshe nga vendet si Kuba apo Kina, ku banorët kritikojnë regjimet represive, në El Salvador optimizmi duket real.
Makinat e blinduara dhe ushtarët me uniformë nuk janë më arsye për të vrapuar, por shanse për fëmijët kureshtarë që të bëjnë pyetje.
“Ishte aq keq më parë, nuk mund të shkoje askund”, thotë një grua, tek shkrep një foto me ministrin e Mbrojtjes, René Merino, i cili është bërë simbol i strategjisë së sigurisë.
“Vetëm zoti e di se si ia dilnim më parë”, thotë një grua tjetër për CNN-in, me zërin e saj që dridhej, teksa sytë iu mbushën me lot.
Emocionet e saj zbulojnë plagët e thella të dhunës që dikur konsumonte jetën e tyre të përditshme, dhe lehtësimin që ka pasuar.
Por pyetja e afërt është se çfarë do të ndodh pas vitit 2029, kur mandati i Bukeles do të përfundojë.
Në një intervistë të fundit, presidenti deklaroi se nuk do të kërkonte një mandat të tretë, duke lënë shumë pikëpyetje për të ardhmen.
Nëse stabiliteti i ri i El Salvadorit do të zgjasë apo do të lëkundet, vetëm koha do ta tregojë. Por tani për tani, mes atyre që thonë se jeta e tyre ka ndryshuar, nuk ka dyshim: ata besojnë te Bukele dhe do ta përkrahnin përsëri.