Arbëri

Vazhdimi i “Rrugës B”, beteja e parë e balotazhit LDK-VV

Rruga B

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Përparim Rama, dhe ai i Vetëvendosjes (VV), Hajrullah Çeku, kanë shkuar në balotazh, në zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën që lamë pas.

Fushata për balotazh po pritet të jetë më e ashpër. Një gjë e tillë veçse ka filluar menjëherë pas mbajtjes së procesit zgjedhor.

Ende pa dalë rezultatet përfundimtare, në fillim të kësaj jave, nisi një diskutim verbal në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në rrjetin e tij në Facebook, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas 12 vjetësh, në Prishtinë, u rikthyen si partia e parë falë punës që ka bërë Rama në mandatin që po e lëmë pas.

Në këtë status ai bashkëngjiti edhe një pamje të një segmenti të “Rrugës B”, e cila u asfaltua kohëve të fundit, duke theksuar se mendimi qytetar nuk ndërtohet nga propaganda, por nga puna.

“Punë në katër vjet mandat të Përparim Ramës dhe LDK-së. Punë me ndryshimet e brendshme partiake. Sot, struktura e LDK-së në kryeqytet, me 5 degë e 83 nëndegë është par ekselencë! Guri, siç i themi ne. Model për secilin qytet. Prandaj prijmë me parti e kandidat në Prishtinë. Sepse mendimi qytetar nuk ndërtohet nga propaganda helmuese e mercenarizmi i mendimit. Nuk ju shohin, nuk ju besojnë. Mendimi qytetar ndërtohet veç nga puna dhe përpjekja e drejtë politike të cilën edhe e shohin, edhe e ndjenjë, edhe e besojnë!” ka shkruar ai.

Ndaj këtij postimi ka reaguar kandidati për kuvendin komunal, Petrit Reçica, nga Lëvizja Vetëvendosje, duke shpërndarë postimin e Abdixhikut dhe duke e përqeshur atë.

Pas këtij postimi ka reaguar edhe Egzon Azemi nga Lëvizja Vetëvendosje duke hedhur një fotografi tjetër dhe duke pretenduar se realitetit është krejtësisht ndryshe.

“9 nëntori larg...”, ka shkruar mbi fotografi.

Disa orë pas publikimit të kësaj fotografie, në komentin e tij ka reaguar arkitekti Visar Geci, i cili postoi një fotografi ku shihet edhe asfaltimi i pjesës që lidhet me “Rrugën B”.

“A tu afru pak 9 nëntori? Se nyme larg e qun”, ka shkruar ai.

Nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale, Rama doli i pari e Çeku i dyti.