Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), aktualisht edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka mbajtur një tubim elektoral me banorët e degës së tretë në Prishtinë. Gjatë këtij takimi, Rama prezantoi projektet e realizuara gjatë mandatit të tij në lagjet Bregu i Diellit, Velani, Muharrem Fejza, Rruga C dhe B, si dhe Mati 1.
Gjatë tubimit, përkrah Ramës ishte edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilin prezantuan edhe njëmbëdhjetë kandidatët për asamblenë komunale nga kjo degë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Abdixhiku theksoi mbështetjen për Ramën dhe vlerësoi qeverisjen e tij në katër vitet e fundit, përkundër sfidave politike.
Abdixhiku, tha se në këto katër vite qeverisje në kryeqytet, LDK-ja nuk pati ndihmë nga qeveria në detyrë e as nga opozita lokale, por vetëm bllokada e sabotim, porse sipas tij, asnjë bllokadë nuk e ndali qeverisjen e tyre.
“Sonte nga ky tubim e kemi shumë të qartë, kryeqyteti frymon kaltër, kryeqyteti është me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sepse çdo betejë politike nis këtu, çdo fitore e madhe nis këtu dhe çdo shpresë për të ardhmen e vendit tonë nis këtu… Në katër vitet e fundit me gjithë pengesat e mëdha, LDK dhe Rama, treguan se çfarë do të thotë qeverisja e ndershme. Nuk kishim ndihmë nga qeveria qendrore, përkundrazi, patëm vetëm bllokada, nuk patëm bashkëpunim as nga opozita lokale, përkundrazi, patëm sabotim, por asnjë nga këto nuk mundi ta ndalë ndryshimin e nisur nga ne, sepse qyteti është më i fortë se propaganda, sepse besimi i njerëzve është më i madh se sa mashtrimi e puna e ndershme gjithmonë fiton mbi lojën e ulët politike”, tha Abdixhiku.
Ndërkohë, kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, tha se fokusi gjatë mandatit të kaluar ka qenë te projektet konkrete për qytetarët.
Rama përmendi edhe problemin më të madh të kryeqytetit, i cili është trafiku, e në mes të saj përmendi edhe kandidatët e tjerë për kryetarë të kryeqytetit, të cilët po premtojnë hapjen e sheshit “Xhorxh Bush”, por sipas tij, “aq dinë e aq flasin”.
Rama tha se trafikun e rregullon unaza e kryeqytetit, të cilën qeveria në detyrë e ka bllokuar dhe dhjetë shkollat që po ndërtohen në të gjitha pjesët periferike të Prishtinës.
“Kemi bë një numër të madh të projekteve në gjithë Prishtinën. Kemi pasur një theks të veçantë në Breg të Diellit. Në infrastrukturë, kemi asfaltuar rrugën “Enver Maloku” para shkollës këtu, si dhe shumë rrugë në lagje të tjera... Ambulanta në Breg të Diellit është rregulluar dhe ka më shumë shërbime se ka pasur me parë. Sot, Prishtina jep 200 shërbime në ditë për njerëzit me nevoja. Kemi bërë largimin e objekteve të vjetra, e kemi dhe një këtu që kemi me e transformu në park. Kemi bërë shenjëzimin e rrugëve në “Enver Maloku” dhe kemi bërë pritoret e reja dhe zgjerimin e Trafikut Urban... Disa kandidatë po thonë që ne do ta zgjedhim trafikun duke hapur sheshin “George Bush”, aq dinë, aq thonë, nuk e rregullon trafikun. Trafikun e rregullon unaza e kryeqytetit, të cilën kjo qeveri e ka bllokuar dhe dhjetë shkollat të cilat jemi duke i ndërtuar në të gjitha pjesët periferike”, tha Rama.
Ai shtoi se synimi i tij për mandatin e ardhshëm është që të gjitha shkollat në Prishtinë të funksionojnë me mësim tërëditor. Përveç kësaj, Rama premtoi realizimin e unazës së jashtme të kryeqytetit, blerjen e 120 autobusëve të rinj, rregullimin e rrugës “Agim Ramadani” dhe një sërë projektesh të tjera zhvillimore./KSP
