Polonia është më së afërmi një konflikti të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore, ka thënë kryeministri Donald Tusk të mërkurën pasi shteti anëtar i NATO-s rrëzoi dronë rusë mbi territorin e saj.
Ai ka thënë se Polonia i kishte kërkuar NATO-s të hapte konsultime sipas Nenit 4 të traktatit të saj, i cili thotë se anëtarët e aleancës ushtarake perëndimore do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjërit prej tyre, territori, pavarësia politike ose siguria e ndonjërit prej tyre kërcënohet.
Tusk i ka thënë parlamentit se ka pasur 19 ndërhyrje në hapësirën ajrore polake gjatë natës, teksa ka shtuar se ushtria polake ka kaluar me sukses testin e saj të parë, raporton Reuters.
"Nuk kam arsye të pretendoj se jemi në prag të luftës, por është kaluar një vijë dhe është pakrahasueshëm më e rrezikshme se më parë. Kjo situatë na afron më afër konfliktit të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore."
Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme Karolina Galecka ka thënë se Polonia kishte gjetur shtatë dronë dhe mbeturina nga një raketë.
Një dron ose objekt i ngjashëm goditi një ndërtesë banimi në Ëyryki në Poloninë lindore, por askush nuk u lëndua, tha kryebashkiaku lokal për kanalin shtetëror të lajmeve TVP Info.
Diku tjetër në rajonin lindor të Lublinit, policia tha se gjeti një dron të dëmtuar në fshatin Czosnoëka.
