Polonia dhe Italia nuk do t’i bashkohen Bordit të Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump, kanë njoftuar të mërkurën Varshava dhe Roma, duke iu shtuar listës së aleatëve të Uashingtonit që po qëndrojnë në distancë.
Fillimisht i konceptuar për të forcuar armëpushimin në Gazë, Trumpi e sheh Bordin e Paqes me një rol më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve globale, gjë që disa vende druhen se mund ta kthejë atë në një rival të Kombeve të Bashkuara.
Kjo, së bashku me faktin se Rusia dhe Bjellorusia janë ftuar të marrin pjesë, ka bërë që shumë vende perëndimore të mbajnë një qasje të rezervuar.
“Duke marrë parasysh disa dyshime kombëtare lidhur me formën e bordit, në këto rrethana Polonia nuk do t’i bashkohet punës së Bordit të Paqes, por do ta analizojmë atë”, ka thënë kryeministri Donald Tusk në një mbledhje qeverie.
“Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten prioriteti ynë, kështu që nëse rrethanat ndryshojnë dhe mundësojnë bashkimin në punën e Bordit, nuk përjashtojmë asnjë skenar”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka konfirmuar gjithashtu të mërkurën se Italia nuk do të bëhet pjesë e bordit.
“Nuk mund t’i bashkohemi Bordit të Paqes sepse ekziston një pengesë kushtetuese e pakapërcyeshme nga ana e Italisë”, ka thënë ai për kanalin e lajmeve Sky TG24.
“Megjithatë, nëse duhet të punojmë për përpjekje rindërtimi që synojnë sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme, jemi të gatshëm ta bëjmë këtë”, ka shtuar ai.
Sipas kushtetutës italiane, vendi mund t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare vetëm në kushte të barabarta me shtetet e tjera, një kusht që, sipas Romës, nuk plotësohet nga statuti aktual i bordit, i cili i jep Trumpit kompetenca të gjera ekzekutive.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila është e afërt me Trumpin, ka thënë muajin e kaluar se i kishte kërkuar atij të ndryshonte kushtet e Bordit të Paqes për t’i mundësuar Italisë anëtarësimin.
Mediat kanë raportuar se nga fundi i muajit shkurt, Trumpi pritet të mbajë në SHBA mbledhjen e parë të Bordit e pjesë e të cilit është edhe Kosova.