Italia nuk do të marrë pjesë në Bordin e Paqes të inicuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka raportuar të mërkurën e përditshmja Corriere della Sera, duke përmendur shqetësimin se bashkimi me një grup të tillë të udhëhequr nga udhëheqësi i një vendi të vetëm do të shkelte kushtetutën e Italisë.
Plani i Trumpit deri më tani ka shkaktuar reagime të kujdesshme nga aleatët perëndimorë, pasi diplomatët thonë se Bordi mund të minojë punën e Kombeve të Bashkuara.
Një burim i ka thënë Reutersit se kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, një udhëheqëse e krahut të djathtë që ka pasur marrëdhënie të mira me Trumpin, nuk ka gjasa të shkojë në Davos.
Bordi i përhershëm i propozuar do të kryesohet nga Trumpi dhe do të fillojë duke trajtuar konfliktin e Gazës përpara se të zgjerohet në luftëra të tjera. Vendet anëtare do të duhet të paguajnë një tarifë prej 1 miliard dollarësh secila për të fituar anëtarësim të përhershëm.
Sipas kushtetutës së Italisë, Italia mund t'i bashkohet organizatave ndërkombëtare që sigurojnë "paqe dhe drejtësi midis kombeve" vetëm "në kushte të barabarta me shtetet e tjera", një kusht jo i përputhshëm me supremacinë e SHBA-së në bordin e ri, shkruan Corriere.
Deri më tani, kundërshtimin për pjesëmarrje në Bordin e Paqes e ka shprehur edhe Franca.