Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Polonia dhe Çekia premtojnë se do ta mbrojnë Sllovakinë

Polonia dhe Çekia nënshkruan marrëveshje për të mbrojtur hapësirën ajrore sllovake, pasi Sllovakia hoqi dorë nga avionët e saj të vjetër të prodhimit sovjetik MiG-29.

Betimi i mbrojtjes nga aleatët e NATO-s do të zgjasë derisa Sllovakia të marrë F-16 të rinj nga Shtetet e Bashkuara, diçka që pritet të realizohet deri në vitin 2024.

Sipas marrëveshjes, Polonia dhe Çekia po ofrojnë forcat e nevojshme për të reaguar shpejt në rast të shkeljeve të hapësirës ajrore të Sllovakisë. Marrëveshja u nënshkrua në një bazë ajrore sllovake nga ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve.

Sipas marrëveshjes, një duzinë avionësh luftarakë polakë F-16 do të patrullojnë në hapësirën ajrore të Sllovakisë duke filluar nga 1 shtatori. Polonia e quajti përpjekjen bashkim forcash të fqinjëve për të “frenuar një agresor të mundshëm”.

Sllovakia ka kufi të shkurtër me Ukrainën, të cilën Rusia e pushtoi në shkurt. Sllovakia ka një flotë prej 11 avionësh MiG-29, dhe muajin e kaluar njoftoi se Sllovakia mund të konsiderojë dhurimin e tyre në Ukrainë në kushte të caktuara.