Gjermania ka vendosur pesë aeroplanët luftarakë Eurofighter dhe rreth 150 personel ushtarak në qytetin polak Malbork për të ndihmuar në sigurimin e hapësirës ajrore të vendit në përgjigje të ndërhyrjeve me dronë rusë në shtator, kanë njoftuar të enjten forca ajrore gjermane, raportoi Reuters.
Aeroplanët luftarakë polakë F-16, F-35 holandezë, aeroplanë mbikëqyrës italianë AWACS dhe avionë furnizimi me karburant të NATO-s janë ngritur në një operacion për të rrëzuar dronët që hynë në hapësirën ajrore polake në mesin e shtatorit.
Moska ka mohuar përgjegjësinë për incidentin.
Aeroplanët gjermanë Eurofighter po operojnë si pjesë e misionit Eastern Sentry të NATO-s dhe do të mbeten të stacionuar në Malbork, rreth 60 kilometra nga Gdansku dhe 80 kilometra nga enklava ruse e armatosur rëndë e Kaliningradit, deri në mars të vitit 2026, sipas Luftëaffe.
“Me këtë mision, ne po dërgojmë një mesazh tjetër të fortë mbështetjeje për fqinjin tonë Poloninë dhe NATO-n në tërësi”, ka theksuar shefi i Forcave Ajrore të Gjermanisë, Holger Neumann.
Gjermania ka dërguar gjithashtu aeroplanë luftarakë Eurofighter në Rumani, si pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të forcuar krahun lindor të aleancës mes tensioneve në rritje me Rusinë.