Politikanët sllovakë kanë bërë thirrje për qetësi në vendin e Evropës Qendrore pasi kryeministri Robert Fico u qëllua disa herë nga një sulmues të mërkurën, një rast i rrallë i dhunës politike që nxiti afërsi midis liderëve në shoqërinë thellësisht të ndarë.
Fico ishte në gjendje të rëndë, por të qëndrueshme të enjten, ka bërë të ditur një zyrtar i spitalit, pasi lideri populist u godit disa herë në një tentativë për vrasjen e tij, që tronditi vendin e vogël dhe bëri jehonë në të gjithë kontinentin pak javë përpara zgjedhjeve evropiane, raporton AP.
I dyshuari për sulm është në paraburgim dhe ministri i Brendshëm sllovak, Matus Sutaj Estok ka thënë të mërkurën se një hetim fillestar gjeti "një motivim të qartë politik" pas sulmit ndaj Ficos, ndërsa ai po merrte pjesë në një mbledhje të qeverisë në një ish-qytet të minierave të qymyrit.
Ministri nuk specifikoi se cili ishte motivimi.
Fico ka qenë prej kohësh një figurë përçarëse në Sllovaki dhe më gjerë, dhe kthimi i tij në pushtet vitin e kaluar me një mesazh pro-rus dhe anti-amerikan çoi në shqetësime edhe më të mëdha midis anëtarëve të tjerë të Bashkimit Evropian se ai do të braktiste kursin pro-perëndimor të vendit të tij.
Përpjekja për të vrarë Ficon erdhi në një kohë të ndarjes së madhe në Sllovaki, pasi mijëra demonstrues janë mbledhur vazhdimisht në kryeqytet dhe në mbarë vendin për të protestuar ndaj politikave të tij.
Presidentja në shkuarje dhe ai në ardhje i Sllovakisë, që njihen edhe si rivalë politikë, janë shfaqur të enjten bashkë në një konferencë për media, për t’i tejkaluar tensionet në rritje politike, për të mirën e shtetit.
Presidentja në shkuarje, Zuzana Caputova, një kundërshtare e Ficos, ka thënë të enjten se krerët e partive politike të shtetit do të takoheshin për një përpjekje për të sjellë qetësi. Ajo ka thënë se sulmi ishte reflektim i një shoqërie polarizuese në rritje.
“Le të dalim nga rrethi vicioz i urrejtjes dhe akuzave të ndërsjella”, ka deklaruar Caputova gjatë konferencës në kryeqytetin Bratislavë.
“Ajo që ndodhi dje ishte një akt individual. Por atmosfera e tensionuar e urrejtjes ishte puna jonë kolektive”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, presidenti i zgjedhur, Peter Pellegrimi u ka bërë thirrje partive politike t’i suspendojnë apo t’i reduktojnë fushatat e tyre për zgjedhjet evropiane, të cilat do të mbahen nga 6-9 qershor, siç ka thënë “për të parandaluar përplasjet dhe akuzat e ndërsjella mes politikanëve”.
“Nëse ka diçka për të cilin populli i Sllovakisë ka nevojë sot urgjent, ajo është të paktën një pajtim bazik dhe unitet mes përfaqësuesve politikë sllovakë. Dhe nëse s’ka konsensus, atëherë ju lutem, të paktën të keni mënyra të civilizuara për të diskutuar me njëri-tjetrin”, ka deklaruar Pellegrini.
Qeveria e Ficos, e zgjedhur shtatorin e kaluar, ka shkaktuar polemika duke ndaluar dërgesat e armëve në Ukrainë dhe ka plane të ndryshojë kodin penal për të eliminuar një prokuror të posaçëm kundër korrupsionit dhe për të marrë kontrollin e medias publike.
Kritikët e tij shqetësohen se ai do ta dërgojë Sllovakinë, një komb prej 5.4 milionë banorësh që është pjesë edhe e NATO-s, në një rrugë më autokratike.
Mjekët kanë kryer një operacion pesë-orësh për t’ia shpëtuar jetën Ficos. Gjendja e tij sipas spitalit është stabile por ende e rëndë. Ai është duke u mbajtur në kujdes intensiv.
Në drejtim të tij është gjuajtur pesë herë me armë zjarri, jashtë një qendre kulturore në qytetin Handlova, rreth 140 km në veri të kryeqytetit sllovak.
Policia sllovake nuk ka dhënë informata për sulmuesin por mediat atje raportojnë se bëhet fjalë për një 71-vjeçar, i njohur si një poet amator.